Rasim BEBO/S’ka Shqipëri pa Kosovë dhe Çamëri!

623
Sigal

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është krijuar në fillim të shek. XX si reaksion i synimeve anti shqiptare të Kishës dhe të shtetit grek. Më 1909 patriotët shqiptarë të Korçës kishin shpallur autoqefalin e kishës ortodokse, sepse një pjesë e madhe e patriotëve dhe nacionalistëve shqiptarë të besimit ortodoks ishin persekutuar nga ana e kishës greke dhe ishin vrarë, helmuar ose coptuar me sëpatë nga agjentët e saj. Këtë fat në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX e kishte pësuar Papa Kristo Negovani, që kishte kthyer kishën ne gjuhën shqip dhe shtëpinë në shkollë shqipe ku mësonin 100 nxënës. Më 10 shator 1905 erdhi në Negovan dhespoti i Kosturit, Karavangjeli, Papa Kristua si zakonisht e tha meshën shqip dhe dhespoti i egërsuar e mallkoi “mos të gjet e nesërmja”, urdhëroi bandën (çetën) e Jan Bullatës, brënda 24 orëve të vriste 25 veta. Vrite Papa Kristo me të vëllanë e të tjerë duke ua çarë kokën me sëpatë. Kështu e pësuan: Petro Nini Luarasi, Naum Veqilharxhi, At Stath Melani, Spiro Kosturi, Pandeli Sotiri e të tjerë. Më 8 mars 1908 u bë mesha e parë në gjuhën shqipe nga Fan Noli. Konica thotë: “Dita që Fan Noli këndoi meshën e parë në gjuhën shqipe ka qenë pikë kthimi historik i rilindjes kombëtare. Ne nuk duhet ta harrojmë dhe nuk duhet të lëmë të tjerët ta harrojnë”. Sevasti Qiriazi Dako njofton se në tetor 1913, kur anëtarët e Komisionit (të kufirit) shkuan nga Korça në Manastir, ajo u takua me z. Bilinski përfaqësues austriak, që ta informonte për strategjinë greke. Z. Bilinski u propozoi kolegëve të tij të bënin një shëtitje në qytet. Kur hynë në oborrin e shkollës greke, hodhi në mes të fëmijëve që luanin një grusht me monedha. Ata u hodhën qe t’i kapnin dhe nga hutimi, harruan greqishten dhe folën shqip, në gjuhën amtare. Kjo ishte e mjaftueshme për të bindur Komisionin. Elpiniqi Frashëri, ka përshkruar propagandën helenizuese që zhvillonin në shkollat greke: Çdo ditë në shkollë ushtrimet fillonin me pyetjen që i bëhej secilit. “Çfarë je ti ?” përgjigje: “unë jam një i krishterë ortodoks grek”. Ajo kujton vizitën e princit grek në Përmet pas luftës Ballkanike. Ai doli në ballkon dhe vështroi një det të tërë me fëmijë që këndonin këngë greke dhe mbanin një shirit në krahë të qëndisur me shkronja greke “Etnosis i thanatos” që do të thotë “Bashkim ose Vdekje”, të gjithë me një flamur grek në dorë, të sjellë nga Greqia. Fund e krye propagandë. Frashëri përshkruan: vizita e Komisionit Ndërkombëtar në Ersekë për të përcaktuar karakterin grek ose shqiptar të popullsisë. Edhe këtë radhë nxënësit e shkollave u mblodhën turmë para ballkonit të tyre, duke kënduar këngë greke. Anëtari austriak i Komisionit u hodhi fëmijëve nga lart një grusht me monedha. Befas kënga ndaloi dhe e vetmja zhurmë, që vinte natyrshëm, ishin fjalët shqipe që shqiptonin fëmijët duke shtirë njëri-tjetrin, teksa përpiqeshin të kapnin sa më shumë monedha. “Kjo”, tha austriaku, “vërteton identitetin e vërtetë të njerëzve. Komisioni u pajtua me të. Mirëpo vazhdon Frashëri: Kur u bë e qartë se krahinat tona me të drejtë do t’i mbeteshin shtetit shqiptar, fshatra të tëra të Shqipërisë së Jugut u bënë shkrumb e hi gjatë tërheqjes së trupave greke. Me pak fjalë, kjo ishte gjendja në kohën   shpalljes pavarësisë. Në Shkodër vritet komandanti i garnizonit Hasan Riza Pasha, 4 prill 1913, nga tradhtari Esat Toptani, kundrejt një shpërblimi, i dorëzoi kalanë e Shkodrës malazezëve, kurse trupat e veta i tërhoqi në Tiranë. Me 13 maj Shkodra u pushtua nga një ushtri ndërkombëtare, në kalanë e saj u vendosën pesë flamur të Fuqive të Mëdha. Forcat serbe vazhdonin terrorin në pjesën veriore. Kalaja e Janinës u dorëzua grekut nga komandanti i saj tradhtari Esat Pashë Janina më 6 mars 1913, tre muaj pas shpalljes pavarësisë. Pas një jave më vonë pushtuan Gjirokastrën dhe Përmetin. Kjo ishte gjendja e mjeruar e Shqipërisë në kohën e pavarësisë. Me 1990, duke shfrytëzuar vakumin e krijuar në 23 vitet e ateizmit shqiptar, kisha ortodokse greke me mbështetjen e Patrikanës së Stambollit dhe të pranimit nga presidentit Ramis Alia, dha  vendimin tek hotel “Tirana” nga grekomanët e vjetër e të rinj si dhe nga shpura e ardhur enkas nga Athina  për këtë punë. Vendosja Janullatosit në krye të KOASH-it, është më fatalja e veprave antikombëtare të kryera në këta 100 vjet jetë të shtetit tonë nga politikanët shqiptarë. Në ndryshim nga peshkopët grekë para tij, që vranë individin, peshkopi i këtyre dy dekadave po vret kombin. Ka luftuar ashpërsisht e egërsisht për të çbërë Nolin, kishën noliane dhe gjuhën shqipe. Ka ngritur kisha të panumërta me stilin grek, si klerik grek në krye të KOASH, ka vepruar qëllimisht për të identifikuar si grek qoftë kishën, qoftë besimtarët ortodoksë shqiptarë. Në Greqi, në Europë apo në Amerikë, Janullatosi prezantohet si kreu grek i kishës ortodokse “greke” dhe i besimtarëve ortodoksë “greke” të Shqipërisë. Nuk lë rast pa marrë pjesë në inaugurimin e çdo investimi grek, bankave greke, shkollave greke, ndërmarrjeve greke, spitaleve greke, në varrezat greke me kufoma shqiptarë, bënë dhe mesha për ta. Janullatosi është autori i krimit të kobshëm të zhvarrosjes së kufomave burra gra e fëmijë dhe kontrabandimit të eshtrave tyre si eshtra të ushtarëve grekë. Janullatosi nuk pati frikë as nga ligji shqiptar, as nga Perëndia e as nga kanonet e Kishës së Shenjtë. Grigor Nisani thotë: “zhvarrosja dhe trazimi i eshtrave konsiderohet njëlloj me vrasjen. Shkrimtari Agolli tha: “…Të ngrihesh për të nxjerrë eshtrat, është si ajo puna e fantazmave që kemi lexuar nëpër romane, të cilat nuk i besojmë se ekzistojnë. Po ja që këto fantazma u ngritën e shëtisin në këmbë në Kosin në shekullin XXI… Një veprim i turpshëm e i frikshëm, i padenjë për asnjeri… Është një veprim që më shtie edhe mua frikën. Tani që jam 75 vjeç shqetësohem se mos na i shesin kockat”. (Gazeta “ILLYRIA” 6 qershor 2006, f. 30). Janullatosi nuk shprehu asnjë keqardhje në vitin 1999 kur kriminelët serb të Milosheviçit masakronin popullin shqiptar të Kosovës. Përkundrazi ka shprehur solidaritetin me kishën serbe dhe me klerikët serbë. Mitropoliti i Beratit Ignati deklaroi në ceremoninë e shugurimit të kryepeshkopit të ri serb, Ireneut, se “Besimtarët shqiptarë ishin me popullin serb gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999” dhe se Kosova është Jerusalemi i Serbisë”! E keqja është, pasi uzurpoi vetë fronin, Janullatosi u kujdes që të mbushë me klerikë grekë edhe Sinodin e KOASH-it., ai emëroi edhe dy mitropolitë të tjerë grekë, atë të Beratit e të Gjirokastrës, duke betonuar raportin 3 me 1 në Sinodin e Kishës. Me këtë ai ka vulosur të ardhmen e drejtimit grek të KOASH-it edhe pas vdekjes së tij. E ndihmoi Berisha me ligjin e ri të 2008, i cili fshiu të gjitha paragrafët e ligjit të komunitetit fetar të vitit 1929 edhe ato të vitit 1952, ku ndalohej fronëzimi i klerikëve të huaj si dhe kryerja e veprimtarive antikushtetuese e anti shqiptare nga ana e klerikëve të çdo besimi. Janullatosi kërkon shqiptarë të vdekur për të mbushur sarkofagët, dhe shqiptarë të gjallë për të shtuar minoritetin grek në Shqipëri sipas kriterit të Athinës zyrtare me “vetëdeklarim”. Qeveria jonë tradhtare, fshehurazi bën marrëveshje për kufirin detar dhe për hapjen e shkollave greke në Himarë  dhe në Korçë dhe me paturpësi mbyll shkollën e “Vashave” në Korçë e krijuar nga motrat Qirjazi më 1891 dhe mbyll shkollën 9 vjeçare të Boboshticës e krijuar me 1916 dhe sholla të tjera përreth, që nxënësit të shkojnë te shkolla greke 9 vjeçare “Omiros”. Shkollat e fshatrave të komunës së Konispolit “vazhdojnë të jenë për “meremetim”, nxënësit vinë e i marrin furgonat dhe autobusët grek dhe vazhdojnë mësimet në Filat dhe Janinë, e fillojnë mësimin me himnin grek dhe me përshëndetje “Kalimera” dhe e mbarojnë po me përshëndetje “kailispera”. Mësojnë një histori të shtrëmbëruar dhe Janullatosit synojnë t’i konvertojnë në grek. Rrënohen ndërtesat monumentale të figurave të mëdha të rilindjes si, Naim Frashëri dhe në të bëhet kisha greke. Ndërsa në Korçë, u gjet një mëngjes gurë mbi gurë shtëpia muze e flamurit dhe e Themistokli Germenjit. Hapen pesë vende të quajtura “mauzelume” të ushtareve grekë me kufoma shqiptarësh, nga Bularati në Dropull deri në Pogradec, që vinë nga Greqia për pelegrinazh, sa duan dhe kur duan, për ta kufiri është i hapur dhe për ne shqiptarët kufiri është kurdoherë i mbyllur, bile të çjerrin dhe pasaportën, se për ta Çamëria nuk ekziston. Dhe për të gjitha këto qeveria shqiptare dhe Akademia e Shkencave heshtën. Kështu i nderuar lexues, Janullatosi i sotëm vret kombin shqiptar dhe ne brohorasim për këtë 100 vjetor të pavarësisë, kur Shqipëria kalon një dhimbje shumë të madhe. Kuptohet se drejtimi i shtetit është bërë dhe vazhdon të bëhet vetëm nga një klasë politike. Nga klasa komuniste që sundoi barbarisht 45 vjet dhe ajo që erdhi e “gatshme” me kostumin demokratik po nga shoqëria komuniste, kjo i afron me grekun dhe serbin në emër të internacionalizmit proletar, në dëm te kombit shqiptar, si e përcakton Mit’hat Frashëri: “Rrëmbejnë kazmën e i bien themelit për ta shkatërruar. Kur dy parti PD e PS grinden dhe nuk merren vesh as në festën e 100 vjetorit të pavarësisë. Kjo katrahurë e organizuar mirë i jep kënaqësi guvernatorit Janullatos. Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar. Mit’hat Frashëri thotë: “Partia nacionaliste Shqiptare ka për detyrë të ruajë, të vlerësojë trashëgimet e gjyshërve duke i lënë si trashëgim për stërnipërit, në një gjendje më të perfeksionuar dhe më të përmbaruar”. Mbartësit e kësaj sot janë: Lëvizja “Kuq e Zi” dhe “Vetëvendosja”.