Politikanët deklarohen për marrëveshje, por nuk e realizojnë me qëndrimet e kundërta që vazhdojnë të mbajnë

Qemal LAME

Kriza politike e zgjedhjeve vazhdon të mbajë peng realizimin e ligjshëm të zgjedhjeve të 18 qershorit 2017. Në momentet që gjithë partitë politike pritet të arrijnë marrëveshje dhe të sqarohet përfundimisht qëndrimi zyrtar i përbashkët midis mazhorancës dhe opozitës, demonstrohet me forcë kundërshtia dhe mosmarrëveshja tipike që ka dalluar dy forcat kryesore politike, që me krijimin e pluralizmit dhe zgjedhjet e para më 31 mars 1991. Konfrontimi politik i dy partive kryesore që nuk premton arritjen e një marrëveshje të sinqertë e gjithëpërfshirëse, ka shkaktuar situatën e tensionuar në prag të fushatës, me gjithë detyrimet kushtetuese për realizimin në kohë të zgjedhjeve parlamentare. Fatmirësisht, në këtë periudhë po tentohet të bisedohet, zhvillohen bisedime, megjithëse pa rezultate konkrete. Imponimi i vullnetit të njëanshëm politik në mënyrë të hapur apo të nënkuptuar, nuk guxohet të shoqërohet edhe me ngjarjet e rënda të mëparshme të dhunës shtetërore kundër demonstrimeve të dhunshme opozitare, përdorimit të eksploziveve e të armëve nga “persona” apo “grupe anonimë” etj. Goditja e kriminalitetit të organizuar dhe puna për zbulimin e ideatorëve të eksplozivëve ka ndikuar në qetësimin e opinionit publik. Ka rëndësi që të kuptohen drejtë domosdoshmëria e zgjedhjeve me pjesëmarrjen e gjithë partive politike dhe mënjanimi i mospjesëmarrjes së partive të opozitës të kryesuara nga Partia Demokratike. Është e natyrshme që marrëveshja të arrihet me mirëkuptim, ndërgjegje e pranim të dyanshëm nga mazhoranca dhe opozita të interesave të njëanshme duke u tejkaluar ndasitë e thella me lëshime reciproke. Fakt është se, më datën 16 maj 2017, u pranua me vonesë nga opozita Paketa McAllister, pasi u refuzua nga mazhoranca propozimi i saj për Paketën McAllister Plus. Partia Demokratike u tërhoq nga ultimatumet për dorëheqjen e kryeministrit dhe Qeverinë Teknike. U pranua që kryeministri Edi Rama të qëndrojë si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe si kryeministër, me katër ministra teknikë të pranuar nga opozita. Koha deri në tetor 2017 për shtyrjen e zgjedhjeve, arsyetohet se duhet për të pastruar administratën nga personat e inkriminuar, përgatitjen e masave për zgjedhje të lira e të ndershme etj. Qëndrimi i fundit thuhet nga opozita se bëhet me dëshirën për marrëveshje e pjesëmarrjen në zgjedhje. Por menjëherë u dallua qëllimi i nënkuptuar se kjo ishte një manovër taktike për realizimin e shtyrjes së zgjedhjeve deri në tetor 2017, me pretendimin për t’u krijuar mundësitë për vendosjen e sistemit elektronik për listat emërore dhe votimin me marrjen e shenjave biometrike dhe numërimin elektronik. Pranimi nga Partia Socialiste i këtij qëndrimi do të krijonte kushtet e dorëzimit në tryezë të pushtetit politik nga kryeministri, të pranoheshin akuzat e rënda të inkriminimit të kryeministrit, të përdorimit të drogës për të financuar rezultatin e manipuluar të zgjedhjeve etj. Po kështu, do të pranoheshin edhe pretendimet e opozitës për tërheqjen e Qeverisë nga zgjedhje në Kavajë, të njoftuar zyrtarisht se u bë për të mënjanuar pasojat e një konfrontimi të mundshëm dhe të dyshimeve për shkatërrimin e bashkisë. Është fakt se Qeveria u tërhoq në këtë situatë, edhe në interes të përgatitjeve dhe realizimit të zgjedhjeve të 18 qershorit. Opozita e vlerëson si sukses të saj dhe propagandon këtë tërheqje si paaftësi të Qeverisë për realizimin e zgjedhjeve në Kavajë, dëshmi të kriminalizimit të pushtetit vendor, lidhjet e krimit me administratën qendrore etj. Është e natyrshme se me këto kushte të opozitës, propagandën me akuza të rënda dhe formulimet emocionale me fjalor të papranueshëm, nuk mund të arrihet marrëveshje me mazhorancën. Partitë politike nuk dëshmojnë vullnetin për marrëveshje me kontributin e përbashkët. Dështojnë edhe përpjekjet e partnerëve ndërkombëtare të BE dhe SHBA, si dhe kërkesa kategorike e zyrtarit të lartë amerikan për marrëveshje brenda 24 orëve. Partia Socialiste ka kundërshtuar propozimet e Partisë Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve në tetor 2017, me arsyetimin se data 18 qershor është kushtetuese dhe për këtë fakt, në zbatim të detyrimeve kushtetuese nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve. Qëndrimi i Partisë Socialiste është kushtetues. Edhe në tentativat e fundit për marrëveshje që po bën politika shqiptare, u konstatua me shqetësim qëllimi për realizimin e interesave të njëanshme politike, duke nënvleftësuar dhe shkelur hapur detyrimet kushtetuese. U përsërit edhe kërkesa për zgjidhje me ndërmjetësimin e partnerëve, por kur ajo u dha u refuzua me qëndrime të kundërta. Në këtë situata, vlen të kujtojmë pasojat e rënda për shtetin e së drejtës, demokracinë funksionale, veprimtarinë e Kuvendit dhe të përfaqësimit të grupimeve politike, të cilat kanë shkaktuar ndryshimin e ekuilibrit konstitucional të shtetit e të politikës pas vendimit famëkeq të ndryshimit të Kushtetutës brenda natës me marrëveshjen e njëanshme PD-PS. Detyrimisht mbetet data 18 qershor për zgjedhjet e ligjshme. Opozita vetë përjashtohet nga zgjedhjet. OSBE, BE, SHBA, Gjermania etj., kanë deklaruar qartë se do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike. Bëhet thirrje që Partia Demokratike të mos pengojë partitë e tjera për realizimin e zgjedhjeve. Për herë të parë, ndërkombëtarët deklarohen haptazi kundër manovrimeve politike që dëmtojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve në Shqipëri. Kushtet e krijuara me bojkotin e Kuvendit dhe të zgjedhjeve, natyrshëm krijojnë probleme për të ardhmen e Kuvendit, përfaqësimin e partive politike, ruajtjen e ekuilibrave të nevojshëm midis pushteteve, partive politike, grupimeve shoqërore e organizatave jo qeveritare. Prandaj edhe mazhoranca PS- LSI dhe Qeveria dëshmojnë dëshirën për pjesëmarrjen e PD dhe partive të tjera në zgjedhje. Afatet kushtetuese kanë përfunduar. Pranimi i paketës McAllister është bërë tej afateve ligjore. Zgjidhja e situatës shtron domosdoshmërinë e gjetjes së kritereve të pranuara bashkërisht dhe marrëveshje gjithë partiake. Në rast se do të dëshmohet me sinqeritet dëshira për marrëveshje, do të gjendet rruga për ligjshmërinë e realizimit të saj. Në bazë të parimeve kushtetuese, do të duhet thirrja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, të marri pjesë opozita, miratohet ligji për shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimin e një date tjetër. Do të ishte e domosdoshme edhe miratimi nga opozita i krijimit të komisioneve për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ky është edhe problemi themelor që pengon në fakt edhe fatin e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i zgjedhjeve është organ i zbatimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe nuk ka të drejtë të vendosi vetë për shtyrjen e zgjedhjeve. Politikanët është e domosdoshme të reflektojnë në detyrën e tyre për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe marrëveshje për realizimin e vullnetit të popullit për zgjedhje të lira e të ndershme dhe krijimin e institucioneve të reja kushtetuese.