Frank Shkreli: A po përjashtohen Arbëreshët nga i ashtuquajturi “Samit i Tretë i Diasporës” në Tiranë?

36
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

“Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim” -Ekrem Vlora

 

Është e vështirë të besohet një gjë e tillë, por siç mund të lexoni më poshtë artikullin e botuar sot në gazetën “Dielli” të Federatës Pan-Shqiptare VATRA në Nju Jork të autores Ornela Radovicka nga Qëndra mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga Arbëreshi i madh, Antonio. Bellusci në vitin 1980. “Pak ditë më parë, çuditërisht, lajmi për pjesëmarrjen masive të botës intelektuale arbëreshe u anullua. Shumë prej atyre arbëreshëve kishin prerë biletat e udhëtimit drejt Shqipërisë dhe kjo situatë e krijuar nuk ishte për faj të Qëndrës, por për shkak të vendimarrjes së një organi tjetër. Flitet për Akademinë e Shkencave në Tiranë”, shkruan ajo mbi këtë akt banal e të turpshëm, të një enti, sipas meje, me prirje ende bolshevike edhe pas më shumë se tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri. Ja linku i artikullit të plotë botuar në gazetën “Dielli”:  Në kuadërin e Summit të III të Diasporës, annullohet pjesëmarrja masive e arbëreshëve! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Nëqoftëse pretendimet në këtë artikull të autores Radovicka nga Qëndra mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe e të Madhit, Antonio Bellusci, janë të vërteta, atëherë diçka nuk është në regull me organizimin e të ashtuquajturit Samiti III i Diasporës, që do të mbahet javën që vjen në Tiranë, e që, sipas Zonjës Radovicka përjashton pjesëmarrjen e përfaqsuesve të diasporës më të vjetër shqiptare të “gjakut të shprishur” që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Jeronim de Rada ;( Maki, 29 dhjetor 1814 – 28 shkurt, 1903), ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo-arbëresh, themeluesi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Ky vendim nga Tirana zyrtare për të anulluar pjesmarrjen e arbëreshëve në Samit po me qëllim ose aksidentalisht në ditëlindjen e Poetit të madh Arbëresh Jeronim De Radës (29 Nëntor, 1814), “Apostulli i parë i Rilindjes sonë kombëtare”, dhe “pararafolës i ringjalljes sonë kombëtare” (Ernest Koliqi). More njerëz, a jini në vete që merrni vendime të tilla, për të anulluar pjesëmarrjen e arbëreshëve nga ky i ashtuquajturi samit i diasporës! A e dini se Jeronim De Rada rreth 100-vjet para Naimit e Fishtës “ka ndezur në zemrën e brezave të kaluar, zjarrin e atdhedashjes, shpresën dhe besimin në fatin e popullit shqiptar”, Ekrem Vlora)? Dhe në javën e 28-Nëntorit, Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, përfshirë Arbëreshët, sidomos, diasporës Arbëreshe, kësaj “oaze rilindjeje kombëtare në diasporë”, (Mons Dr. Zef Oroshi) – të cilët gjatë historisë 5-shekullore kontribuan më shumë se çdo kush tjetër për ditën e bardhë kombëtare të 28 Nëntorit, 1912, që festohet javën që vjen.

Po a e dini ju se sa borxhe i kanë Arbëreshve, brezat e kaluar të shqiptarëve; përfshirë ata sot, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që janë: arbëreshve, “gjakut të shprishur” dhe Jeronim De Radës me shokë?

Po si është e mundur që sot, më shumë se 500-vjet më vonë, pasardhësit e atyre arbëreshve që me shekuj ruajtën gjuhën e traditat, gojdhanat e kulturën u anullohet pjesëmarrja në samitin e diasporës?!

“Pesqind vjet Arbërshët në tokën mikpritëse të Italisë ruajtën gjuhë e doke gojdhanore. Një mendje skeptike mund ta pleqnonte të kotë besniki të çuditshme”, -do të shkruante Ernest Koliqi, i cili mund të ketë bërë më shumë se çdo shqiptar tjetër mbi tokë për të kultivuar dhe ruajtur gjuhë e kulturë të arbëresheve për më shumë se 30-vjet sa ishte gjallë. Ai, Ernest Koliqi, i cili, ashtu si edhe arbëreshët e përjashtuar sot, vashdon të jetë i përjashtuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si anti-kombëtar e tradhëtar. Këta “akademikë”, përfaqësues të Tiranës zyrtare sot, a janë “mendje skeptikë”, apo diçka edhe më keq, që sipas Zonjës Radovicka anullojnë pjesëmarrjen e këtij brezi arbëreshësh në një takim të diasporës shqiptare në kryeqytetin e të gjithë shqiptarve pa dallim, në Tiranë. A janë të vetdijshëm, këta që marrin vendime të tilla, ndaj borxhit që Kombi shqiptar u ka, historikisht, arbëreshve për besnikërinë e tyre shekullore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Borxhi është i madh dhe vështirë për t’u paguar duke përjashtuar brezin e sotëm të arbëreshve nga organizime kombëtare të diasporës.

Na Shqiptarët që morëm në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th. pasqyrimin e Shqipërisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës Poetit të Makjit, por edhe vëllazënvet gjuhe e gjaku, që nën qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshmeNëpër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbëreshët e Italisë, kryen at vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar, që i Nalti Perëndi u përcaktoi atyre, kur në një stinë duhije e tmeri, lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në një vis të huaj, me ikona fetare e me hire shqiptare”. Kështu është shprehur Ernest Koliqi në një editorial kushtuar De Radës, me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së tij. Unë nuk i dijë arsyet e anullimit të pjesëmarrjes së arbëreshve në samitin e diasporës në Tiranë, javën që vjen, por e kam të vështirë të besoj një gjë të tillë. Si është e mundur?! Prandaj të gjithë duhet të kërkojmë përgjigje nga autoriteti organizues i samitit të pyetjeve që bën në artikullin e saj Zonja Ornela Radovicka:

Ornela Radovicka — Qëndra mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga A. Bellusci 1980.  Në kuadërin e Summit të III të Diasporës, anullohet pjesëmarrja masive e arbëreshëve! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

“Si mund të lësh jashtë këtij Samiti kërkues, autor tekstesh, studiues, hulumtues shumë nga ata individë, që kanë dhënë vërtetë një kontribut kolosal mbi botën arbëreshe, aq sa shpesh ia tejkalon edhe asaj istitucionale!

Si mund të flasësh për gjuhën e tyre e të lësh jashtë Samiti sportelet linguistike të botës arbëreshe?! Si mund të lësh jashtë samitit shumë associazione, organizata, shoqëri, që janë zemra, pulsi i jetës arbërore, të cilët mbledhin në gjirin e tyre botën reale arbëreshe?!

Si mund të lësh jashtë këtij samiti, publicistë, historianë, gazetare, poetë, shkrimtarë, intelektualë të ndershëm të botës arbëreshe?! Si mund të lësh jashtë këtij samiti grupet artistike arbëreshe, të cilët ruajnë folklorin, mbajnë gjallë etnografinë, gjuhën nëpërmjet rapsodive?!

Si mund të lini jashtë botës arbëreshe arkitekt, (me sa di unë asnjëherë nuk ka patur ndonjë projekt universitar mbi arkitekturën arbëreshe)!

Si mund të lini jashtë përfaqësues të bibliotekave, të cilët janë monumente të botës arbëreshe?

Si mund të lini jashtë arbëreshë qytetarë të thjeshtë, por aktivistë të dalluar, të cilët mbështesin çështjen e ruajtjes së identitetit duke ditur vështirësitë që hasin çdo ditë këta arbëreshë në asimilim ashtu edhe për shkak të politikave gjeopolitike të shpopullimit?”, -pyet ndër të tjera autorja e artikullit botuar të shtunën në gazetën “Dielli” të Nju Jorkut.

Unë për veten time nuk kam ndonjë përgjigje as hamendje se pse ndodh një gjë e tillë! Por një gjë e di se ky është një vendim – jo i të huajve –por i shqiptarëve dhe askujt tjetër. Diçka që më kujton fjalët e Ekrem Vlorës, një veprimtari të çështjes kombëtare, i cili gjithashtu me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së De Radës shprehet: “Çdo popull duhet të paguajë tagrin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore, që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e paguajmë këtë tagrin: Herë në mundime të brendshme, herë me vështirësinat që na shkakton moskuptimi i jashtëm. Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim… Mos kuptimet e të huajve na kanë ndaluar ose vonuar zhvillimin e plotë të idealeve kombëtare. Dikush na ka kujdesur, dikush na ka pasur besim e dikush nuk na ka druajtur. Me dashje ose pa dashje, të gjithë na kanë dëmtuar!

Për anullimin e pabesueshëm të pjesëmarrjes së arbëreshve në samitin e diasporës në vitin 2023 në Tiranë, me çudi dhe zhgënjim, Ekrem Vlora do të shprehej, se: “Duhet të flasim haptazi, se kështu sigurisht nuk e kanë ëndërruar De Rada edhe shokët e tij zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare!”,- ka shkruar Eqrem Vlora me rastin e 150-vjetorit (1964) të lindjes së Arbëreshit të njohur. Nuk kemi kujt t’i ankohemi për marritë tona! Megjithë natyrën time prej optimisti kur mësoj për lajme si ky, kam drojë se edhe Zoti e ka humbur durimin me marritë e shqiptarëve!