Prof. Dr. Myslim Pashaj/ Ujqërit e masakrës së Pronës, që i mbron sistemi korruptiv i politikës

544
Sigal

Asnjë lloj denoncimi, sado të pastër e të vërtetuar në sy të bashkësisë, nuk ka marrë ndëshkim, vijnë rrotull dhe flasin me terma ligjore, duke gjetur vjega, në hapësira të tëra vitesh dhe në fund kthehen sërish, në të njëjtën pikë. Asnjë krim i ndëshkuar që nga ‘97-ta tmerruese, kur ish-ministri i Financave është po ai, që e solli Shqipërinë në greminën ekonomike dhe ish-Kryeministri ishte President i këtij vendi. Ja kush janë dy “zotërinj të ndershëm” në sy të shqiptarëve, që “krenarë” parakalojnë në krye të veprës së madhe të korrupsionit. Në dy dhjetëvjeçarë, pronën e shqiptarëve e kanë masakruar ujqërit, që i mbron ky sistem korruptiv dhe gjyqet e pronave vijojnë në të gjitha shkallët dhe breznitë vdesin, kurse Prona vijon të bëhet pengesa kryesore për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë të rilindur. Në këtë bashkëshoqëri të tmerrit brenda mbytjes “ligjore” është Hipoteka Shqiptare, sistemi i Ndërtimtarisë, ku planëzimi qytetor është një ngrehinë e shpërfytyruar e qytetërimit dhe me rrënjë korruptive, që nuk i shkul dot. Burimet natyrore që shfrytëzohen ndër koncesione nuk kanë asnjë panoramë të pastër, por një xhungël të zezë të korrupsionit, të cilin nuk e ndalon dot, sepse është lidhur kush e di se mesa fije nën galeri me shtetarë politikanë, të cilët bëjnë vetëm shfaqje. Ja vëreni Bulqizën: nuk ka ngecur synimi dhe punëtorët ngrihen në grevë, se ata janë bërë pjesë e korrupsionit. Ja vëreni fushat naftëmbajtëse, ku nuk dihet se sa naftë nxirret dhe ku shkon e sa fiton shteti, por çarja dhe llagëmi është më kriminal se kaq, shteti që mat tërmetet, mbron kompaninë e huaj, që të shpërthejë themelet e nëndheshme të hidrokarbureve dhe tund e shkatërron shtëpitë e katundarisë së varfër. Poshtë pellgjeve të naftës është korrupsioni. Ndërtimtaria e paligjshme e ka mbërthyer dheun e shqiptarëve, edhe pse u bënë ca hedhje në erë, ato do të ngecin sigurisht deri sa një Kryetar Bashkie s’po e çojnë dot në bankën e të akuzuarve. Korrupsioni është në dorën dhe prehrin e Sistemit të Drejtësisë. Sistemi i Doganave dhe i tatimeve, po kështu, “ka ligje të paligjshme”, me të cilat udhëkalojnë dhe shteti e taksapaguesit nuk marrin atë që duhet. Sistemi i Drejtësisë ecën në drejtim të kundërt të akrepave të sahatit të shqiptarëve. Ne kemi një shtet tjetër, që duhet ta përfytyrojmë, virtualisht ky është i shtrirë në të gjithë celulat, që nga: marrja e një shkrese, shtrimi në spital, që tek sahati i ujit dhe dritave, tek punësimi në arsim apo shëndetësi, në derë të Gjyqit e Hipotekës. Këto përbëjnë shtresën e parë të këtij ferri. Pastaj vijnë shtresa të tjera, Sistemi Drejtësisë, i cili ka frerët e ngecjes tragjike. Administrata qeverisëse, si vendore ashtu dhe ajo qendrore. Aty rilindin krimet që furnizojnë miniera, pasuri nafte, ndërtimtari, pronësi, arsim shëndetësi, sepse ata shenjtërojnë krimin e korrupsionin dhe ushqejnë Pandëshkueshmërinë.