Politika e jashtme dhe fushata për president të SHBA

707
Sigal

Nga Frank
Shkreli

Deri tani, politika
e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet, debatin
politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary
Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump. Por ka gjasë se
javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me
rëndësi të politikës së jashtme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë
luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit. Zakonisht,
gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj,
ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet
që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në
nëntor, me fjalë të tjera, cili është kandidati më i mirë, që do të përmirësojë
jetën ekonomike të familjeve amerikane. Por duke marrë parasysh se, megjithëse
rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se
prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë. Sidomos kur të
merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ulët prej 4.9 për
qind, në krahasim me katër vjet më parë, kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rrogat
ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshëm, por të pakën njerëzit mund të
gjejnë punë po të duan. Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet
si normale këtu në Shtetet e Bashkuara. Në këtë moment pra, duket se ekonomia
nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë
për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh,
përballë të cilave gjendet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën
mbrojtëse dhe të sigurimit kombëtar, si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në
botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë, se cili ndër kandidatët do të
jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e
nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë
sfidave të tanishme dhe të ardhshme gjatë mandatit katër vjeçar. Dy muaj para
zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e
tyre për katër vitet e ardhshme,
bota duket se është në një gjendje
kaotike. Presidenti/tja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të
mandatit do të përballet me një botë aspak stabile. Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në
horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim. Gjendja në Lindjen e Mesme vazhdon të
jetë lëmsh e rrëmujë, pa ndonjë shpresë zgjidhjeje, në një të
ardhme të afërt. Flirtimet e fundit
të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin,
janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e
këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti. Shqetësues dhe me rrjedha të
pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalë nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e
tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjëve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore,
si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit. Përfshirë Koreja e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve
të menjëhershme, me të cilat do të përballet udhëheqësi i ardhshëm
amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhshme. Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë republikanë dhe demokratë të kenë shpenzuar më shumë kohë duke
u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e brendshme dhe me nevojat e përditshme
të qytetarëve amerikanë. Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në
këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke
paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama pjesë e të cilës ishte edhe Hillary
Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit
si të dështuar. Por problemi i
Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj
ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të
shqetësuar në lidhje me temperamentin
e tij në marrëdhëniet me të huajt. Donald
Trump, në qoftë se siguron fitoren
në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të
Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake,
madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare. Duke marrë parasysh rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve
të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër
ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare janë shpallur
kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e
përvojës së tij në këtë fushë. Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më
shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare
amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo
vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të
tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë
se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre,
një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është
një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton, si dhe probleme në
lidhje me besueshmërinë ndaj
përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.  Është e pamundur të parashikohet se cilin prej
kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit
amerikanë në fillim të nëntorit. Por mbetet për tu parë nëse çështjet e
sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet
kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur
se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016. Por një
gjë është e sigurt. Duke marrë parasysh statusin që gëzojnë sot Shtetet e
Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre – për mirë
ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin, do
të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të
Bashkuara, por për mbarë botën. Le të shpresojmë që kandidatët për president të
Shteteve të Bashkuara të jenë të vetëdijshëm të këtij fakti.