Nga Xheladin Çelmeta / Ish-ushtarakët, të persekutuarit në demokraci

991
Sigal

Fatkeqësisht, një ekuilibër i prishur mes ushtarakëve, Statusit dhe Kushtetutës në këto 22 vjet, ka prodhuar edhe debatet më të forta në rrafshin social, politik dhe mediatik. Thelbi i këtij debati, gjithnjë ka qenë i lidhur me një fakt: Me indiferentizmin, shpërfilljen e shtetit ndaj ushtarakëve në momentin që ata dalin në rezervë a lirim. Ushtarakët shqiptarë, njerëzit gjithnjë modestë e “të pa gojë”, i pranuan reformat demokratike të pas ’90-ës, si gjithmonë “për hir të interesave të Atdheut”. Ata po përtërinin kështu ritualin shekullor të tyre: Që, “luftëtarit i duhet të përballojë çdo sakrificë për interesat e mëmëdheut…” . Ata i pranuan reformat, jo për t’u diskriminuar, jo për t’u përbuzur nga qeveritë, jo për t’u lënë në rrugë të madhe, siç u lanë gjatë viteve 1992-’97, ’98, deri edhe pa asnjë pension a trajtim tjetër financiar. Ushtarakët shqiptarë kishin përjetuar edhe më parë reforma drastike, si për shembull, ajo e viteve ’60-’65-të, e njohur  me emrin “reforma e nëntëmijëshit”. Rreth nëntë mijë oficerë shqiptarë atëherë, regjimi i Enver Hoxhës i nxori në lirim e i hodhi në rrugë të madhe, duke i kthyer në kasapë e berberë… Teksa hedh këto radhë mundohem të ravijëzoj një “cv”, të gjej një fill të përbashkët, mes ushtarakëve të sotëm dhe paraardhësve të tyre. Personalisht i përkas asaj grupmoshe ushtarakësh, që shërbyen në dy kohë: Në kohën e totalitarizmit dhe në atë të demokracisë. Para nesh, ishte brezi i lavdishëm i oficerëve të luftës, të cilët duke trashëguar virtytet më të mira të luftëtarit shqiptar në shekuj, mbas çlirimit u bënë garantë të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, fitore këto, të arritura me gjakun e shenjtë të dëshmorëve. Garantë në çdo moment, në çdo pikë vrojtimi, në çdo majë mali e postë kufitare. E gjitha kjo, që Shqipërisë të mos i cenohej asnjë centimetër nga toka e saj. Të gjithë e dimë forcën e guximin që treguan ushtarakë tanë gjatë provokacioneve të gushtit 1949, kur shovinistët grekë tentuan më kot të preknin territorin e Shqipërisë. Më pas, radhët e Ushtrisë shqiptare patën një “gërshetim” brezash. Lindi brezi tjetër i oficerëve, shumë nga ata, bij të baballarëve të tyre, gjithashtu ushtarakë. Ishim ne, që bashkë me brezin e oficerëve të LANÇ-it, vuajtëm ndërkaq pasojat e “Luftës së ftohtë”, me “burgosje” të gjatë nëpër transhe e shtretër topash. Një front që, fatmirësisht ishte e thënë të mos hapej kurrë, por që gjithsesi mbeti gjithnjë “e fshehur” në trillet e një  politike globale plot me teka e pabesi. Gjithsesi, torturën ama, ne e vuajtëm në kurriz, keqazi, dhe me një pritje të pafund të “armikut që s’po vinte”. Pak a shumë, si ata ushtarët e “Shkretëtirës së tartarëve” të të famshmit Dino Buxati. Na u imponua kjo “torturë”, duke e çuar kështu sakrificën tonë në nivele ekstreme. Civilët kujtojnë zborin dy javor dhe vetëm për kaq, iu rrëqethet mishi. Atëherë ç’duhet të themi ne oficerët? “Të burgosurit me pistoletë në brez”, kështu e ka përshkruar Skënder Doda në një shkrim të tijin gjendjen e oficerëve të kohës së “luftës së ftohtë”, të cilët e lanë rininë e tyre nëpër shkrepa e maja malesh duke bërë roje natë-ditë. Me kushtrime e alarme. Këta, pra, ishin ushtarakët e asaj kohe. Njëlloj si të burgosurit politikë, edhe ushtarakët, sidomos ata të shërbimit roje e me trupa, ushqeheshin më “normën 1”. Konsiderohej si më e ulëta. Me menynë e çajit dhe të fasules. Asgjë tjetër. Po ushtarakët kurrë nuk folën për sakrificat e tyre. Asnjëherë. As dje dhe as sot. Ndoshta kjo “memecëri” fisnike e tyre, paradoksalisht i ka dhënë një lloj trajte debile asaj përqeshjes satanike të ndonjë politikani a politikaneje sot, kur kanë thënë se “ushtarakët paskan bërë luftë me… mullinjtë e erës”. Ushtarakët e shpërfillin me neveri këtë ironi, këtë fyerje. Donkishotizmi, nuk ka qenë e nuk është pjesë e karakterit të ushtarakëve shqiptarë. Në asnjë kohë. Jeta e tyre ka qenë dhe mbetet sakrificë dhe vetëm sakrificë për Atdheun. Si dje, ashtu edhe sot që janë pjesë e NATO-s. Sakrifica konsiderohet për ta, pjesë e natyrshme e misionit, tipari dallues i tyre. Ndryshe, kjo kohë e demokracisë prej 20 vitesh e ca, nuk do të ishte me kaq shumë të rënë në detyrë. Por edhe para kësaj kohe. Aty nga viti 1980, janë “Dëshmorët e Fekenit” që u flijuan për hir të një misioni luftarak stërvitor nga një ortek bore në malin e Meçekut. Pas ’90-ës, kemi të tjerë të rënë: Ushtar Arsen Gjini e kapiten Fatmir Shehu, rënë në detyrë në postën e Peshkëpisë së Gjirokastrës, në vitin 1994, pasi një komando e shovinistëve grekë, provokoi agresion ndaj repartit ushtarak shqiptar në jug. Pastaj vjen ’97-ta: Agron Myftari, kapiten, (1969-1997) rënë në detyrë më 8 mars ’97. Kapiten Muhamet Hasmuja (1859-1997) rënë në detyrë më 12 mars ’97. Kapiten Nuredin Gorçe (1968-1997) rënë në detyrë më 20 mars ’97. Toger Arben Hoxha (1973-1997) rënë në detyrë me 12 mars ’97. Kapter Fatmir Koka, rënë në detyrë më 1 mars 1997. Kapter Ismet Ishulli, rënë në detyrë më 8 mars 1997. Kapter Xhavit Cani, rënë në detyrë më 16 mars 1997. Kapiten Ferdinand Dosti, 29 vjeç, rënë në detyrë më 15 maj 1997. Major Albert Lelaj, rënë në detyrë më 9 qershor 1997. Kapiten Bardhyl Këlliçi, rënë në detyrë më 15 qershor 1997. Major Vladimir Çumaku, rënë në detyrë më 21 maj 1997. Nënoficer Osman Biba, rënë në detyrë më 17 shtator 1997. Më pas vijnë të rënët në tragjedinë e Dhemblanit: Nënoficer Namik Gjolena, rënë në detyrë më 6 maj 2006. Nënoficer Ardian Hana rënë në detyrë më 6 maj 2006. Vjen më pas Gërdeci me 26 qytetarë të vrarë, mes të cilëve edhe major Besim Canga, rënë në detyrë më 15 mars 2008. Heroizëm të pashoq kanë treguar edhe gjithë paqeruajtësit tanë në Irak, Afganistan e Bosnje. Kapiten Feti Vogli, ra në detyrë në Kandahar të Afganistanit pak kohë më parë… Ky pra është privacioni “pa limit” i jetës së ushtarakut. Ndaj dhe atyre iu duhet një Status dinjitoz dhe jo kështu siç është, gjithë mangësi e boshllëqe. Statusi ushtarakëve iu duhet jo për stoli, por për t’u zbatuar konkretisht. Statusi iu duhet që t’i mbështesë ata në çdo kohë dhe jo vetëm kur janë në shërbim aktivë. Siç e kanë gjithë vendet e Perëndimit. Pyetja shtrohet: Sa “i mbron” Statusi aktual ushtarakët tanë? Vështirë të japësh një përgjigje të saktë për këtë aspekt. Shtypi ka shkruar për lloj-lloj historish, ku duket qartazi që Statusi “i lë zbuluar” ata. Një shembull: Një ushtarak në rezervë, sipas njw gazete shqiptare të para pak kohëve, është dhunuar barbarisht pas asnjë shkak nga elementë kriminalë të një firme ndërtimi. Dhe ku? Mu në pragun e banesës së tij. E çka ndodhur? Ushtaraku është ndjerë pa asnjë mbrojtje. Firma ndërtuese ka zbatuar një skenar çnjerëzor ndaj kësaj familje të ushtarakut, edhe më pas. Duke gërmuar, deri në themel të banesës së tij, dhe institucionet përgjegjëse shtetërore, prapë nuk e kanë marrë atë në mbrojtje. E ç’të thuash më shumë se kaq? Le ta sjellim vëmendjen tek gjendja sociale e ushtarakëve në rezervë. Shifrat janë alarmante. Le ta lemë Aktin Normativ që është një precedent ligjor. Dikujt mund t’i duket çudi, por ja që ka ushtarakë në rezervë që nuk e kanë zgjidhur ende problemin e strehimit të tyre, edhe pse kërkesat pranë institucioneve përkatëse i kanë që nga viti 1985-’86. Ushtarakët, pra, pa asnjë hezitim, mund të quhen të persekutuarit e demokracisë.