Prof. Dr. Shenasi Rama/Mbi konceptin e bërthamës së Kombit shqiptar

559
Sigal

Këto ditë duke ndjekur me vëmendje shkrimet e kolegëve, ndër të tjerë Grid Rroji, Valbona Karanxha, Artian Gjataj dhe Ledjan Prifti, shihet qartë dhe bindshëm se ka një numër pozicionimesh të guximshme, por, njëkohësisht, edhe realiste në lidhje me gjendjen e kombëtarizmit shqiptar. Ndër këto probleme që po diskutohen është edhe ai i qendrës së kombit shqiptar. A kanë kombet bërthamë apo qendër? Si duhet konceptuar ajo? A kanë shqiptarët një bërthamë kombëtare? Ku gjendet ajo? Më së fundi, një pyetje tjetër është se, a do të ketë influencë politike, apo jo? Këmbanat bien për ata që duan me dëgjue dhe diskutimet bëhen me ata që dinë, prandaj kjo temë duhet trajtuar me vëmendjen që meriton.
Bërthama e Kombit
Çdo shtet-komb ka një sintezë sigurie, e cila e ndihmon me zgjidhë problemet ekzistenciale dhe të identifikimit si komb në rregullin e një shteti të caktuar. Kjo sintezë sigurie ofron edhe sjelljet e pranueshme e të moralshme, praktikat e politikat që duhen ndjekur, për të arritur objektivat, që kombi dhe shteti i konsideron jetike. Njerëzit që i ndjekin me parësi këto praktika sjelljeje, që besojnë tek sinteza e sigurisë kombëtare, që identifikohen me shtet-kombin dhe që punojnë për të mirën e në shërbim të shtet-kombit, janë bërthama e kombit. Këta janë kombëtaristë. Bërthama e kombit është pikërisht ky grup njerëzish, që mund të vijnë nga rrugë e nga përvoja të ndryshme, por që bëhen bashkë nga identiteti i përbashkët dhe lidhja ekzistenciale që kanë me shtet-kombin. Ky grup njerëzish, që kërkon që të ndërtojë shtet-kombin në bazë të një botëkuptimi të caktuar dhe që janë aktivistë e militantë politikë, janë bërthama e kombit, rreth të cilëve do të mblidhen për shumë arsye edhe të tjerët. Kjo po ndodh edhe me ne.
Disa dallime përkufizuese
Kombëtaristët shqiptarë nuk janë të lidhur ekskluzivisht për gjuhën, që kanë folur e për gjakun që kanë trashëguar, sa janë të lidhur për bindjet në shërbim të kombit e për lidhjen e tyre me shtetin. Me kenë kombëtarist është me kenë diçka krejt ndryshe prej origjinës thjesht etnike. Pra, mund të flasësh shqip, mund të jesh shtetas shqiptar, mund të kesh origjinat më të pastra që mundet me pasë dikush si shqiptar dhe prapë mund të mos jesh pjesë e kësaj bërthame kombëtare. Zerva ka qenë shqiptar, siç ka qenë Karagjergji apo Ballaban Pasha, siç kanë qenë edhe shumë të tjerë, që në kohë kanë punuar me ngulm kundër vetë shqiptarëve. Ka shumë shqiptarë, që janë bërë të famshëm në shërbim të kombeve, të shteteve e të ideve të huaja, mirëpo nuk janë kombëtaristë. Në fakt, ka shumë prej tyre që janë të huaj për kombëtarizmin shqiptar. Sepse kombëtarist e shqiptar është ai që kur i gjykohen veprimet, njeriu mund të thotë pa mëdyshje se i shërbenin shtet-kombit të shqiptarëve. Prandaj Adem Jashari është një hero kombëtar. Prandaj edhe zonja e Hasan Prishtinës, e cila ishte me origjinë hebreje, është pjesë integrale e kombit shqiptar.
A ekziston një bërthamë kombëtariste ndër shqiptarët?
Përgjigjja e shkurtër është se ekziston. Mirëpo ajo ekziston në Kosovë e Iliridë. Pse? Po ja, përgjigja, duke u mbështetur tek ky përkufizimi që ofrova, është se në Kosovë e Maqedoni ekziston një sintezë sigurie, e cila mbështetet fuqimisht tek sinteza e sigurisë së një shtet-kombi shqiptar. Të gjithë partitë politike shqiptare janë me orientim kombëtarist, në qendër të vëmendjes së mjaft prej tyre është shtet-kombi dhe politikat që propozojnë, e rruga që ndjekin, shpeshherë mund të duken absurde nga jashtë, por janë në kohezion me sintezën e sigurisë kombëtariste shqiptare, që e sheh shtet-kombin shqiptar si të paevitueshëm, si të dëshirueshëm e si të pashmangshëm. Ndryshojnë taktikat se si mund të zgjidhet si problem, por në nivelin e diskursit politik, kjo sintezë e sigurisë kombëtariste nuk vihet shumë në diskutim.
Aq më shumë që ekziston një masë e konsiderueshme shqiptarësh që mbështesin platforma të tilla kombëtariste dhe që punojnë intensivisht për arritjen e këtyre objektivave. Këta nuk janë në Tiranë, por janë në Kosovë në Iliridë. Prandaj edhe qendra e kombit është Kosova që ka shtet, por ka mbështetje shumë të fortë tek shqiptarët e Iliridës. Sepse kombëtarizmi është një ide që përqafohet nga njerëzit, bërthama e kombëtarizmit është atje ku ekziston një masë kritike njerëzish, që jetojnë e punojnë për arritjen e objektivave që dalin nga sinteza e sigurisë kombëtariste.
Një paradoks themelor
Paradokset janë të shumta dhe nuk besoj se duhet të analizohen të gjithë këtu. Megjithatë, paradoksi kryesor këtu është fakti se shteti shqiptar është një shtet i krijuar për shqiptarët, mirëpo që nuk është në shërbim të shqiptarëve. Për arsye historike që të gjithë i dimë, dhe që ndoshta me kohë ia vlen që t’i diskutojmë, brenda shtetit shqiptar sundon mendësia e parisë, që kërkon sundimin e shtetit për interesat e veta, si shtresë dhe që e lufton me të gjithë mënyrat kombëtarizmin. Jashtë shtetit shqiptar, ekzistojnë pari sunduese, por ekziston edhe një elitë e zgjedhur, që mbështetet në popull e në struktura të forta politike-shoqërore, janë në shërbim të një sistemi vlerash dhe që punojnë për arritjen e qëllimeve politike, që shtron sinteza kombëtariste e sigurisë së shqiptarëve.
Dilema politike
Ky është paradoksi i vërtetë ekzistencial i shqiptarëve dhe prej tij buron edhe dilema ekzistenciale politike e jona, si shqiptarë. Ne jemi një komb, shtetin e të cilit e mbajnë peng një grusht banditësh, që nuk kanë asnjë vlerë e që nuk ka përkasin si komb, njëlloj si qelbi, që duhet shtrydhur nga plaga. Prandaj edhe përplasja që duhet të ndodhë, e që është e pashmangshme, sepse dështimi i parisë së Tiranës, të Prishtinës e të Shkupit janë të pashmangshëm, është midis këtyre dy botëkuptimeve të mbështetura në dy sinteza sigurie të papajtueshme njëra me tjetrën. Ose do të shtrydhim qelbin, parinë e Tiranës dhe të kryeqyteteve të tjera dhe të shërohemi e të bëhemi një shtet-komb normal, ose do të vazhdojë ky proces gangrenizimi e qelbëzimi që mban si model pikërisht parinë e Tiranës. Pra, dilema është hiç më pak se historike dhe njerëzit, që duan të bëjnë veprimin e duhur, duhet të mendohen mirë se a duan të jenë pjesë e historisë së shqiptarëve, apo pjesë e fatkeqësisë së tyre.