Prof. Dr. Agron F. FICO/ Një e pavërtetë e politizuar

1031
Sigal

(Në kujtim të poetit të njohur Drago Siliqi)

Njerëzit e mirë dhe poetët e shquar janë të paharrueshëm dhe kujtimi i tyre është i përhershëm

 Sa herë vjen data 13 e muajit korrik, edhe pse kanë kaluar 51 vjet, më zotërojnë emocione dhe më kthehet dhimbja njerëzore për vdekjen tragjike të 7 shqiptarëve, midis tyre edhe të poetit të njohur Drago Siliqi në afërsi të aeroportit të Irkutskut, në Siberi, më 13 korrik 1963. Ishte një humbje e dhimbshme. Për ne që jetonin në Pekin vdekja nga aksidente ajrore ishte edhe e panjohur.

-Vitet kalojnë, por dhimbje nuk shuhet

 Fati dhe rasti më takoi që natën e fundit të jetës së poetit të njohur dhe drejtor i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Drago Siliqi, ta kalojmë bashkë në ditët e nxehta të Pekinit në korrik 1963.

Atëherë banoja në Pekin dhe punoja profesor i shqipes në katedrën e gjuhës shqipes, që kisha hapur aty para dy vjetësh. Ardhja e shkrimtarit dhe kritikut Razi Brahimi në qershor të vitit 1963, dhe pas 2-3 javësh edhe e Drago Siliqit, më gëzuan. Takohesha shpesh me ta. Madje vendosëm që natën e fundit, para largimit nga Pekini, ta kalonim bashkë. Dragua dhe Raziu erdhën në banesën time dhe qëndruam në tarracën e hotelin për të huaj “Miqësia”. Ishte një natë e paharruar. Qëndruam gjatë, sepse familja ime kishte shkuar për pushime dhe mua më duhej të rrija edhe disa javë që të dorëzoja materialin mësimor për studentët.

Aty nga ora një Dragua kërkoi të largohej, se të nesërmen do të udhëtonte për në Shqipëri. I përcolla gjer te makina, po aty për aty Dragua më tha: “Hajde edhe ti Agron me ne, të flemë bashkë, se kam një apartament të tërë, me dy dhoma gjumi”. Shkova me ta në hotel dhe isha shumë i gëzuar që pas disa vjetëve pata mundësi të rri me Dragon dhe Raziun. (“Profesor në tre Kontinente”, 2004, f. 100.) “Në mëngjes, pasi u përqafova dhe i urova udhë të mbarë Dragos, u largova.” (Po aty, f. 100, parag. 2.)

Në një artikull të gjatë botuar në gazetën letrare “Drita” menjëherë pas aksidentit të 13 korrikut 1963 dhe më vonë në librin tim “Profesor në tre kontinente”, botuar në Amerikë, kam përshkruar me hollësi ardhjen e Drago Siliqit në Pekin, takimet dhe veçanërisht natën e fundit me të si dhe rrethanat e vdekjes tragjike.

Vdekja aksidentale e Dragos në Irkutsk të Rusisë dhe e 6 shqiptarëve të tjerë ishte një dhimbje e madhe për ne shqiptarët që ndodheshim në Pekin dhe kuptohet akoma më e madhe për familjarët.

-Njerëzit e mirë dhe poetët e shquar janë të paharrueshëm dhe kujtimi i tyre është i përhershëm

Në librin voluminoz të Ndriçim Kullës me titull “Ylli i shkrimtarit – Biografi e Ismail Kadaresë” në faqet 183-185 autori, në mënyrë absurde dhe jashtë të vërtetës, shkruan midis të tjerave se “Dragua ishte akoma gjallë pas aksidentit dhe ndoshta mund të kishte shpëtuar në qoftë se sovjetikët nuk do të kishin pasur si qëllim që të zhduknin pikërisht atë” (“Ylli i shkrimtarit”, 2013, f. 185). Dhe më poshtë shkruan: “Nuk përjashtohet mundësia që sovjetikët të kenë dashur të japin një mesazh kërcënues me rrëzimin e avionit, ku shumica e udhëtarëve ishin zyrtarë shqiptarë të cilët udhëtonin nga Kina në Shqipëri.” (f. 183)

Pra botuesi e pranon që avionin mund ta kenë rrëzuar sovjetikët, por më i rëndësishëm është fakti se, në atë udhëtim shqiptarët nuk ishin “shumica”. Ata ishin gjithsej 7, ndërsa të tjerët ishin gjermano-lindorë, kolumbianë, kinezë etj.

Duket tepër naiv mendimi i autorit se ky akt terrorist u bë ngaqë në atë aeroplan udhëtonte një drejtor e poet shqiptar, i cili përkrahte dhe nxiste shkrimtarin Ismail Kadare që të shkruante një roman properëndimor!

Botuesi dhe studiuesi i njohur Ndriçim Kulla e trajton gjatë historinë e botimit të romanit të Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë të vdekur” dhe nënvizon faktin që ishte Drago Siliqi që e nxiti Kadarenë “për ta shndërruar tregimin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në roman. Ja si e kujton këtë fakt vetë Kadereja te “Ftesë në studio”: “Ndodheshim jo larg shtëpisë së tij, pranë ndërtesës së vjetër të Radio-Tiranës… Më tha: “Dëgjo dhe mos kundërshto! Këtë tregim ti duhesh ta kthesh në roman.”  (“Ylli i shkrimtarit” f. 181).

Kadareja ka qenë në marrëdhënie të ngushta me Drago Siliqin si poet dhe drejtor i së vetmes shtëpi botuese në vitet ‘60 të shekullit të kaluar në Shqipëri. Këtë e dinim dhe e shikonim si bashkëkohës me ta, por e mësojmë edhe nga vetë shkrimet e Kadaresë. Por kjo nuk shpjegon dhe as mbështetet në faktet dhe burimet e kohës se vdekja e Drago Siliqit në atë aksident ajror lidhej me fatin e romanit të ardhshëm të Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Edhe pse ka mjaft mendime të diskutueshme rreth aspektit politik të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” si p.sh. “tregim pro NATO-s… KGB-ja e dinte se shpesh mesazhet politike jepeshin me anë të librave”… (f. 183), në këtë shkrim po ndalem për të ndriçuar vdekjen tragjike të Drago Siliqit si dëshmitar i drejtpërdrejtë i atyre rrethanave politike të atyre viteve, si dhe për ta zhveshur nga politizimi i pakuptimtë dhe i sajuar dobët.

 Zoti Kulla shkruan se “për vdekjen e Siliqit në atë kohë pati shumë hipoteza, jo vetëm në Shqipëri”. (f. 182) E vërteta është krejt ndryshe dhe ajo u bë e njohur ditën e nesërme të aksidentit.

Kam qenë i pranishëm në dhomën e pritjes për ngushëllime nga ambasadori shqiptar në Pekin, Reis Malile, që në atë aksident kishte humbur bashkëshorten dhe dy fëmijët, kur erdhi për ngushëllim ministri i jashtëm i Kinës, Marshalli Çen In. Pasi Marshalli shprehu ngushëllimet në emër të Qeverisë Kineze dhe Kryetarit Mao, shtoi: Për ne u bë e qartë se ky ishte një akt i paramenduar nga sovjetikët, se një thes plastik, i cili kishte dokumentet sekrete për delegacionin tonë për bisedimet, që zhvillohen në Moskë, autoritetet sovjetike të aeroportit na i dorëzuan pas dy orësh, dhe ne nuk i morëm.”

 Pra ky ishte një akt terrorist që sovjetikët i përdornin jo rrallë kundër kundërshtarëve.

 Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ashtu siç thotë dhe autori Ndriçim Kulla “është padyshim një kryevepër” (f. 187), një sfidë krijuese letrare e Kadaresë ndaj metodës zyrtare të letërsisë së asaj kohe, metodës së realizmit socialist. “Romani – shkruan më tej zoti Kulla – nuk ka një hero pozitiv. Madje ai mund të quhet si një roman me një anti-hero që është një gjeneral.” (f. 185)

 Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” për realizmin artistik dhe misionin e mesazhit që Kadareja kishte “fshehur brenda” këtij romani-diplomatik për kancelaritë e Perëndimit u bë një vepër befasuese dhe, në harkun kohor gati gjysmë-shekullor, është botuar e ribotuar në shumë vende e gjuhë të huaja.

 Shkurt mund të thuhet se vdekja e Drago Siliqit më 13 korrik 1963 nuk ishte gjë tjetër veçse një pohim i të ndodhurit në “koha e gabuar, në vendin e gabuar”.