Vangjush SARO/ Shashka politike e imunitetit

60

Herë pas here, në politikë dhe, për rrjedhojë, në opinionin publik, hapen tema të shumëpërfolura, të cilat zbehin pothuaj gjithë problematikën tjetër, tejet të rëndë të vendit. Një e tillë temë qesharake, është edhe ajo e heqjes së imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë, që në këto ditë, i është hedhur publikut të gjerë sërish përpara këmbëve si shashkë… Hajde të qeshim pak, të bëjmë sikur trembemi, sikur nuk na zë gjumi për imunitetet, prej nga na u varkërka edhe dhënia e atij (dreq) statusi të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian(!)

Është e hershme nisma e shumicës për heqjen e imunitetit parlamentar; po ashtu, kundërshtimi i opozitës, (për arsye që mund t’i besosh, mund edhe të mos i besosh). Por së fundmi, po u gjendka njëlloj zgjidhjeje. Opozita bën sikur vë disa kushte. Për fat të keq, është mjaft e dekonspiruar e gjithë kjo “lojë-luftë” që po bëjnë palët në lidhje me këtë argument. Përgjithësisht, në ndeshje të tilla, ato gjejnë mundësinë të shigjetojnë njëra-tjetrën; pa e çuar deri në fund asnjë betejë, thjesht duke kërkuar pak kohë për të hedhur në publik shashkën tjetër.

Ja si na e përshkruan situatën përpara do kohësh Doris Pack, një “mike” e së “djathtës” shqiptare: “Tek ne, vetëm parlamentarët kanë imunitet. Por ky mund të hiqet nga parlamenti kombëtar, ose nga Parlamenti Evropian. Këtë unë e quaj një veprim normal, sepse të gjithë parlamentarët janë të barabartë me qytetarët e tjerë. Por, në ndryshim nga këta, deputetët kanë njëfarë garancie, meqë herë pas here ata flasin në emër të popullit. Dhe, kur e bëjnë këtë, ata edhe mund t’i kalojnë caqet e lejuara. Kurse gjykatësit nuk kanë imunitet, sepse ata nuk janë të zgjedhur nga populli. Ata janë funksionarë të emëruar dhe këta nuk kanë imunitet. Edhe këtu në Parlamentin Evropian funksionarët nuk kanë imunitet”. Dhe më tej: “Nëse shikoni procedurën e Parlamentit Evropian,do të shihni se pothuajse çdo muaj ne votojmë për heqjen e imunitetit të njërit apo tjetrit deputet, me kërkesën e gjykatave të vendeve të tyre. Kështu veprohet këtu, kështu duhet të veprohet edhe tek ju”.

Është e qartë sa më s’bëhet. Askush nuk ua ka kërkuar heqjen e imunitetit si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE-së. E “shpikin” vetë, ashtu si edhe në shumë tema të tjera. Disa media këto ditë nxituan të përcjellin këshillën e Zv. Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, për heqjen e imunitetit. Por nuk u kuptua pse ato anashkaluan atë çka ai deklaroi në një agjenci lajmesh: “Të gjithë e dimë që ka pasur zhgënjim me ritmin e reformave, të cilat u ngadalësuan shumë kur rrugën e përparimit e zuri politika, dhe kur partitë politike morën përparësi krahasuar me mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë vendit”. Si e duan (shuplakën) politikanët shqiptarë, më së pari ata të maxhorancës, më të freskët se kaq?

Duke u marrë me këtë përrallë, në njëfarë mënyre palët iu rrinë larg problemeve reale që ka vendi: pasiguria, papunësia, konfliktualiteti formal politik. Pra, e gjithë zhurma e sotme për imunitetet, është njëlloj demagogjie, një rrahje gjoksi më shumë (gjoja për transparencë); le të themi edhe një tjetër shfaqje palaçosh, nga ato që i prodhon pa shumë mundim politika shqiptare. Të dyja palët, të majtë e të djathtë, kohë pas kohe, kanë marrë nisma të tilla demagogjike, për të treguar se janë të pastër, nuk i druhen asnjë lloj mase a ndëshkimi. Është një lojë për t’u dukur dhe për të fituar kohë. Realisht, imuniteti është një e drejtë që nuk mund të tjetërsohet në një shoqëri me parime demokratike. Imuniteti bën pjesë ndër favoret që i blatohen një politikani apo një zyrtari të lartë, për ta mbrojtur nga çdo lojë politike a grackë jashtë parimeve dhe normave të cilësuara demokratike. Nuk ka pse të kërkohet heqja e imunitetit ashtu në bllok, për të gjithë, si për të humbur rëndësinë dhe vlerën e një mbrojtjeje të domosdoshme. Imunitetin duhet ta lërë vetëm ai që ka punë me drejtësinë; duhet t’ia heqin vetëm atij që i duhet të japë shpjegime.

Në një analizë të fundit, politikanëve dhe nëpunësve të lartë të këtij vendi, përgjithësisht nuk iu është dashur imuniteti. Kjo ndodh për disa shkaqe, më së pari ngase te ne nuk ka rregulla; ose ato nuk respektohen. Kujt i është qasur gjer më sot drejtësia shqiptare? Siç thotë diku Faik Konica (që citon një diplomat të huaj), ne kemi zbritur “nga tragjedia në operetë”. Ia nisëm reformave përpara të tjerëve, ja tek na parakaloi e gjithë Evropa Juglindore. Tashmë (doemos që e themi me dhimbje) ky vend është bërë për të qeshur. Kujtoni Gërdecin, që me aq paturpësi u mbulua nga palët. Kush e dënua për atë tragjedi? Kush u gjend fajtor? Të kishte ndodhur diku gjetkë, ai vend do të ishte tundur nga themelet. Kurse këtu, pas çdo tragjedie a skandali, autorët fshihen. Nuk kam qenë unë, thotë individi i zënë me presh në duar. Nuk më ka urdhëruar kush, thonë gardistët për 21 janarin, kemi qëlluar ashtu, më tym…Politikanët e kanë në majë të gjuhës, sa herë iu drejtohet ndonjë akuzë: “Më sulmojnë…politikisht.” Dhe pas gjoja sulmeve politike, ka gjithnjë afera dhe prapësi që asnjëherë nuk zbardhen.

Për ta përmbyllur, te ne, askush nuk e ka pasur dhe nuk e ka seriozisht punën e imunitetit. Politikanët dhe nëpunësit e lartë të këtij vendi nuk kanë nevojë për imunitet(e). Të gjithë mbijetojnë, sepse janë pjesë e klaneve që dinë të mbrohen, të fshihen dhe të fitojnë; janë pjesë e politikës së mbrapshtë, që shtyn vazhdimisht tutje e sulmon institucionet dhe ekspertët a teknikët, duke kërkuar gjithnjë e më shumë hapësira, doemos për përfitime dhe, në të njëjtën kohë, për të mbuluar çdo gjurmë përfshirjeje. Këto dukuri e këto lojëra e përralla (si kjo me imunitetet), e largojnë vendin nga pretendimet dhe axhenda perëndimore. Paçka se në termat e ditës, krijohet një pamje spektakolare e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me Perëndimin, (që pothuaj ka hequr dorë nga disa rregulla e monitorime demokratike). Te “Procesi”, përmes personazhit kryesor, Franc Kafka thotë: “Unë vetëm zbulova shenjën, po heq dorë dhe s’dua të kuptoj…”