Xheladin Çelmeta/Ushtarakët, morali dhe Kushtetuta

500
Sigal

Fakti, që po i rikthehem edhe një herë trajtimit financiar të ushtarakëve në rezervë, sipas Aktit Normativ, lidhet me reagimin e natyrshëm të tyre ndaj një “status-quo-je” që mundohet të imponojë shteti e qeveria, teksa çdo muaj hartohen për ta listat e pagesave në ISSh. Në pamje të parë, duket sikur gjithçka është normale. Kurse në fakt, katrahura në të cilën gjenden sot pensionet e parakohshme, është ulëritëse. Një pjesë ushtarakësh në rezervë po kthejnë mbrapsht në arkën e shtetit paratë “e dhëna gabimisht (!)”. Që do të thotë: nëse deri dy vjet më parë, një oficer në rezervë merrte 213 mijë lekë (të vjetra) në muaj, tani befas shpallet debitor ndaj shtetit, pasi, sipas ISSh-së, “pensioni i tij, është llogaritur më i lartë nga ç’i takon”. Shqip: jo sipas Aktit Normativ. Kështu, pra, këtij ushtaraku, tani pensioni do t’i ulet në rreth 160-170 mijë lekë (të vjetra)! Gjithsesi, kjo do të ishte e keqja më e vogël. Debia e akumuluar, është problemi më i madh. Të heqësh nga portofoli i varfëruar i ushtarakut edhe qindarkat e mbijetesës, mendoj se kjo është një sjellje tmerrësisht agresive e ISSh-së. Pse u dashka penalizuar “x” oficer, për një llogaritje që vetë institucioni e ka bërë më parë? Ky kaos që ka përfshirë pensionet e parakohshme, po e shton më shumë depresionin tek shtresa e gjerë e ushtarakëve në rezervë. Famëkeqi “proces i rillogaritjes”, për një pjesë të madhe të ushtarakëve në rezervë po kthehet në një ankth. Sajimi i një debie absurde, e cila vjen si rrjedhojë e “rillogaritjes”, po i varfëron ekstremisht ata. Edhe kreu i ShKURSh, Mehdi Pogaçi, por dhe ai i AKUSh, Kujtim Çako, e kanë ngritur disa herë në media këtë problem, por përsëri nga ana e shtetit ka pasur heshtje. Më është bërë zakon, që sa herë shkruhet nëpër gazeta për pensionet e ushtarakëve, të shoh edhe reagimet e njerëzve në blogje interneti. Ndjesia që konstatohet është në fakt një përputhje natyrale mes moralit qytetar dhe Kushtetutës tonë. Atë që ja kërkon Kushtetuta ushtarakëve, nuk ja kërkon asnjë kategorie të profesioneve të tjera. Po ta keni vënë re, vetë “Betimi” i ushtarakëve, bëhet në emër të Shqipërisë, në emër të Kushtetutës, kur ata nisen për mision. Dhe lidhet vetëm me një gjë: Me gatishmërinë e tyre për të dhënë edhe jetën po ta lypë nevoja. Ngërçi nis në momentin që ata përfliten për pensionet. Dhe kjo është për të vënë kujën. Le të rikthehemi tek qindarkat: Nëse një pension mesatar në Shqipëri është 270 mijë lekë (të vjetra), kjo s’ka pse të konsiderohet “mollë e ndaluar” për ushtarakët në rezervë, dhe… “o burra ti llogaritim me akt normativ”. Kam bindjen se opinioni publik beson të kundërtën: që ushtarakët marrin atë që ju takon, domethënë, marrin pensione më të mira se kategoritë e tjera sociale në këtë vend, sepse… iu takon. Dhe ata argumentojnë në të drejtën e Zotit e të arsyes: Së pari, se ushtarakët i kanë derdhur sigurimet shoqërore “një më një”, gjatë viteve të shërbimit. Prandaj shteti s’ka pse ua mban; pasi kanë derdhur në arkën e shtetit 12 përqind të pagës, jo pak. Argumenti i dytë, është se qytetarët e zakonshëm kanë bindjen se si në çdo vend të Botës, ushtarakët paguhen më mirë se profesionet e tjera. Shkurt, opinioni gjykon se ata, pra, ushtarakët, edhe sot e gjithë ditën, kryejnë misione të vështira. Në një shkrim të mëparshëm evidencova të rënët e Ushtrisë në këto 20 vjet në demokraci. I kërkoj ndjesë lexuesit, që nuk kisha përmendur edhe tre të rënë të tjerë: konkretisht Aqif Karajin, rënë në detyrë në Elbasan në prill 1998, si dhe dy kapitenët e parë, Mehmet Hysa e Flamur Radani rënë në detyrë në Peshkopi në vitin 1998, teksa po pastronin territorin nga municionet e rrezikshme. Po, ushtarakët janë çdo ditë në përballje me rrezikun, se ashtu e do detyra. Dhe kamerat televizive, natyrisht nuk kanë mundësinë t’i ndjekin ata nga pas kudo. Orët televizive, ndërkaq, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kursyera për ta. Ata kemi rast t’i shohim vetëm në ndonjë paradë ose kur i viziton ndonjë personalitet(!). Rrëqethesh, kur dëgjon rrëfimet e oficerit Hysen Ymeri, ish- komandant i trupave speciale, deri pak kohë më parë. Media e ka quajtur “Rambo shqiptar”. Në pranverën e vitit 1999, gjatë konfliktit kosovar, kur provokohej nga serbët kufiri në veri, ai ka luftuar atje së bashku me trupat speciale. Dhe ka përjetuar situata ekstreme lufte. “Një grup ushtarësh serbë ndodheshin në një guvë në pjesën tonë të kufirit, kujton ai. Kishin me vete edhe mortaja. Ne duhej t’i nxirrnim që andej, por ndërkohë duhej të përdornim një farë “diplomacie taktike” që ata të mos qëllonin me mortaja fshatin. Improvizuam një “tërheqje” false, ç’ka bëri që ata të dilnin që andej dhe pastaj t’ia mbathnin vrapit. Ne ecnim aty në një terren tërësisht të minuar nga serbët. Na shkonin mornica në trup”, tregon ai. Detaji tjetër: Po në këtë vit, gjeneral Kudusi Lamës, i del urdhri i transferimit nga Kukësi, për në Tiranë. Pra, ai mund të kthehej sërish në kryeqytet, dhe të vazhdonte i qetë  karrierën në ministrinë e Mbrojtjes. Askush s’e pengonte. Po lufta e zuri atje dhe ai gjykoi si një gjeneral lufte: “Nderi e detyra ime janë këtu tani që nisi lufta, tha ai, dhe jo në Tiranë”. Dhe në një moment, kur kufiri po shkelej nga serbët, me urdhrin e gjeneral Lames trupat dhe tanket e njësisë së Bajram Currit mësynë në brezin kufitar në Qafë-Morinë, atje ku paramilitarët e Milosheviçit provokuan duke u futur rreth 500 metra brenda tokës tonë. Falë kësaj ndërhyrje energjike, situata u rivendos menjëherë. Dhe bombardimet serbe atje ishin të shpeshta, gjatë vitit 1998-‘99. Aq sa miku im, oficeri i xhenios Arben Sopi, la njërën këmbë gjatë një misioni çminimi. Ato ditë kam qenë edhe vetë në Morinë, kur bombardohej. Kam parë nga afër trupat guximtare të njësisë së Kukësit dhe komandantin e batalionit Hasan Pasha, pasi në atë kohë kryeja detyrën e reporterit për gazetën “Ushtria”. Shihja se si i inkurajonte ai ushtarët në llogore, nën renë e pluhurit që ngrihej lart. Kam takuar ushtarë e oficerë tankistë, në pjerrësitë e fshatit Bardhoc, pak kilometra larg Morinit se si ditë-natë rrinin në kullën e tankut. Ajo ishte luftë dhe këtu mbarojnë fjalët. Kështu, pra, “Atdheu, Nderi, Detyra”, është një slogan që s’është “vjetruar” aspak, përkundrazi, është riafirmuar edhe më shumë tani që jemi në NATO. Pak a shumë, përmbajtjen e kësaj fraze e kanë gjithashtu të shenjtë, si Bibël, edhe ushtarakët amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, etj. Ushtarakët shqiptarë kanë vetëm një “bindje”, të artikuluar me një shprehje: “Shqipëria, Flamuri, Kombi”. Ky është trinomi magjik, kjo është “partia” e vetme për ta, që i frymëzon pareshtur, që nga brezi i ushtarakëve që bënë LANÇ, tek të tjerët më pas që shpartalluan shovinistët grekë në provokacionet e gushtit ‘49 në Jug, e deri tek akti më i fundit heroik i Feti Voglit, komando që dha jetën për paqen në Kandahar të Afganistanit… Po lexoja këto ditë përshtypjet e disa ushtarëve britanikë që vinin përmes mbresave të një paqeruajtësi shqiptar: “Po flas për shokët e mi në Afganistan, shkruante ai. Janë nga më kurajozët. Kjo pranohet herë pas here edhe nga ish-ushtarët britanikë kur bisedojnë me njeri tjetrin, pasi janë kthyer nga Afganistani: “Sa herë që në krah kishim ushtarët shqiptarë, ishim gjithmonë të siguruar, se nuk na linin kurrë vetëm, por luftonin krah nesh, pa u trembur”. Stresi i luftës është një tjetër nocion, që vetëm ai që e ka provuar e di. Kjo, pra, është historia e ushtarakëve. Kjo është “alkimia” që shpjegon funksionimin e mendjes dhe të zemrës së tyre, në shërbim të misionit e Atdheut. Natyrisht, jo të gjithë mund ta kuptojnë këtë gjë. Sidomos, ata që s’e kanë provuar  ndonjëherë rrobën ushtarake, deputetët a politikanët. Më ka mbetur në mendje biseda që pata me oficerin gjerman të Bundesvehrit, kapitenin Peter Behrens, 14 vjet më parë. “Lidershipi juaj, tha ai, duhet të mendojë që kur ushtarakët të dalin në rezervë, të kenë mundësinë të ripunësohen sërish në FA si civilë, ose në sektorin privat, e jo të mbeten rrugëve”. Sot, unë nuk mund ta di se ku shërben kapiteni Behrens, por për një gjë ama, jam i sigurt: Që po të vinte  sërish në Shqipëri dhe të njihej me statistikat mjerane të ripunësimit të ushtarakëve shqiptarë të rezervës, me siguri që do të vinte duart në kokë. Pa le pastaj, po t’i thoja se shteti u jep atyre një trajtim financiar mujor sa… për një darkë familjare në një restorant klasi(!). Morali i kësaj fabule, s’ka nevojë të komentohet.