Prof. Myqerem Tafaj: MAS tallet me studentët që aplikojnë për studimet Master

575
Sigal

Gazeta Telegraf/

Prof. Myqerem
Tafaj


Kaosi me
pranimet e maturantëve në studimet universitare, do të pasohet, siç duket, me
një kaos tjetër, atë të pranimeve në ciklin e dytë të studimeve universitare
Master. Ky kaos do të shkaktojë vitin që vjen një eksod masiv të maturantëve
dhe studentëve më të mirë të vendit drejt universiteteve jashtë vendit. Shihni
udhëzimin që jep Ministria e Arsimit. Mban datën 7 tetor dhe thotë që aplikimet
në universitetet publike fillojnë më datën 7 tetor!? A nuk është kjo tallje dhe
arrogancë? Si mund të sillet një ministër dhe një qeveri me kaq arrogancë me
maturantët, studentët dhe familjet e tyre? Si mund të lëshohet udhëzimi për
pranimin e studentëve në studimet Master vetëm 10 ditë pune përpara datës 20
tetor, datën kur fillon viti akademik!

Studentët nuk
dinë asgjë të saktë, se sa kuota janë dhe sa janë tarifat. Universitetet nuk
janë njoftuar. Bankat sot dhe nesër nuk punojnë për të paguar tarifën e
regjistrimit. Praktikisht janë lënë në dispozicion vetëm 2-3 ditë për
regjistrimet! Kush guxon të tallet kaq keq me studentët? Çfarë do të thotë dhe
kujt i intereson i gjithë ky terr me pranimet edhe në studimet e nivelit
Master?  Udhëzimi nuk thotë asgjë për
kriterin e gjuhës së huaj për kandidatët që aplikojnë për studimet “Master i
Shkencave”!! Çfarë fshihet pas kësaj? Apo ministrja do të thotë prapë “nuk dimë
gjë, e dinë vetë universitetet”!?  Kaosi
me pranimet e maturantëve në studimet universitare, do të pasohet, siç duket,
me një kaos tjetër, atë të pranimeve në ciklin e dytë të studimeve universitare
Master. Sot protestuan me të drejtë maturantët që edhe në fazën e dytë nuk kanë
fituar degë në përputhje me rezultatet që kanë arritur. Me dy fazat që
parashikon udhëzimi i lëshuar mbrëmë grup nga MAS do të penalizohen mijëra
maturantë me rezultate të mira dhe shumë të mira, sepse nuk do të kenë mundësi
që të pranohen në degët ku u takonte sipas rezultateve të arritura. A nuk është
ky një diskriminim i rëndë për këta mijëra maturantë? A e mendon kjo qeveri se çfarë
pasojash të rënda do të ketë ky kaos në pranimet e studentëve në këtë vit
akademik? Mosbesim total, i cili do të detyroj maturantët dhe prindërit e tyre
të mendojnë vetëm për një rrugë: largim nga vendi për të studiuar jashtë dhe
për të mos u kthyer më në Shqipëri. Edhe këtë vit janë rreth 10 mijë maturantë
(ose 25% e numrit total të maturantëve) që kanë aplikuar për studime jashtë
vendit. Ky kaos në pranimet në universitete do ti shkaktoj vendit një eksod të
ri masiv të të shkolluarve, madje të më të mirëve.