Ahmetaj: 97% e shqiptarëve, përfitues nga taksa progresive, u kthehen 15 milionë usd

“Kush paguan më pak, taksohet më pak”, tha sot për mediat ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. “Pas tre muajsh, pasi dokumentoi gjithë situatën financiare dhe pas negociatave me FMN dhe BB, qeveria vjen me buxhet historik ku taksa progresive është lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Kjo taksë largon 10% taksën e sheshtë për 97% të shqiptarëve dhe kthen në konsum për këtë shtresë 15 milionë usd”, tha ai. Sipas tij, “nga janari 2014 qeveria po liron shtresat e mesme nga taksat”. Ministri Ahmetaj tha se “taksa prograsive është bekim për shtresën e mesme dhe në nevojë, pasi 338.872 individë të punësuar lirohen nga taksa nga 1 janar. Ata do të paguajnë më pak taksa dhe janë 15 milionë usd që përfitohen nga kjo masë për këto shtresa”. Më tej, ministri komentoi ndryshimet në përfitimin që do të kenë të punësuarit mes taksës së sheshtë dhe asaj progresive, që hyn në fuqi në datën 1 janar 2014. “Ndërsa me pagën 30 mijë lekë, me 10% taksë të sheshtë paguanin 3740 lekë ngarkese fiskale, me taksën progresive do të paguajnë vetëm 0,31% ose 95 lekë. Kjo masë kursen pagën e 13-të. Ne u rikthejmë 57% e të punësuarve të kësaj shtrese, që kanë pagat deri 30 mijë lekë pagë mujore, që do të paguajnë “0% ” taksë”, tha Ahmetaj. Sipas tij, një infermier i lartë me taksën e sheshtë paguante 4282 lekë, ndërsa me taksën progresive do të paguajë vetëm 1666 lekë, që  në përqindje taksa është vetëm 3,89%, dhe kursen 31.387 lekë në vit, ose dicka më pak se rroga e 13-të. Një mësues i shkollës se mesme me taksën e sheshtë paguante 5978 lekë/muaj, ndërsa me taksën progresive do të paguajë gati vetëm gjysmën e kësaj shume, 3571 lekë, me një kursim vjetor prej 25 281 lekë.

 Pr/Buxheti 2014, Presidenca kërkon më shumë fonde

Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani  i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarëve të grupeve parlamentare me një kërkesë, përmes së cilës kërkon rishikimin e fondeve të parashikuara për Institucionin e Presidencës për buxhetin e vitit 2014. “Përmes kësaj shkrese, kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj rreth një çështje serioze, diskutimin dhe miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2014, dhe vështirësitë që sjell buxheti i planifikuar për Institucionin e Presidentit të Republikës në zbatimin e aktiviteteve të rëndësishme shtetërore për vitin 2014 për këtë Institucion”, thuhet në kërkesën e Kreut të Shtetit. Presidenca njofton se kishte planifikuar një seancë dëgjimore me Ministrinë e Financave, parashikuar për më 27 shtator, por që nuk u zhvillua. Sipas saj vetëm sot(16 dhjetor), në rrugë elektronike, nëpërmjet e-mail, Presidenca është vënë në dijeni mbi shifrat e parashikuara për Institucionin e Presidentit, për vitin 2014, si më poshtë:

– Shpenzimet e personelit, janë 99.5 milion lekë

– Shpenzimet e tjera operative, janë 58.7 milion lekë

– Shpenzimet kapitale, janë 5 milion lekë

– Në total, fondet janë parashikuar 163.2 milion lekë

Nga një analizë krahasuese e zërave kryesore të buxhetit të dërguar, duke krahasuar fondet e parashikuara të vitit 2014, me fondet faktike (buxhetin faktik) të vitit 2013, vërehet se:

– Shpenzimet e personelit, janë rritur me 10.5 milion lekë, ose 11.8%

– Shpenzimet e tjera operative, janë ulur me 6.9 milion lekë, ose 10.5%

– Shpenzimet kapitale, janë ulur me 10 milion lekë, ose 66.7%

– Në total, fondet janë ulur me 6.4 milion lekë, ose 3.8% (169.6 milion lekë buxheti total)

 Në kërkesën tonë për projektbuxhetin e vitit 2014, dërguar me shkresën nr. 1921/1, dt. 17.10.2013, kemi kërkuar fondet përkatësisht:

– Në shpenzimet për personelin, 95 milion lekë

– Në shpenzimet e tjera operative, 105.5 milion lekë

– Në shpenzimet kapitale, 5 milion lekë

– Në total, janë kërkuar 203.5 milion lekë

Duke krahasuar fondet e kërkuara, me fondet e parashikuara vërehet se në shpenzimet e tjera operative, kemi ulje prej 46.8 milion lekë, afërsisht sa gjysma e fondeve të kërkuara zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

 Ndërtuesit: Nuk u pyetëm për paketën fiskale

Shoqata e ndërtuesve e vlerëson si jo transparente nismën e fundit të qeverisë për ndryshimin e disa taksave. Në një letër drejtuar kryeministrit, ndërtuesit shprehen se miratimi i paketës fiskale është bërë jashtë çdo premtimi që socialistet bënë para zgjedhjeve të 2013-ës. Kështu, grupet e interesit jo vetëm që nuk janë pyetur, por kjo shoqatë është njohur me ndryshimet që do të ndodhin në sistemin tatimor vetëm përmes mediave. Nga ana tjetër, shoqata e ndërtuesve kërkon pjesëmarrje në Këshillin Kombëtar të Biznesit, siç ka qenë gjithmonë pjesë e tij. Ata thonë se dega e ndërtimit është një nga më të rëndësishmet në ekonominë e vendit, por nuk ka përfaqësim në këshillin e vetëm, që bën lidhjen mes ekzekutivit dhe biznesit.

 Opozita: Pr/buxheti, i sjellë në shkelje të  ligjit    

 Kuvendi ka nisur me debate seancën e djeshme,  ku u miratua kalendari i shqyrtimit në Parlament të projektligjit për paketën fiskale dhe projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014. Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ish-kryetare e Kuvendit, kritikoi qeverinë për vonesat në sjelljen e buxhetit në Kuvend, duke e cilësuar këtë një shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullores së parlamentit. “Buxheti është sjellë në mungesë totale të transparencës dhe gjithëpërfshirjes të opozitës dhe grupeve të interesit”, tha Topalli. Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi që buxheti të konsultohet me qytetarët. “Ky është një buxhet klandestin, i hartuar dhe i formuluar pa asnjë konsultë me qytetarët. U përdor si argument se u vonua nga negociatat me FMN-në. Si ka mundësi që me FMN-ja të merr dy muaj, ndërsa me qytetarët e këtij vendi as dy ditë. Kjo që ndodh të kujton, ligjet me procedurë të shpejtë. Ky është buxhet, janë të gjithë të ardhurat dhe shpenzime e një viti. Është buxheti i dytë i çdo qytetari shqiptar. Nuk mund të trajtohet në një mënyrë të tillë, nuk ka ndodhur kurrë kështu. Mundësisht të japim kohën për konsultën me qytetarët”, tha Berisha. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se qeveria duke vonuar sjelljen e pr/buxhetit ka shkelur me të dy këmbët p/ligjin për menaxhimin e shpenzimeve publike.