Abazi mbeti legjendë te populli me heroizmin e vet

1276

 69 vjet nga vrasja e  “Hero i Popullit” Abaz Shehu, rrëfen bashkëluftëtari  Resul Bedo

 Nesër, më 2 dhjetor mbushen 69 vjet nga rënia në betejën e Gjormit, e “Heroit të Popullit” Abaz Shehu. Një djalë i lindur në Bënçë të Tepelenës, në 1905, Abaz Shehu u bë një legjendë për së gjalli, e luftës së popullit të Tepelenës kundër fashistëve e nazistëve, por mbeti edhe legjendë në vargjet e popullit, me aktin e tij heroik të rënies në fushën e betejës. Abaz Shehu suferinë/mbi fashizmin bën kërdinë.

Heroi në kujtimet e veteranit Resul Bedo

“ Edhe kockat i lëvizin “Heroit të Popullit”,  Abaz Shehut, kur flitet se do të lëvizin nga sheshi i Tiranës, mësuesin e tij Avni Rustemin. Abaz Shehu u betua mbi varrin e  mësuesit të tij, atë ditë që e përcollën, se amanetin do t’ja mbante pishtar në zëmrën e tij. Ai amanet e gatoi Abaz Shehun”,- thotë me mall veterani 86 -vjeçar Resul Bedo.

– Mençuria e Abaz Shehut është se gjeti mënyrën si të afrohej me fshatarët e t’i bindte që të përkrahnin luftën nacionalçlirimtare,- thotë veterani Resul.- Sot askush nuk e ka parasysh atë kohë, derisa thonë që të gjithë partizanët ishin komunistë. Unë do t’ju them vetëm një shembull. Tepelena asokohe kishte 26 teqe dhe vetëm njëra teqe, e Baba Qamilit,  prej tyre u bë bashkëpunëtore me armiqtë. Fryma e Abaz Shehut ishte e veçantë, se kishte zotësinë që të afronte popullin rreth luftës. Si një njeri i mençur, Abazi, vlerësoi atdhedashurinë e bektashinjve. Shembulli është te Teqeja e Rabijes, Babai i saj ishte Baba Abazi, i cili u lidh me luftën. Baba Abazin e vranë, së bashku me gjithë dervishët. Akuza ishte se Teqeja ishte bazë e luftës. Nga ana psikologjike, Abazi dinte të kapte në rrënjë te fshatarët ndjenjën e patriotizmit e traditën e tepelenasve. Kur u formuan çetat e para të Tepelenës, Abazi u vuri emrin  çeta e Selam Musait, çeta e Ismail Kasos. Këto çeta partizane, nuk kishin emra komuniste, por morën emrat e heronjve popullorë, që populli ta ndjente çetën pjesën e vet të lavdisë, të heroizmit, të qëndresës, të burrërisë, të patriotizmit e atdhedashurisë. Ja, pse lufta u bë pjesë e popullit. Abaz Shehu,  nuk e bëri fshatarin partizan me urdhër, apo me detyrim, por i shkonte në çdo familje, u kapi ndjenjën e zëmrës. Tepelena, që nga Lufta e Vlorës, më 1920, ishte atdhedashëse, ndaj edhe batalionit të parë, Abaz Shehu, i vuri emrin “Baba Abazi”. Pse e vuri këtë emër?  Abaz Shehu donte t’u thoshte popullit se lufta është për ju, për ato ideale që luftoi dhe u vra Baba Abazi. Kënga  e kishte bërë luftën dhe vrasjen e Baba Abazit legjendë për fshatarët: Pa dëgjoni o shqiptarë/ Në Rabije seç u bë/ Vranë Babanë e dervishët/ Si në Qorbela u bë/  E vranë Baba Abazë/ Se i gjetën Radionë / Se fliste Londrënë. Asokohe, të mos harrojmë, se populli 90 % ishte analfabet dhe shumica e partizanëve nuk dinin fare për komunizmin. Por populli doli partizan i ndezur peshë nga flaka e atdhedashurisë, se nuk mund të duronin armik në vatanin e tyre.

Abaz Shehu lindi që të bëhej patriot

Abaz Shehu nuk u bë rastësisht legjendë, qoftë sa ishte gjallë, qoftë edhe me rënien e tij heroike, thotë veterani Resul Bedo. Në vitet e moshës më të re, Abazi lumturohej kur dëgjonte fjalët e mësuesit të tij, Avni Rustemi, sepse Avniu e konsideronte Abazin edhe si një shok e bashkëluftëtar. Abazi mori pjesë në asgjësimin e garnizonit të ushtarëve pushtues italianë në Tepelenë , në 1920. Sulmi në Tepelenë ishte prologu i Epopesë së Luftës së Vlorës dhe prova e parë e llogores për Abaz Shehun. Armik i rrëgjimit të Zogut, u bë pjesëmarrës në Lëvizjen Demokratike në revolucionin e 1924-s.  U burgos nga regjimi i Zogut.

Portreti luftarak i “Heroit të Popullit” Abaz Shehu

Abaz Shehun e nxorën llogoret e luftës, atë e rriti fusha e betejës. Llogorja, aty ku ndodheshin mes flakës të luftës e të papriturave, ku kërkohej në një kohë gishti dhe mendja., ku kërkohet guxim e mençuri. Këto veti i kishte  të përkryera Abaz Shehu. Në fushën e betejës, provohen burrat, në fushën e luftës provohen aftësitë e komandantëve, aty vihen në provë trimat. Kishte me vete një popull të tërë, që kur jepej sinjali me pesë pushkën e një bombë, linin qetë të mbërthyer në parmendë, dhëntë në shtrungë, e rrëmbenin armët. Llogorja që nisej me 200 luftëtarë, fuqizohej në betejë e sipër. Abaz Shehu u bë mjeshtër i pritave, mjeshtër i goditjeve në befasi, mjeshtër i sulmeve dhe kundërsulmeve, por mbi të gjitha , mjeshtër të taktikës së luftës partizane.

Beteja që e sprovoi Abaz Shehun komandant në luftë

Në qershor të 1943, batalioni “Baba Abaz” i drejtuar nga Abaz Shehu, zhvilloi luftime për 7 ditë me radhë në Qafën e Maricës, kundër një regjimenti fashist, të pajisur me artileri e aviacion, që kryente operacione në krahinën e Vrikollit të Tepelenës dhe në atë të Mallakastrës. Fashistët u detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha. Partizanët kapën edhe një shumë të madhe artilerie, që e përdorën më vonë me sukses kundër fashistëve.  Përdorimin e artilerisë, partizanët e mësuan në luftë e sipër, por Abazi ishte edhe ushtarak i përgatitur.

Përcjellja e frymëzimit te partizanët

Në luftën nacionalçlirimtare, frymëzimi i përcjellë midis partizanëve- thotë veterani Resul Bedo- ishte flaka që ndizte çdo partizan. Ra Asim Zeneli, po frymëzimi i tij u përcoll te partizanët, kur u krijua batalioni që mori emrin e tij dhe partizanët ndjenin se luftonin edhe për shokun e tyre të vrarë. Sepse, luftonin me emrin e tij në ballë. Ra Abaz Shehu, krijohet batalioni me emrin e tij dhe partizanëve u dukej se luftonin të ndriçuar nga heroizmi i dëshmorit në luftë. Në 12 dhjetor u nda batalioni “Asim Zeneli” dhe u krijua batalioni “Abaz Shehu”. Ata partizanë, që kishin luftuar bashkërisht me komandant Abaz Shehun, do të luftonin tani me emrin e tij. Çfarë frymëzimi ndjen secili partizan, në ato çaste.  Ato ditë, që ra Abaz Shehu, ishte marrë vendimi që Abazi do të bëhej komandant i Brigadës V S. Shefqet Peçi merr detyrën e komandantit të rënë Abaz Shehu. Çfarë emocioni ndjen kur merr detyrën e shokut të vrarë! Të duket se i merr në duar ëndrrën që shoku i vrarë nuk e arriti. Kjo të shtonte flakën që të luftoje më me urrejtje armikun. Kjo flakë frymëzimi përcillej që nga partizani më i thjeshtë e deri te komandanti.

Rëna në betejë e Abaz Shehut

Në dhjetor të 1943 forcat partizane zhvillonin luftime kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në krahinën e Mesaplikut, në kuadrin e operacionit të dimrit , që kishin shpallur nazistët. Abaz Shehu drejtonte forcat partizane në betejën e Gjormit, pasi ishte komandant i Grupit të Vlorës. Lajmi i vrasjes të një partizani në një kodër, karshi Gjormit e tronditi Abaz Shehun. Luftohej mbi dëborë., në shi dhe në erë. Armiku mblodhi forcat dhe u turr mbi partizanët që t’i shkatërronte dhe në të vërtetë ecte përpara, ndërsa partizanët po tërhiqeshin. Por nga kodra, ku prej dy orësh ishin larguar partizanët, u dëgjua një mitraloz që qëllonte mbi nazistët. Komandanti Abaz Shehu, kur partizanët ndodheshin në rrezik, kishte marrë mitralozin dhe u kishte dalë nga mbrapa gjermanëve. Partizanët, morën iniciativën dhe u sulën përpara. Komandanti Abaz Shehu, kishte mbetur  i gjakosur nga plagët që kishte marrë. Më në fund, kur pa partizanët që bënin përpara, mundi të thotë: “Ja, e morëm prapë kodrën dhe deshi të ngrihej, por ra pa ndjenja, mbi gurët e përgjakur.

Trakti partizan për vrasjen e Abaz Shehut

Abaz Shehu i dhuron jetën e tij heroike Atdheut

Në tokën kreshnike të Mesaplikut, në luftë kundër gjermanëve e tradhtarëve të Ballit Kombëtar, Abaz Shehu fali jetën e tij të ndritur Atdheut dhe i ngriti popullit shqiptar një përmendore ku do të shkruhet me shkronjat e arta: “Kështu vdesin burrat për çlirimin e Atdheut”