Spartak Topollaj: Futbollistë të Përfaqësueses të Shqipërisë, apo të Përfaqësueses të Partisë dhe Qeverisë ?!…

Pas një muaji, saktësisht më 14 Maj 2023, në Shqipëri do të zhvillohen Zgjedhjet për Pushtetin Vendor, të cilin socialistët, duke përjashtuar Shkodrën, Rozafën e pamposhtur antikomuniste të Demokracisë, e morën të tërin në Zgjedhjet e mëparshme lokale. E meqënëse i kanë të gjitha pushtetet, dhe shefi i tyre, është ashtu siç pat thënë dikur Mehmet Shehu për Enver Hoxhën, Kryetar i të gjithë Presidiumeve në Shqipëri, nuk mund të përjashtohen as sportet, ku pas çdo suksesi, për propagandën rilindase, qëndron përherë “kryetrajneri” Rama?! Duke vlerësuar lartë sakrificat e sportistëve tanë të çdo fushë, si edhe duke u gëzuar me gjithë zemër për çdo sukses të tyre, brenda vendit, apo në garat e veprimtaritë ndërkombëtare, nuk ka se si të mos bjerë në sy, keqpërdorimi për shou dhe propagandë, i arritjeve dhe sukseseve të tyre ! Këtu, nuk është fjala vetëm për ekzibicionin, që me aq zell shfaq Rama, për vënie spaleta kolonelësh, mbi supet e brishta të shtatë prej sportistëve tanë, kur ata kanë shumë më tepër nevojë për kushte stërvitjeje dhe mbështetje financiare, që të mos marrin “arratinë” në syrgjyn, si atletja e shkëlqyer dibrane Luiza Gega, e cila, nuk e ka larg nga Lura e saj Malin e Korabit ( 2751 m.), por detyrohet të stërvitet deri në Afrikën Jug-Lindore, në Kenia, rrëzë malit Kilimanxharo, (5985 m. maja më e lartë e Afrikës, në kufirin Tanzaniano-Kenian)?! Dihet nga të gjithë, që për ne shqiptarët, sporti më i përhapur dhe më i parapëlqyer mbetet futbolli.

Është pikërisht për këtë, që mjeshtrat e propagandës zhdanoviane, neoenveristët socialistë, të cilët i ndjeri Arbnori, i quajti aq bukur “specialistë”, nuk kanë lënë rast pa humbur, për të keqpërdorur futbollistët e Përfaqsueses sonë, sa herë ato arrijnë rezultate të mira dhe fshihen, kur rezultatet e tyre janë të pakënaqshme! Por né, duhet të kujtojmë, të kuptojmë dhe të vlerësojmë së pari, rrugën e mundimshme drejt atyre sukseseve modeste, mes sakrificash deri sublime, të futbollistëve tanë, sidomos të Përfaqësueses sonë dhe jo Kombëtares Shqiptare, siç gabimisht e quanim për gati pesë dekada atë, teksa asnjë futbollist i saj nuk ishte nga rradhët e shqiptarëve të Kosovës, pra gjysmës tjetër të Kombit?! Ajo u bë Kombëtare, vetëm në Demokraci, kur studentët liberatorë me heroin Azem Hajdari, intelektualët dhe populli i revoltuar përmbysi regjimin karikaturë stalinist të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë në Dhjetorin e ‘90 -ës, dhe u rikthye përsëri me emrin Përfaqsuese e Shqipërisë, mbasi atëhere Kosova kish krijuar Përfaqsuesen e saj, ende pa u shpallur e Pavarur më 17 shkurt 2008 dhe u bë pjesë më pas e organizmave të futbollit Botëror, FIFA-s dhe UEFA-s, disa kohë  pasi ishte pranuar edhe në organizma e institucione të tjera Ndërkombëtare duke u njohur si e tillë, nga 115 shtete! Më 1946, Shqipëria fiton Kupën Ballkanike me plejadën e Boriçit, Demnerit, Gjinalit, Fagut, Spahiut, Llambit, Vathit, Mirashit, Parapanit, Telitit, Kavajës, Fakjas, dhe në fund italo-shqiptarit të madh Xhakomino Pozeli, të cilit, edhe pse hakmarrja primitive e diktatorit, ndaj refuzimit, që motra e tij e bukur Aurelia, i kish bërë Enver Hoxhës, i përfundoi në Burgun e tmerrshëm politik të Burrelit bashkëshorti italian, ku e vetëvranë, e megjithatë, ai e mbrojti portën tonë heroikisht, në Finalen e madhe me Rumaninë!

Mes çmendurisë së regjimit dhe izolimit absurd, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan mjaft futbollistë, shumë prej të cilëve madjé edhe u arratisën, apo tentuan ta bënin aktin e dhimbshëm të ikjes nga atdheu! Kështu Vathi, Kavaja, Vogli, e deri Bërsheni, Hoxha e Liçi etj etj! Shteti diktatorial dënoi me burg për vetëm 50 $, deri edhe qendërmbrojtësin më të madh, Skënder Halili. Merja, për të mos përmendur edhe shumë të tjere para e pas tij si Vogli, Vathi, apo u përpoq të poshtërojë dinjitozët, siç qe rasti i virtuozit të rrallë Mehxhit Haxhiu, nipi i personalitetit të madh atdhetar e demokrat Osmën Haxhiu, Kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që hodhi italianët në det më 1920 dhe Kryebashkiak i Vlorës?!!! Akoma edhe më idiot, ishte vendimi për të mos luajtur me skuadrat sovjetike, spanjolle apo izraelite, refuzim që u pagua me ndëshkime të rënda dhe me pasoja për breza të tërë sportistësh, sidomos futbollistësh, nga FIFA dhe UEFA?! Poshtërsia kriminale e regjimit karikaturë, kulmoi deri në vrasjen e disa prej futbollistëve, apo edhe sportistëve të tjerë, të cilëve iu mor jeta, nga pushteti i diktaturës enveriane të proletariatit, si Arjan Hoxha, Agron Kadri Hazbiu (Dautaj), apo Aleksandër Kondo! Siç e theksuam më lart, skuadrat tona të futbollit, por edhe vetë Përfaqësuesja, patën edhe arritje mes vështirësive të kohës. Kështu, “Partizani” ynë, dy herë rresht fiton medaljet e argjendta në turnetë e skuadrave të ushtrive “motra” të vendeve socialiste: Laipcig (RDGJ), 1958 dhe Hanoi (Vietnam), 1963. Për të parin, është folur dhe shkruar gjatë, e për dytin pak ose aspak?!

I vetmi që i ka kushtuar vëmëndjen e duhur Turneut të Hanoit, mbetet gazetari i shquar sportiv, Kryeredaktori proverbial i të vetmes gazetë sportive “Sporti Popullor, opinionisti objektiv, argumentues e pasionant i guximshëm dhe i talentuar, Besnik Dizdari. Kishte filluar epoka e Legjendës Panajot Thoma Pano, mik i jetës i imi, të cilit edhe ia dedikoj pasionin e madh timin për futbollin! Ky Turné u zhvillua më dhjetor të 1963, kur kish mbi dy vite, që buka e thyer mes Shqipërisë së vogēl socialiste dhe Bashkimit të madh Socialist Sovjetik (BRSS), ishte bërë fakt dhe nuk do të ngjitej më kurrë! Skuadrat e ushtrive “motra”, më të fortat e vendeve të tyre, si Dukla e Pragës, Legia e Varshavës, Honvedi i Budapestit, Vorëarts i Berlinit, CDNA e Sofjes, Steagul Roshu e Bukureshtit, dhe CSKA e Moskës, ishin plot me lojtarë të mëdhenj, e megjithatë né fituam ndaj shumë syresh njera pas tjetrës, deri në Finalen e madhe me sovjetikët e CSKA, ndaj të cilëve humbëm vetëm pas 120 minutave, teksa në shtesë na shënuan Oleg Pavloviç Kopajev dhe Grekov! Interesant, madje paradoks, mbetet fakti, se edhe pse prishja me sovjetikët kishte mbi dy vite që kish ndodhur, ende CSKA-ja e Moskës, konsiderohej skuadër e ushtrisë motër. (Stalini më 1952 e kish përjashtuar dhe shkrirë CSKA, pas humbjes turpëruese me skuadrën jugosllave të Titos, në Lojrat Olimpike të Helsinkit – Finlandë ) ?!!! Më pas, edhe pse s’kishte lënë gjë pa thënë kundër tij, Diktatori ynë paranoiak, Enver Hoxha, duke imituar Gjeneralisimin Francisco Paulino Hermenegildo Teódulo Franco y Bahamonde, Kaudillon e Spanjës, që kish urdhëruar më 1960 Përfaqësuesen spanjolle të mos luante me sovjetikët, mori vendimin absurd, të bënim edhe né, të njëjtën gjë si ata, vetëm se në listën e ndalimeve, shtoi edhe vetë Spanjën, Izraelin, e ndonjë shtet tjetër (SHBA, po se po), vendim ky, që pati pasoja të rënda me dënime afat gjata për skuadrat, sportistët dhe vetë Përfaqësuesen tonë !! Pavarësisht kësaj, futbollistët tanë të Përfaqësueses, treguan dinjitet në disa prej ndeshjeve më të rëndësishme ndër vite:

30/10/1963 Shqipëri – Danimarkë

NOA

24/11/1965 Shqipëri – Irlanda e Veriut.

17 /12/1967 Shqipëri – RFGJ

17/02/1971 Shqipëri – RFGJ

20/11/1983 RFGJ – Shqipëri

31/10/1984 Poloni – Shqipëri

22/12/1985 Shqipëri – Belgjikë

11/10/1997 Gjermani – Shqipëri

04/09/2004 Shqipëri – Greqi

22/03/2013 Norvegji – Shqipëri

07/09/2014 Portugali – Shqipëri

14/10/2014 Serbi – Shqipëri

19/06/2016 Rumani – Shqipëri

05/09/2021 Shqipëri – Hungari

09/10/2021 Hungari – Shqipëri.

Nuk ishte pak të eleminoje Gjermaninë e madhe të Shënit, nënkampione bote, pas asaj beteje historike me Anglinë në Wembley më 30 korrik 1966 ( 4 : 2 ) ! Ekipi ynë “Shpresa”, është shpallur Kampion i Ballkanit, dhe “Partizani” ka fituar Kupën Ballkanike, ka eleminuar “Advidaberg”, ka fituar me “Sëlltik”, “ Austrian” e Vienës etj etj, ka, barazuar me “ Norçeping”, “Këln” etj. Dhe Tirana e Myslym Allës ka barazuar me “Ajax“, kur ishte superklub i futbollit total, me të madhin Hendrik Johannes Cruijff, shkolla e Shtefan ( Ishtvan ) Kovaç dhe Marinus Jakobus Hendrikus Michels. Po ashtu, fitoi dhe eleminoi Dinamon rumune në Bukuresht. Flamurtari mahniti, befasoi dhe fitoi me Barcelonën e madhe të Zubizaretës, Linekerit dhe Shusterit! Vllaznia, Austrian e Vienës me Prohaskën, e më pas “Skënderbeu” e “Kukësi” , kalojnë ture Kupash Europe etj etj! Lista e futbollistëve dhe trajnerëve tanë të shquar, është e gjatë, por disa nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë kurrë! Maliqati , Jareci, Shllaku, Vaso, Bizi, Rragamët, Berisha, Memat, Jorgaqi , Jankët, Frashëri, Kasmi, Hyka, Bytyçi , Kaçi, Ndoja, Musta, Kola, Minga, Dibra, Zhega, Demollari, Zëri, Ballgjinët, Pernaska, Millo, Ruçët, Targaj, Kushta, Çipi, Lame, Braho, Kovaçi, Majaci, Toska, Cana Strakoshët, Berishat, Tare, Bogdani, Hysaj, Gjimshiti, Cikalleshi, Roshi, Uzuni, Broja, e shumë e shumë të tjerë, u shquan ndër vite, gjatë të cilëve, sakrifikuan jo pak! Boriçi, Alla, Spahiu, Gjinali, Rreli, Birçe etj, mbeten ndër trajnerët më të mirë e më të respektuar! Në nderin tonë është të vlerësojmë legjendat e gazetarisë sportive, Mazrekun, Bellovën e Shqarrin, por edhe Këlliçin, Striniqin, Grillot e Met’hasanin pasionant! E tani, lé t’i kthehemi idesë së titullit të këtij shkrimi: A duhet të pranojnë futbollistët dhe sportistët e skuadrave përfaqësuese, të përdoren si mall publiçitar, e sidomos të shërbejnë për reklama dhe spote elektorale televizive të forcave politike, kryesisht këto 10 vite të qeverisjes socialiste! Natyrisht, në pluralizëm politik demokratik, askush nuk të ndalon të jesh simpatizues dhe votues i një force politike, por kur jé futbollist i Përfaqësueses, duhet ta dish, se u përket dhe je i dashur nga të gjithë, ndaj Hysaj, Broja, aq më pak Loriku s’ka pse keqpërdoren nga dyshja Rama – Veliaj, për të mos folur për Taren, Drejtor té Lazio, i të djathtëve në Itali dhe fans i të majtëve të Ramës në Shqipëri, që merr deri edhe çarter, për të votuar Ramën, basketbollistin mediokër, rezervë të Dinamos, diplomuar për shkarravinizëm në ILA , paçka se vetë Tare, luajti me Partizanin dhe falë Demokracisë, bëri pará dhe famë në Gjermani e Itali ?! Mjeshtrat e propagandës zhdanoviane, apo shpërblyesit me lekët tona, të atyre që pranojnë të keqpërdoren, i duhet thënë mjaft! Ne i duam me shpirt e me zemër të gjithë ata futbollistë, që përfaqësojnë Shqipërinë, ndaj dhe mijra e mijra sportdashës, që mbushin shkallët e stadiumeve tona, përjetojnë emocione të forta, madje në këto mbi 30 vite demokraci, na u dha mundësia të ndjekim ndeshjet e tyre, edhe në stadiumet e Europës!

Kështu si një prej këtyre sportdashësve pasionantë, prej 65 vitesh rresht, nuk kam lënë ndeshje të Përfaqësueses sonë pa parë në stadium dhe pas 1990-s, me ardhjen e Demokracisë, shumë prej tyre, edhe nëpër Europë ! Kështu, nuk mund të mungoja në Stadiumin Qemal Stafa më 4 shtator 2004, në fitoren historike të djemve tanë të gjermanit të famshëm Hans Peter Briegel, mbi Greqinë e një tjetër po gjermani, Otto Rehhagel, Andonis Nikopolidhis dhe Angjellos Kharisteas, e porsashpallur kampione Europe, e po ashtu në Beograd, më 14 Tetor 2014, në betejën e fituar me drejtësi nga  djemtë tanë heronj të Xhani de Biazit, ndaj barbarisë serbe, histerisë dhe dhunës shovene në atë stadium ( “JNA”, apo “Partizan”), ku mrekullia e Sokol Kushtës me atë eurogol, më 30 shtator 1987, shuajti vullkanin e ultrasve serbë dhe kish eleminuar Partizanin e dy Fahrudinëve, Jusufi e Omeroviç, njëri trajner e tjetri portier !!! E kisha rreth 10 m. afër trojkën e “hiçëve” serbë në Tribunën VIP, Nikoliç, Vuçiç dhe Daçiç, që nxinin në fytyrë, teksa gjyqtari anglez Martin Atkinson, shpalli ndërprerjen e ndeshjes dhe akoma më afër supergangsterin Ivan Bogdanov, fare pranë djalit të madh, Danilos, të Vuçiçit (me gruan e parë Ksenijan), edhe ky, një prej ultrasve të Crvena Zvezdës dhe përfaqësueses serbe! E po ashtu, falë bujarisë së mikut tim të mirë e të veçantë, Bardhyl Hysenbelliu, bashkë me deputetin e PD-së, Gert Bogdani, vajtëm në Francë për Euro 2016, në evenimentin historik, pjesëmarrjen për herë të parë në një Europian të Shqipërisë , si edhe në Palermo, për ndeshjen me Italinë, më 24 mars 2017! Tashmë fushata zgjedhore u hap! Në të vërtetë, ajo u hap me tritol në Vaun e Dejës dhe me heshtjen absurde të Qeverisë, por në nderin e futbollistêve që përfaqësojnë Shqipërinë, është të kuptojnë, se ata nuk përfaqësojnë as partinë dhe as qeverinë!