Zef Preçi/ Katrahura e koncesioneve shqiptare

625
Përvojat botërore të mirëqeverisjes së pasurive, fondeve dhe të financave publike na mësojnë se janë rreth 40 kritere dhe standarde që duhen respektuar në shfrytëzimin e pasurive kombëtare nëpërmjet koncesioneve dhe të ashtuquajturit “partneritet publik-privat”. Kjo bëhet me synim që të shmanget favorizimi e klientelizmi politik, të respektohet konkurrenca në tregje duke evituar ndikimin e oligarkisë, të sigurohet transparenca e mjaftueshme për qytetarët, votuesit apo taksa-paguesit, etj.

Po në Shqipëri?

Nëse gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-ës u hodhën ide racionale në drejtim të përmirësimit të menaxhimit të burimeve natyrore të vendit në funksion të rritjes së përfitimeve të shtetit për të luftuar varfërinë dhe për të shtuar të ardhurat buxhetore, zhvillimet e mëvonshme duke filluar me koncesionin e “RAPISCAN”, kontratat e vjetra e të reja në shfrytëzimin e naftës dhe të gazit apo me kontratat në sektorin e shëndetësisë mundësuan jo vetëm rikonfirmimin e kontratave të dyshuara si korruptive dhe favorizuese në dëm të interesave të ekonomisë sonë kombëtare, por zhvillimet kulmuan me përgatitjen e një kuadri ligjor të posaçëm të ashtuquajtur “partneriteti publik privat”, nëpërmjet të cilit qeveria i ka dhënë të drejtën vetes të lërë peng jo vetëm pasuritë natyrore të vendit, por edhe të ardhurat tatimore të 10 apo 20 viteve të ardhshme, pa bërë asnjë analizë të kosto-përfitimeve, pa bërë publike asnjë faqe A4 të plan – biznesit si dhe pa dhënë asnjë argument institucional mbi mënyrën e monitorimit të këtyre kontratave. Aq më tepër që edhe Kuvendi i Shqipërisë është lënë jashtë këtij procesi, ashtu si në disa raste është jashtë angazhimit edhe vetë qeveria, por është lënë në diskrecionin e anëtarëve të kabinetit…Një nismë ligjore disi taktike e deputetëve të LSI për të përfshirë Kuvendin e Shqipërisë në miratimin e kontratave që kalojnë mandatin kushtetues të qeverisë (4 vjeçarin) duket se ka humbur rrugës dhe mund të jetë peng i kushtëzimeve të tjera brendapërbrenda aleatëve të koalicionit qeverisës… 

Ndërkaq pothuajse askush, me përjashtim të agjencisë investigative BIRN, nga radhët e masmedias nuk tenton të hedhë dritë mbi këto zhvillime në këtë fushë dhe përfitimet (e supozuara) të ekonomisë dhe financave publike nga koncesionet dhe partneritet në fjalë. Në të vërtetë, edhe ligjvënësit, ndoshta për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë në aferat e dyshuara me pasuritë e vendit (nga radhët e opozitës) ose të interesave okulte për pasuritë e mbetura dhe të ardhurat e buxhetore të viteve që vijnë që janë duke rënë gradualisht në kthetrat e oligarkisë (nga radhët e maxhorancës) po heshtin… Është kjo një ndër arsyet themelore – analiza e qeverisjes së pasurive natyrore dhe fondeve të buxhetit e ndëshkimi i pamëshirshëm i abuzimit me to – që Shqipërisë i duhet reforma në drejtësi…Kam bindjen se reformimi i pritshëm e drejtësisë nuk është qëllim për se, por është njëlloj “levë e Arkimedit” qe do t’i japë fund njëherë e mirë “kulturës së pandëshkueshmërisë”, që do të mundësojë nxjerrjen përpara bankës së të akuzuarve të atyre funksionarëve shtetërore e politikë që kanë abuzuar dhe abuzojnë me pasuritë publike, që e kanë kthyer politikën nga një shërbim publik legjitim dhe demokratik siç është në botën perëndimore, në “shitje të Atdheut”, së cilës nuk mund t’i gjesh ngjashmëri as në principatat e vendeve të Afrikës apo të Azisë…
Sigal