Prof. Dr. Lisen Bashkurti: 9-Vjetori i Pavarësisë – Ditë festimesh, por dhe reflektimesh

633
Si sot nëntë vjet më parë, më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës. Kjo datë do mbetet përjetë në kujtesën e mbarë popullit shqiptar si një hap tjetër i avancuar, mbas atij të shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë në nëntor 1912, drejt realizimit të projektit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ditë festimesh… Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, në mbarë diasporën e vjetër dhe emigracionin e ri. Rreth 15 milionë shqiptarë sot festojnë me legjitimitet dhe krenari për Kosovën e pavarur. Në këtë ditë historike kombëtare mirënjohja më e thellë shkon për popullin martir të Kosovës që për më shumë se 100 vjet u përball me regjimin kolonial serb, pa u dorëzuar dhe pa hequr dorë asnjëherë për arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Në mënyrë të veçantë nderimi më i lartë, shkon për ata që dhanë jetën me pushkë e penë, me dije dhe sakrifica sublime. Kujtimi i tyre do ndriçojë ndër shekuj rrugën e shqiptarëve për aspiratat legjitime Kombëtare. Në këtë ditë, mbarë Shqiptarët nderojnë dhe u shprehin mirënjohje të thellë Aleatëve të Mëdhenj Perëndimore, ShBA, NATO, BE për mbështetjen maksimale për arritjen e Kosovës së pavarur. Kjo ditë është jo vetëm mirënjohje për Aleatët e mëdhenj, por edhe zotim për një miqësi të përjetshme e Kosovës dhe popullit të saj me ShBA, NATO dhe BE. Arritjet e Kosovës në këto nëntë vjet janë të pamohueshme nga askush brenda dhe jashtë saj. Me arritjet e saj të këtyre nëntë viteve, Kosova dëshmon, se pavarësia e saj ka qenë dhe mbetet plotësisht e merituar. Kosova tregon çdo ditë, se është modeli një shteti demokratik të suksesshëm. Rruga e saj mbetet e pakthyeshme. 

Ditë reflektimesh. 
17 shkurti është edhe ditë reflektimesh serioze për Kosovën dhe Shtetin e saj. Natyrisht në ditë festash nuk ka vend për analiza të thella. Por, padyshim ka vend për refleksione serioze që përvjetorët e ardhshëm ta gjejnë Kosovën me të realizuar dhe popullin e saj më të lumtur. 
1. Të ruhet uniteti politik. 
Uniteti politik ka qenë guri i themelit në kështjellën e Kosovës së pavarur. Ky gur themeltare lypet të ruhet i pacenuar me çdo çmim dhe sakrificë. Uniteti nuk ruhet pa dedikimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë Kosovare. Uniteti nuk ruhet me ‘protagonizma’ dhe diferencime. Uniteti ruhet me gjithë përfshirje, me respekt për kontributin e të gjithëve, me tolerancë, mirëkuptim dhe përkushtim për qytetarët e Kosovës dhe për Aleatët e tyre kudo në botë. 
2. Të ruhet kohezioni social.
Kosova përbëhet nga një shoqëri demokratike dhe multietnike. Kjo shoqëri ka nevojë të investohet vazhdimisht për ruajtjen e kohezionit të saj social dhe multietnik. Kohezioni social dhe multietnik është dëshmuar i suksesshëm deri tani. Por, kjo arritje madhore kërcënohet nga projekte të rrezikshme siç është, asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ky kërcënim lypset të mënjanohet me durim dhe mençuri, me profesionalizëm dhe diplomaci. 
3. Të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Kosova, pavarësia, uniteti politik dhe kohezioni social e multietnik i saj kanë nevojë për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Kjo sfidë është serioze në një kohe dhe mjedis krizash ekonomiko-financiare në mbarë eurozonën ku bën pjesë edhe ekonomia Kosovare. Kosova ka nevojë për më shumë ekonomi dhe me pak politikë. 
4. Të forcohet shteti ligjor.
Themelet e Kosovës së pavarur ngrihen mbi shtetin ligjor, qeverinë e vogël, lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut të lirë. Këto baza juridike kërkojnë respekt për kushtetutën dhe ligjin, për forcimin e institucioneve demokratike, për rritjen e kapaciteteve administrative ligje-zbatuese dhe me prioritet forcimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalitetit të sistemit të drejtësisë. 
5. Politike të jashtme dhe diplomaci me efikase.
Kosova e pavarur është njohur nga tre Fuqi të Mëdha dhe 110 shtete anëtare të OKB-së. Gjithashtu, Kosova ka përparuar në politikën me fqinjët, ka hedhur hapa të mençur në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ka shënuar përparime drejt integrimit rajonal dhe Evropian. Por, gjithsesi hyrja e Kosovës plotësisht në sistemin dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare ngelet një sfidë e vështirë afatgjatë. Përballja me këtë sfidë kërkon një politikë të jashtme të bazuar në një strategji më të qartë dhe afatgjatë, kërkon prioritete më të përcaktuara dhe në dinamikë, një diplomaci më proaktive dhe profesionale. 

Epilogu 
Si sot nëntë vjet me parë Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe multietnik. Arritjet e deritanishme e bëjnë Kosovën projekt të suksesshëm, në një rruge të drejtë e të pakthyeshme.
Sigal