Për një kohë të pacaktuar Kapiteneria e Portit ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të të gjitha anijeve tregtare dhe peshkarexhave
Në qytetin e Durrësit ka pasur një përkeqësim të kushteve atmosferike. Koha është karakterizuar nga shira të forta dhe me erëra të vrullshme që do të vazhdojnë edhe në javën në vijim. Ndërsa në lagjet periferike të qytetit ka pasur dalje ujërash në rrugë, deri në disa banesa, në det dallgëzimi ka qenë në kufijtë e 7-8 ballëve. Kjo ka përfshirë gjithë territorin e gjirit të Durrësit dhe një traget që ishte nisur drejt Durrësit nga Porti i Ankonës ka qenë i detyruar që të gjente strehim në zonën e Kepit të Rodonit, pasi udhëtimi i mëtejshëm duke qenë i zbuluar kundrejt forcës së erës dhe dallgëzimit që në det të hapur ishte përafërsisht rreth 8-9 ballë, rrezikonte jetën e udhëtarëve. Ndërsa brenda në port ka hyrë vetëm një nga tragetet e linjës dhe ai me disa orë vonesa.
Situata
Burimet saktësojnë se trageti ka hyrë në port pas 8 orë lundrimi në det mes dallgëve. Ndërkohë Kapiteneria e Portit ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të të gjitha anijeve tregtare duke përfshirë edhe peshkatorët për një kohë të pacaktuar pasi pritesh që reshjet të përsëriten thuajse me të njëjtin intensitet në orët e mëpasshme. Ndërkohë mësohet se të gjithë mjetet lundruese të tonazhit të lartë janë stacionuar në radë, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Burime nga Kapiteneria e Durrësit bënë të ditur, se anijet e peshkimit dhe ato të transportit që prej dy ditësh nuk punojnë, për shkak të reshjeve të shiut dhe erës së fortë, e cila ka shkuar deri në 24 metër për sekondë. Në kushte të tilla emergjence ndodhet edhe sektori i peshkimit, ku sinjalizohet se peshkatarët nuk kanë dalë në det të hapur, pasi nga koha e keqe ato kanë kaluar vështirësi serioze edhe në vendin, ku ndodhen të ankoruara. Kjo pasi nga forca e erës dallgët kanë kapërcyer disa metra në lartësi edhe vetë dallgëthyesen e portit