Kufijtë shtetërorë, kauzë e mbarë kombit shqiptar

636
Sigal

Qemal Lame

 

NOA

Kufijtë shtetërorë
përfaqësojnë identitetin dhe sovranitetin kombëtar. Për këto arsye të njohura
ndërkombëtarisht, marrëveshja ndërkufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi është
bërë problem i mbarë kombit shqiptar Kryeministri i Malit të Zi, Millo
Gjukanoviçi ka deklaruar, më 6 shtator 2016, se demarkacioni i kufirit ndërmjet
Malit të Zi dhe Kosovës është “çështje e brendshme e Kosovës”… “Problemi
është i brendshëm dhe i përket politikës së brendshme të Kosovës”, tha
Gjukanoviç në Ulqin, siç raporton agjencia Beta. Ai më tutje ka theksuar se
Mali i Zi, sa i përket Marrëveshjes për demarkacion, i ka bërë të gjitha
veprimet e duhura dhe nuk ka kurrfarë mospajtimi me autoritetet në Kosovë lidhur
me vijën kufitare. Më parë, presidenti i Malit të Zi deklaroi, duke theksuar
se: “mosratifikimi i demarkacionit nuk cenon marrëdhëniet e tij me Kosovën”.
Javën e kaluar Qeveria e Kosovës e ka tërhequr nga debati në Kuvendin e Kosovës
këtë marrëveshje, e cila kundërshtohet fuqishëm nga opozita në Kosovë.
Shqiptarët shprehen pro përcaktimit të vijës kufitare, ndërsa kundërshtojnë
fuqimisht marrëveshjen e imponuar. Demarkacioni midis malit të Zi dhe Kosovës
vlerësohet e pranohet për të sqaruar vijën kufitare. Marrëveshja është e
padrejtë, diskriminuese. Marrëveshja kundërshtohet fuqishëm nga kombi shqiptar.
Me shqetësim të ligjshëm, theksohet se marrëveshja imponon krijimin e padrejtë
të kufirit të konfliktit. Vlerësohet se marrëveshja bëhet në kundërshtim me kriteret
e njohura ndërkombëtare që kufijtë midis shteteve të jenë kufij gjeografikë
natyrorë, kufij të majave të bjeshkëve, kufij të lumenjve, kufij të luginave,
të njohura edhe etnikisht e historikisht. Kjo marrëveshje, krijon edhe rrezikun
që në situata të ndryshme politike e shoqërore, të bëhet shkak për nxitje të
mosmarrëveshje ndërshtetërore dhe ndëretnike ndërmjet shqiptarëve e malazezëve.
Kosova, shqiptarët humbasin në vazhdimësi territoret e tyre etnike. Kërkohet të
dhurohen më shumë se 12 000 hektarë territore shqiptare nga brendësia e
tanishme gjeografike natyrore e Kosovës, nën vijën bjeshkore Kullë – Çakorr –
Qafë e Diellit – Kufi i Shqipërisë. Krijimi i këtij kufiri të padrejtë cenon
kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme autoktone e
Rugovës. Shqiptarët kanë menduar dhe kanë luftuar për paqe e jo për konflikte
midis popujve dhe shteteve. Me patos patriotik dhe gjykim objektiv, Rexhep
Qosja, vënë qendër të vëmendjes se: “Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e
Zi mund të quhet kufi i konfliktit… E Marrëveshja për Demarkacion me Malin e
Zi e mohoi këtë përvojë shumëshekullore të zbatuar në Evropë e më gjerë, këtë
përvojë shumë të çmuar që është shkelur zakonisht vetëm prej shteteve pushtuese
dhe prej shërbëtorëve të tyre nga radhët e të pushtuarve. Mund të thuhet, më
tej, se me këtë Marrëveshje Kosovës, përpos pasigurisë, do t’i sillen dëme të
mëdha edhe ekonomike: do t’i tjetërsohen pyje me rëndësi të jashtëzakonshme, e
para, për shkak të bimësisë, në këtë kohë të rrezikimit të bimësisë në
përpjesëtime botërore, shumë të çmuar dhe, e dyta, për shkak të pyjeve të
shumta me vlerë të madhe për industrinë e drurit. Mund të thuhet kështu, sepse
me këtë Marrëveshje do t’i tjetërsohen Kosovës kushte shumë të rëndësishme për
blegtorinë. Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje, me Marrëveshjen
për Demarkacionin me Malin e Zi, do t’i tjetërsohen Kosovës vise me vlera të
mëdha turistike, çfarë janë të rralla jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë
në përgjithësi”. Demarkacioni nuk është çështje e brendshme e Kosovës.
Demarkacioni është çështje e gjithë kombit shqiptar, të ndarë padrejtësisht në
pesë shtete.  Ndarja e kufirit midis
Malit të Zi dhe Kosovës, në territorin ku jetojnë në vazhdimësi që nga
lashtësia shqiptarët etnikë, është e domosdoshme të bëhet, pasi të merret
fillimisht mendimi i shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Edhe deputeti
shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi ka deklaruar votën e tij kundër Marrëveshjes
për kufirin. Është pozitive që Gjukanoviç deklaron se nuk ka probleme midis
Malit të Zi dhe Kosovës. Me këtë mendim pozitiv, është e nevojshme nga
institucionet e larta shtetërore në të dy shtetet, që të reflektohet në
realitetin e krijuar të tërheqjes së miratimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i
Kosovës dhe të gjenden zgjidhjet e nevojshme që respektojnë të drejtat
territoriale të shqiptarëve të Rugovës. Marrëveshja e iniciuar nga Bashkimi
Evropian ka dështuar. Kërkesa ultimative për plotësimin e kushtit për
Marrëveshjen Kufitare, në shkëmbim të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës,
është e padrejtë. Territori i Rugovës është shqiptar dhe nuk dhurohet. Kërkohet
të respektohen normat ndërkombëtare për përcaktimin e kufijve shtetërorë dhe
përvoja e Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë, vija kufitare simbolike, ruajtjen
e miqësisë e bashkëpunimit dhe përkushtimin e përbashkët në integrimin
euroatlantik të shqiptarëve e malazezëve, bashkë me popujt e tjerë ballkanikë e
evropianë. Precedenti i krijuar padrejtësisht midis Kosovës e Malit të Zi,
rikujton dhe sjell me të drejtë në kujtesë padrejtësitë historike.

Historia është e dhimbshme, tragjike për mbijetesën e
shqiptarëve dhe të trojet etnike të kombit shqiptar.

Interesa
gjeopolitike të fuqive të mëdha, u kanë imponuar shqiptarëve zgjidhje të
detyrueshme. Territoret shqiptare janë ndryshuar, pa u marrë mendimi dhe
vullneti i shqiptarëve. Shtetet fqinje kanë rritur territoret e tyre, me anë të
interesave të njëanshme të fuqive të mëdha, zbatimit të politikave shoviniste,
propagandës intensive antishqiptare e falsifikimit kriminal të historisë, kanë
grabitur padrejtësisht territoret e lashta etnike të shqiptarëve. Në territorin
e Gadishullit shqiptar të Ilirisë antike, në mesjetë u krijuan shtete të reja,
mbi trojet shqiptare. Rusia pasi fitoi luftën me Perandorinë Osmane, me
Traktatin e Shën Stefanit, më 1878, rrëmbeu trojet shqiptare dhe ja dhuroi me
radhë Serbisë, Malit të Zi, Greqisë etj. Kongresi i Berlinit, më 1878, përligji
me akt juridik ndërkombëtar, copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Në agoninë para
vdekjes, Porta e Lartë, në vitet 1878-1883, po kështu shiti trojet shqiptare.
Koalicioni i Fuqive Evropiane, më 1883, i përbërë nga Rusia, Perandoria Osmane,
Gjermania, Franca, Perandoria Austro-Hungareze e ajo Serbo-Malazeze, ndëshkuan
më tej shqiptarët. Me politikën e izolimit të “shqiptarëve të pabindur” dhe të
vendosjes së qetësisë në Ballkan, u bë kasaphana tjerët territoriale
antishqiptare. Mali i Zi i krijuar artificialisht si shtet me një territor të
vogël malor në Cetinjë, u mbështet dhe u ndihmua nga fuqitë e mëdha të kohës që
të zaptojë territoret e banuara me shqiptarë në Rozhaje, Plave e Guci, Hot e
Grude, Tuz e Dinoshe, Liqenin e Shkodrës, Ulqin e Tivare, Kraje e Anamalit.
Jugosllavia e Federalizuar e ANVOIT të kohës së Titos e Rankoviçit, me
arrogancë e armiqësi të theksuar antishqiptare, coptoi trojet e njohura etnike
shqiptare, duke i ndarë si trofe lufte dhe dhuruar në republikat e krijuara:
Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Politika e Beogradit, dominohej nga
hegjemonizmi dhe shovinizmi serb kundër shqiptarëve etnikë në trojet e tyre me
vazhdimësi që nga lashtësia. Kosova ngeli një territor i vogël administrativ
nën pushtimin e Serbisë. Titoja e Rankoviçi vunë në lëvizje të gjithë
mekanizmat shtetëror të brendshëm dhe punuan aktivisht për të marrë mbështetjen
ndërkombëtare, me synimin që të arrihej grabitja e mëtejshme edhe e territorit
të shtetit amë të Shqipërisë, dhe të krijonin republikën e shtatë të
Shqipërisë, brenda Federatës së Jugosllavisë. Ne 1974 u miratua Kushtetuta e Re
e RSF të Jugosllavisë. Kosovës dhe Vojvodinës iu dhanë statusi i Krahinës
Autonome. Kushtetuta e Jugosllavisë dhe e vetë këtyre dy krahinave, sanksionojë
statusin e përfaqësimit konstituiv federal, duke e barazuar faktikisht e
formalisht me republikat e tjera. Koha tregoi se ajo ishte manovër politike për
zgjatjen e pushtetit të Titos dhe uljen e rezistencës në rritje të shqiptarëve.
Kosova ngeli politikisht, administrativisht dhe nga ana gjeografike
territoriale, një kompozim artificial politik e administrativ formal, nën
pushtetin faktik absolut të Serbisë, në sfondin e mozaikut politik të
Jugosllavisë. Së fundi edhe Millosheviçi, në vitin 1985, me programin e tij
politikë shovinist, gjenocidit të hapur e të shkombëtarizimit të popullit
shqiptar në Kosovë, ndryshoi brenda natës Kushtetutën e Kosovës, i hoqi
autonominë e statusin federativ, ndryshoi hartën territoriale dhe i kaloi
Serbisë territoret e gjera shqiptare të Luginës së Preshevës deri në Nish etj.
Me kushtetutë dhe praktikisht, territori i shqiptarëve mbeti i pacenueshëm.
Rregullim juridik dhe fizik është bërë vetëm në kufirin e jashtëm të
Jugosllavisë ne segmentin kosovar qe kishte vazhdimësi natyrale historike me
Shtetin Shqiptar. Historia dëshmon, se gjatë pushtetit politik të Jugosllavëve,
të Karagjorgjeve, Obrenoviceve, Serbo-Kroato-Sllovene, AVNOIT, shqiptarët janë
sunduar me terror, gjenocid e pakësuar në numër me anë të shkombëtarizimit e
masakrave të organizuara shtetërore. Territoret etnike e kufijtë e njohur
historikë të shqiptarëve në Kosovë e zona të tjera të ish-Jugosllavisë janë
zvogëluar e manipuluar me dhunë e terror deri ne limite që kanë mundur të
realizojnë ofensivën e tyre politike shoviniste, gjenocidin e mposhtjen e
rezistencës e interesave ekzistenciale për popullin shqiptar. Me ndihmën e
ndërhyrjes ndërkombëtare, në verën e vitit 1999, Kosova çlirohet nga Serbia dhe
diktatura shtetërore e Millosheviçit. Fatkeqësisht ngelën nën pushtimin e
Serbisë gjithë Lugina e Preshevës, deri në Nish. Problem i madh u krijua me
pozicionimin e trupave ndërkombëtare në Lumin Ibër dhe shkaktimin e gjendjes së
rëndë në veriun e qytetit të Mitrovicës, e cila akoma nuk është normalizuar
përfundimisht. Çlirimi historik, shpallja e pavarësisë dhe sovranitetit
shtetëror dhe integritetit territorial, do të ndesheshin edhe me pretendimet
territoriale të fqinjëve të saj dhe humbjen e disa zonave, si Lugina e
Preshevës. Shteti i ri i Kosovës nuk të mbronte dhe administronte territorin e
tij. Nga papërgjegjshmëria e dëshmuar e drejtuesit e lartë shtetërorë, pa nënvleftësuar
edhe heshtjen apo mbështetjen e fshehtë ndërkombëtare, ndodhi haptazi e
zyrtarisht edhe lejimi e rrëmbimi i disa territoreve territoriale, si dhe
krijimi i zonave jashtë kontrollit të pushtetit qendror të Kosovës. Qeveria dhe
Kuvendi i Kosovës u sfiduan hapur nga veprimtaria subversive intensive politike
e diplomatike e Qeverisë e Parlamentit të Serbisë që kundërshtuan realitetin në
Kosovë dhe vazhdonin të mbanin atë në Kushtetutën e Serbisë. Megjithë praninë e
forcave ndërkombëtare, Serbet faktikisht do të liheshin të lirë të forcojnë
pozicionet të Ura e Ibrit dhe aneksojnë Luginën e Preshevës. Politika agresive
shoviniste e Serbisë, u tolerua dhe u mbështet haptazi dhe fshehurazi nga
politikat e vjetra të zbatuara historikisht nga politikanët e disa shteteve
evropianë, si dhe të disa kuislingëve e agjentëve të fshehtë brenda
shqiptarëve. Politikanët ultranacionalistë maqedonas, përfituan nga konjuktura
politike ndërkombëtare e dobësitë e drejtuesve të pushtetit të ri të Kosovës,
si dhe manipuluan me faktin që në të dy anët e kufirit ishin shqiptarë etnik!
Në përcaktimin e vijës kufitare, megjithë kundërshtimin e banorëve shqiptarëve,
Maqedonia arriti të rrëmbejë mjaft hektarë tokë, që më parë ishte brenda
kufijve politikë në trojet e ligjshme të Kosovës.