Sami REPISHTI*/ Vizita e Papës në Shqipëri , mirënjohje edhe shpresë për njerëzit  e vuajtur

671
Sigal

Jam mirënjohës që më jepet mundësia për të folur sot para kësaj Konference kuptimplote që mbahet vetëm 8 ditë para vizitës së Atit të Shenjtë në tokën tonë arbërore, vizitë që unë e përshëndes: “Shenjtëria e Juaj: Mirë se vini në atdheun tonë!”. Vizita konsakron rëndësinë e së kaluarës sonë tragjike dhe synon, njëkohësisht, përkrahjen e Selisë së Shenjtë për klerin katolik shqiptar në përpjekjet e t’ja forcuar sa ma shumë veprimtarinë e tij në shërbim të grigjës shqiptare, me ringjallë “Një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun!”. Jeta me dha mundësi për të dëshmuar periudhën e letargjisë dhe varfërisë në vitet e Monarkisë, okupacionin ushtarak fashist, vitin kalimtar të ordhive shkatërruese naziste në vendin tonë, 15 vjet të regjimit komunist dhe sot periudhën e një tranzicioni anemik e të paplanifikuar, kaosi i të cilit mundon qindra mijëra shqiptarë dhe shkakton një konfuzion të gjithmbarshëm në mendjet e individëve dhe të kolektivit shqiptar. Sot, Shqipëria, ende e pashëruar nga plagët e murtajës komuniste, ende e trazuar nga mbeturinat helmuese të saj në jetën e përditshme e në ndërgjegjen e secilit, mban të gjallë një të kaluar monstruoze që refuzon të vdesi dhe nuk gjen fuqi të mjaftueshme për të ushquar të renë e lirë e demokratike që duhet të lindë…!. Në këtë mes të padëshirueshëm, unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetuar. Si i këtillë duhet të flas, sepse heshtja është e papranueshme. Të flasësh do të thotë, të thuash të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit, që e përmban, është shprehja e një dëshmitari me të gjithë vlerën që kjo mund të ketë. Ky qëndrim më ka detyruar moralisht për të treguar ngjarje të jetuara, sidomos gjatë viteve të diktaturës së proletariatit, dhe për të theksuar atë që quaj “esenciale” në jetën e popullit tonë: vuajtjen e pamerituar dhe forcën e karakterit për t’i qëndruar besnik vetes para kërcënimeve, duke përfshirë edhe atë të jetës. Sot përsëris, se në katastrofën tonë komuniste, ka pasur një element që ka mbajtur një qëndrim frymëzues për ne e për brezin e ardhshëm. Ky element ka qenë popullsia katolike shqiptare dhe udhëheqësit e saj shpirtëror, kleri katolik apostolik roman shqiptar. Binomi “Fe e Atdhe” gjatë viteve të diktaturës së kuqe, u tregua një fortesë e pathyeshme dhe e papërkulshme! Kjo është një e vërtetë, që unë përsëris: Të akuzuar pa faj, të arrestuar pa faj, të torturuar pa faj, të dënuar pa faj dhe të pushkatuar pa faj, ata i qëndruan besnikë fesë dhe Kishës, ata nuk harruan asnjëherë Nënën Shqipëri… Para skuadrave të ekzekutimit, thirrjet më të shpeshta kanë qenë: “Rroftë Krishti-Mbret, Rroftë Papa, Rroftë Shqipëria!”. Dhe kanë ra në heshtjen e përhershme, kanë fituar lavdinë e përhershme dhe mirënjohjen e përhershme të mbarë një populli! Shoqëria shqiptare nuk do të shërohet kurrë nga rrjedhimet e murtajës komuniste, përsa kohë që nuk del në shesh e vërteta. Martirizimi i klerit katolik shqiptar dhe persekutimi i veçantë i besimtarëve katolikë shqiptarë janë dy “fakte” që duhen theksuar dhe duhen studiuar si manifestime monstruoze të diskriminimit fetar dhe politik në Shqipëri. Ky është një proces. Hapi i parë ashtë zbulimi i së vërtetës, dokumentimi dhe popullarizimi i saj. Asgjësimi fizik i klerit katolik shqiptar, ka qenë një fenomen unik, në kohën tonë e në hapësirën shqiptare. Prandaj, duhet studiuar sistematikisht që të kuptohet e të mos përsëritet. Pse ngjau kjo katastrofë për katolikët shqiptarë? Cilët janë faktorët që e prodhuan? Cilat janë forcat shoqërore që e ushtruan dhe cila ishte fryma që ushqeu këto forca? Pse “Lleshrat dhe Markrat e Veriut u vranë faj e pa faj” siç pohonte krimineli Pandi Kristo në Burgun e Burrelit?

Shqipëria pret një përgjigje!

Pak rëndësi ka pasur për xhelatët ekzekutues “fakti” që ky grup i veçantë përbënte kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare, që nga Skënderbeu deri në Ditën e Pavarësisë; që ky grup i veçantë mbajti të gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj të gjatë robërie otomane; që ky grup i veçantë lëvroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla, që hapi spitale e shtëpia për pleqtë, që u kujdes  për të varfrit dhe më shumë rëndësi, zbuti atmosferën e ashpër të hakmarrjes në malësitë tona, duke ofruar frymën e faljes së fajit dhe pajtimin. Është ky grup i veçantë që dha fretnit me zhgunin e varfërisë në katundet më të  varfra dhe murgeshat e përvuajtura në shërbim të lagjeve më të mjeruara në qytetet tona….dhe është  ky grup i veçantë që vazhdon të predikojë, ashtu si në të kaluarën,”…për të krishterët…dashuria shkon deri në dashuri për armikun” (Fides et Patria-Fe e Atdhe. Letra Baritore e Ipeshkevinjve të Shqipërisë. Tirane:2012, f.5.

Idem, f.7). Madhështi shpirtërore!

Pak rëndësi ka pasur për xhelatët ekzekutues “fakti” se, historia e popullit shqiptar nuk njeh një rast të vetëm, kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës, në kalvarin shumëshekullor të vendit tonë, e në luftërat kundër  armiqve kërcënues; dhe tashti vonë, në forcimin e një Shqipërie të lirë që përpiqet me qenë europiane. Me këtë, katolikët shqiptare ritheksojnë rëndësinë e “atdheut” shqiptar. Ata këshillojnë se, “…detyra e qytetarëve është t’i japin ndihmën e tyre pushtetit civil e shoqërisë me shpirtin e së vërtetës, drejtësisë, solidaritetit dhe lirisë. Dashuria dhe shërbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyra e mirënjohjes dhe nga rendi i dashurisë”.  Detyrë qytetare e vërtetë! Kjo “detyrë” nuk është bindje e verbër, as rrjedhimi i një frikësimi, sepse “…qytetaret janë të detyruar në ndërgjegje, e të mos i ndjekin ato ligje të autoriteteve civile që janë në kundërshtim me kërkesat e rendit moral, me të drejtat themelore të personit dhe me mësimet e Ungjillit” (Imzot Rrok Mirdita. Për një Shqipëri me Zotin. v.II. Tirane:2003), një pozicionim që Imzot Desmond Tutu i Afrikës Jugore, në ditët e “Aparteid”-it e quante “e drejta kristiane për t’u revoltuar!” Çdo akt ligjor çdo veprim i pushtetit civil që kufizon lirinë e të drejtat e qytetarit të lirë është moralisht i gabuar dhe ligjërisht i pa vlerë. Në këtë deklaratë unë shoh edhe thelbin e rezistencës anti-komuniste të vëllezërve dhe motrave tona katolike: një revoltë kundër shtypjes së fesë, kundër asgjësimit fizik të klerit katolik shqiptar- dhe e përshëndes! Për Kishën Katolike Shqiptare “…mosbindja civile…përbën një të drejtë të pacenueshme, e të patjetërsueshme të personit, një të drejtë që ne, ipeshkevinjtë, bëjmë thirrje që ta ushtrojnë të gjithë”(3)  Sot, ëndrra e keqe ka përfunduar! Por ne gjendemi para një procesi shërimi në vendin tonë, para detyrës së rëndë të rindërtimit moral për të gjithë ne. Jo vetëm ata që janë përgjegjës direkt për krimet e kryera, por edhe ata qe margjinalisht ndjehen fajtorë, – sepse kanë heshtur dhe këtu ka një numër të madh!- duhet të kalojnë nëpër procesin e rivlerësimit të përgjegjësisë së tyre, të qëndrimit të tyre imoral ose amoral në ditët e vështira, kundrejt grupit shoqëror numerikisht më të vogël, por më të persekutuar se të tjerët, popullsisë katolike shqiptare.

Pavarësisht nga rruga që secili nga ne do të zgjedhë në vetëvlerësimin si qenie njerëzore me dinjitet, statusi i katolikëve në ish-Shqipërinë komuniste na paraqitet si një rast unik i viktimës së persekutuar pa mëshirë e pa pushim, në një botë shqiptare të shurdhet, të verbër, memece, që lejoi humbjen e mijëra viktimave të pafajshme. Dhe, ashtu si do të përpiqemi për të lehtësuar shpirtrat tanë, për të pastruar zemrat tona, na duhet të dalim me një angazhim solemn dhe për të deklaruar se tragjedia e kaluar e katolikeve shqiptarë nuk duhet të përsëritet kurrë! Kurrë më! Çdo qëndrim tjetër do të sanksiononte kalbëzimin tonë moral!

 Më 4 maj 1991, u përkujtua katastrofa e klerit katolik shqiptar në Qendrën Jezuite të Universitetit të San Francisco-s (SHBA).Me ftesën e të ndjerit xhakonit Gjon Sinishta mora pjesë. Dom Simon Jubani u nderua me një diplomë “Honoris Causa”. Si folës i ftuar, unë theksova faktet si një dëshmitar okular, “…si një dëshmitar i brezit tim të konsumuar nga errësira, i zemëruar e i përbuzur”; unë fola si “dëshmitar i persekutimit të bashkëkombësve të mi të izoluar, që përballuan një fat, nga i cili nuk mund të shkëputen, dhe njëkohësisht si një dëshmitar i shpirtmadhësisë së tyre që u ngrit nga zjarri infernal që përpiqej të asgjësonte viktimën…”. Fola si dëshmitar i fisnikërisë shpirtërore të gjithë atyre që, duar-thatë, përballonin tiraninë komuniste që ushtroi më shumë dhunë se nevojitej për të na asgjësuar…! Atë ditë në San Francisco shumë pyetje u sollën në kokën time. Shumë viktima nuk e humbën besimin në Zot, edhe kur shpata varej mbi kokat e tyre. Por a kemi zbuluar  kuptimin e thellë të vuajtjes pa faj? A kemi krijuar “kulturën e vuajtjes” së qëllimshme e thellësisht të pranuar? Sepse vuajtja pa qëllim është idiotike. Çfarë duhet të bëj një i pafajshëm, i dëshpëruar e i përbuzur në jetë? Vetëvrasje? Këto pyetje më mundonin në atë ditë përkujtimi…dhe vazhdojnë, edhe sot! Për fat të mirë, erdhi zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri: shpresa e ushqyer me besim. Tashti dëgjohet kambana e kishës përsëri; dhe përsëri muezini thërret besimtarët për adhurimin e Zotit. Sot, shqiptarët luten, meditojnë, shpresojnë përsëri. Sot, po zbret vala e vuajtjeve që urrejtja krijoi në marrëzinë e vet dhe shpresojmë se do të zëvendësohet me një frymë të re, të heshtur, por plot gjallëri, me mirëkuptim, por pa harrur të kaluarën. Sot, ish të persekutuarit kanë përbuzur hakmarrjen, një fitore morale shqiptare me përpjesëtime historike, e  që këput zinxhirin e hakmarrjes. Sepse falja e fajit, ka zanafillë hyjnore, është karakteristikë e shpirtmadhësisë dhe ky është një ogur i mirë,  një shpresë e re që shoqëria shqiptare  ka vendosur mospërsëritjen e tragjedisë së kaluar. Sot, Kisha Katolike shqiptare, viktima kryesore,  deklaron: “Ne, nuk gjykojmë!”

Nga qelitë e errëta të torturës dhe nga kampet e vdekjes ish-komuniste të Shqipërisë sime të martirizuar, një botë e re përpiqet të lindi, një shoqëri e re po ngrihet, një brez i ri po rritet për t’i dhënë formë një të ardhme më të mirë për vete dhe për prindërit e tyre, që sot vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes. Feja tradicionale po tregon se nuk është vjetëruar dhe se mendimi shkencor nuk ka pasur sukses për të na kuruar nga dëshpërimi ekzistencial. Një hap cilësor…! Nga forma feminore e besimit, nëpërmjet vuajtjes, shqiptarët po hyjnë në burrërimin shpirtëror. Shqipëria duhet të jetë e gatshme për një eksperiencë,  fetare ndoshta, por kuptimplote që, unë shpresoj, do të jetë një element dominues, e do t’i japë formën më njerëzore shoqërisë sonë shqiptare. Martirizimi i klerit shqiptar dhe sidomos i klerit katolik, nuk mund të jetë i paqëllimshëm. Por, sakrificat e tyre do të njohin vlerësimin e tyre të plotë dhe mirënjohjen e përhershme vetëm atëherë, kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyre do të pasurojnë mendimin tonë dhe do të udhëheqin veprat e bashkë-atdhetarëve të tyre në të ardhmen. Kështu mendova unë në vitin  1991 në San Francisco, me hapjen e Shqipërisë për botën e jashtme. Kështu mendoj edhe sot….por me një siguri më të vogël. Indiferenca për të kaluarën tonë tragjike që unë dëshmoj, burim kryesor i heshtjes  para krimit të kryer, ….me frikëson!  Faleminderit!

*Ish-i burgosur politik në Shqipërinë komuniste dhe në jugosllavinë komuniste.

  Ridgefield, CT, SHBA

13 shtator 2014