Përse na duhet një “moratorium” për taksat dhe administrimin tatimor

979
Prof . Dr. Arben Malaj* 
Bazuar në eksperiencat pozitive të vendeve të tjera dhe në shqetësimet e biznesit vendas dhe të huaj për ndryshimet e shpeshta të taksave dhe rregullave të administrimit, mund të jetë i dobishëm diskutimi rreth efekte pozitive të një “moratorium” për mos ndryshimin e taksave deri në zgjedhjet e vitit 2021. Vendi ynë ka nevojë të fokusohet gjithnjë e më shumë tek reformat strukturore të cilat kur hartohen dhe implementohen mirë, nxisin konsumim dhe investimin tek individët dhe biznesi. Studimet tregojnë se konsumi dhe investimi mund të jenë të penguara, të spostuara apo të vonuara nga probleme të përditshme, siç janë e drejta e pronës, pavarësia e drejtësisë, niveli i lartë i korrupsionit, eficienca e ulët e administratës, etj. 
Arsyet kryesore pse po ndalem tek përmirësimi i ambientit të biznesit dhe propozimi për një moratorium janë:
Kërkohet një kulturë e re dhe përgjegjësi publike nga qeverisja vendore dhe qendrore përballë votuesve. Partitë politike konkurrojnë me programet e tyre ekonomike, ku si në çdo vend tjetër politikat e taksave dhe administrimit janë pjesë e rëndësishme e tyre. Çdo parti politike fiton të drejtën dhe përgjegjësinë të qeverisi një vend në bazë të kësaj kontratë morale. Kjo kërkon që në vitin e parë të mandatit të tyre, partitë apo koalicionet fituese duhet të miratojnë reformat dhe politikat që përmbushin premtimet e tyre elektorale dhe pas miratimit të mos ketë më ndryshime deri në zgjedhjet e reja. Kjo do të rrisë cilësinë konkurrimit politik, të politikë bërjes dhe eficiencën e qeverisjes së vendit. Ky model përmirëson pritshmëritë e individëve dhe biznesit duke ushqyer më mirë rritjen ekonomike dhe luftën kundër plagëve sociale. Taksat dhe administrimi i tyre konsiderohen sot pengesat kryesore të iniciativave për investime të reja të individëve, biznesit vendas dhe të huaj. Kjo konfirmohet nga indeksi i konkurrencës globale 2017-2018, ku taksat dhe administrimi i tyre janë dy nga tre pengesat kryesore për investitorët e huaj. Sipas treguesve të këtij indeksi, rezulton se sistemi ynë tatimor nuk inkurajon investimin. Më konkretisht, ne ndodhemi në vendin e 125-të nga 138-të vende. Po kështu sistemi ynë tatimor, nuk inkurajon punësimin, këtu jemi në vendin e 115-të. Ndërsa 21.7% e biznesit në vendin tonë klasifikon si pengesën e tyre të parë nivelin lartë të taksave dhe rreth 9.3 % e tyre konsiderojnë administrimin e taksave si pengesën e tretë më të rëndë. Ndryshimet e shpeshta të taksave dhe administrimit tatimor, rreziqet për stabilitetin e financave publike nga rritja e përjashtimeve, si dhe rritja e rrezikut për influencë të grupeve të biznesit për përfitime specifike, konstatohen edhe në deklaratat kritike të FMN dhe BB. Këto institucione të rëndësishme këshillojnë mos ndryshimin e shpeshtë të taksave dhe administrimit fiskal. Ky shqetësim po përmendet edhe nga ambasadorët e huaj në vendin tonë, të cilët kanë angazhime konkrete për rritjen e investimeve nga vendet e tyre për ekonominë tonë. Ata publikisht kërkojnë që vendi ynë të mos ndryshojë shpesh taksat dhe rregullat e administrimit fiskal. Këto pengesa për Investimet e Huaja Direkte, pengojnë edhe ambasadorët tanë në vendet e huaja të përmbushin detyrimin për ta bërë vendin sa më tërheqës për investitorët nga vendet ku ata shërbejnë dhe përfaqësojnë Shqipërinë. Një nga arsyet kryesore pse qeveria mund të bëjë një ngrirje të ndryshimit të politikave fiskale dhe rregullave të administrimit, është për të qartësuar pritshmëritë e çdo individi apo biznesi, vendas apo të huaj. Shumë kompani serioze në vendet në zhvillim, nuk janë të shqetësuara vetëm për nivelin e taksave, por edhe për pasojat e keqadministrimit, për vonesat apo pengesat konkrete, për pasojat e krizës së likuiditeteve kur vonohet rimbursimi i TVSH-së, për procedurat e gjata administrative dhe ligjore për të përfunduar një proces ankimimi administrativ dhe gjyqësor.
A mund të jetë realiste ideja e një moratorumi të mosndryshimit të taksave dhe administrimit tatimore?
Disa arsye të mbështetjes së kësaj ideje që është njëkohësisht dhe ftesë për diskutim midis kolegëve, mund të jenë.
1. Moratoriumi rrit pritshmëritë e konsumatorëve dhe investitorëve, ç`ka ushqen ekonominë më mirë se çdo politikë përjashtimore; 
2. Kostoja e ulët e parasë për konsum dhe investim, si dhe kostoja shumë e ulët e borxhit publik, mund të amortizojë më së miri çdo rrezik të mosrealizimit të përkohshëm të të ardhurave nga ngrirja e taksave dhe rregullave të administrimit. Kostoja e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm gjatë periudhës së moratoriumit parashikohet të jetë 2.4 -2.7 % e PBB-së. Duke mbajtur parasysh që qeveria do të vazhdojë të ulë nivelin e borxhit publik, dhe faktin që Banka e Shqipërisë ka deklaruar se deri në tremujorin e parë të 2019 nuk do ta ndryshojë politikën monetare lehtësuese, rezulton se nuk kemi një rrezik potencial ndaj stabilitetit të financave publike. 
3. Mbajtja e pandryshuar në buxhetin afatmesëm 2018-2020 e totalit të të ardhurave buxhetore, bën të menaxhueshme efektet provizore të moratoriumit të politikave dhe rregullave të mbledhjes së tatimeve dhe taksave.
4. Periudha e ngrirjes është një periudhë e mjaftueshme për të trajnuar dhe ritrajnuar administratën publike dhe fiskale që të shërbejë si një administratë evropiane, ç`ka redukton dhe minimizon rrezikun kryesor me të cilin përballet biznesi.
Gjatë moratoriumit nuk pengohen politikat përmirësuese të taksave dhe administrimit të tyre, të cilat mund të jenë pjesë e implementimit të reformave dhe strategjive të mirëqeverisjes. Pra nuk lejohen rritje të taksave, përveç se gjatë periudhave kritike të imponuara nga kriza të ndryshme. Gjatë periudhës së moratoriumit lidhur me administrimin, implementohen reforma dhe strategji që ulin numrin e dokumenteve, reduktojnë kohën e nevojshme për të plotësuar dhe dorëzuar dokumentet dhe ulin koston e administrimit tatimor mbi të ardhurat e taksapaguesve. Këto objektiva janë të matshme nga indeksi i pagimit të taksave që botohet çdo vit nga Banka Botërore. Ndërsa fillimisht moratoriumi vjen si një opsion përballë problemeve konkrete të biznesit ndaj politikave të taksave dhe administrimit të tyre, kjo politikë duhet të veprojë si një rregull i përhershëm në hartimin dhe implementimin e politikave ekonomike, politikave të taksave dhe administrimit të tyre që në fazën e konkurrimit elektoral dhe gjatë mandatit qeverisës. 
*President i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen
Sigal