Nga Gëzim ZILJA / Qëndrimi i PDIU-së para takimit Panariti-Avramopulos

214

Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, u takua këto ditë me homologun grek Dimitris Avramopulos. Sipas deklaratës zyrtare të MPJ-së në qendër të bisedimeve qenë bashkëpunimi dypalësh, projekti TAP, bashkëpunimi rajonal, zhvillimet në rajon si dhe ecuria pozitive e integrimit evropian të Shqipërisë. Ky takim i paraprin takimit zyrtar të 5 tetorit në Athinë.

Në prag të kësaj vizite kreu i PDIU-së, botoi në disa gazeta një artikull mbi “Mesazhet e shqiptarëve të Çamërisë për vizitën e Panaritit në Athinë”. Pasi e lavdëron Avramopulos-in për qëndrimin e tij miqësor me emigrantët ai gati lutet dhe shpreson në zemërgjerësinë e ministrit grek se ai “… të paktën do ta dëgjojë me vëmendje dhe jo vetëm do të flasë në takimin me zotin Panariti. Shtypi i ditës dt.28.9.2012” Idrizi shpreh frikën dhe pasigurinë “se Panariti, vetëm do të dëgjojë dhe do të mbajë shënime dhe do të ngrejë ndonjë problem të parëndësishëm. Po aty”.  Më poshtë i kërkon Panaritit që të marrë me vete ndonjë deputet çam pasi ky do të ketë guximin tua thotë në sy grekëve të vërtetën.

Zoti Panariti shkon në Greqi si ministër i një shteti sovran me një agjendë të parapërgatitur nga specialistë të MPJ-së, në përputhje të plotë me programin e qeverisë shqiptare për politikat e jashtme përfshi dhe Greqinë.

Në shkrimin e tij Idrizi, nuk përmend fare faktin e takimit të Panaritit me Avramopulosin në Nju-Jork. Ai duhet t’i kërkonte ministrit të sqarojë publikisht bisedimet që zhvilloi me homologun grek dy ditë më parë e mandej se çfarë do të bisedojë në Greqi. Mesa del nga deklarata e MPJ-së së Shqipërisë, çështja çame nuk është zënë fare në gojë. Për këtë Idrizi nuk reagon, nuk i kërkon llogari Panaritit, por i lutet që në delegacionin e 5 tetorit të marrë ndonjë deputet të PDIU-së, sigurisht atë, se Tahiri nuk ia thotë shumë për bisedime diplomatike. Le të ndalemi në disa pika:

1. Në artikull thuhet: “Si pjesë e zotimit të aleatëve tanë qeverisës që ta ngrenë çështjen çame në kontaktet diplomatike me Greqinë, unë dua t’ia kujtoj publikisht zotit Panariti këtë zotim…”  E përsërisim që qeveria aktuale shqiptare nuk është zotuar dhe nuk e ka në programin e saj çështjen çame. Këtë PDIU-ja e di shumë mirë që kur hyri në koalicion me PD-në. Atëherë çfarë i kërkon Panaritit ky njeri, kur ai është përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe ndjek programin e saj? Krerët e PDIU-së të ndodhur para një fakti të tillë mund të kërkonin një tryezë të përbashkët të partive të koalicionit qeverisës, ku të nënshkruhej një dokument angazhimi mbështetës për çështjen çame. Në rastin konkret nuk ka kuptim t’i kërkojë qeverisë diçka që ajo nuk e ka në program, por e kërkon një parti e vogël aleate.

2. Përsa i përket periudhës së Enver Hoxhës, gati sa nuk e falënderon kur shprehet se:

“Shqipëria e sotme nuk është në nivelin e Shqipërisë së Enver Hoxhës, e cila pjesë e një blloku komunist, në ato raste kur ka mundur të flasë me Greqinë, pjesë e një blloku tjetër, s’guxonte të ngrinte probleme”. Ashtu është por ama Enver Hoxha ua hoqi me dekret shtetësinë greke, çamëve, duke u bërë një shërbim të paçmuar qeverive greke. Nëse ky veprim nuk do të ishte bërë çështja çame sot do të ishte më e thjeshtë për tu zgjidhur. Për të mos folur pastaj për denigrimin që u bën komisarët e kuq me mënjanimin e tyre dhe vendosjen e epiteteve poshtëruese.

3. Është e vërtetë se në qeverinë “Meksi” ka pasur ca belbëzime për çështjen çame si ajo e ngritjes së një komisioni në nivel teknikësh. Por në vitin 1996 po ajo qeveri firmosi traktatin e miqësisë me Greqinë ndoshta më i rëndësishmi midis dy shteteve në këta 20 vjet. Në atë traktat  nuk ka qoftë një bashkëtingëllore ose  zanore, ku të përmendet problemi çam. Kështu që kot e ka që lavdëron presidentin dhe kryeministrin e asaj kohe.

4. Lidhur me paktin për kufirin detar Idrizi, kërkon që:”zoti Panariti… t’i përmbahet linjës së imponuar nga Gjykata Kushtetuese, për çështjen e përkufizimit të zonave ekskluzive detare..”. Janë dy fjalë aty “imponim” dhe “përkufizim” që në kontekstin e shkruar nuk qëndrojnë. Ajo që ka vendosur Gjykata Kushtetuese është Vendim Ligjor i pakundërshtueshëm dhe përfundimtar dhe si i tillë duhet zbatuar nga qeveria. Zoti Panariti, si pjesë e qeverisë është i detyruar ta zbatojë atë kur të shkojë në Athinë më 5 tetor. Idrizi mund t’i thoshte Panaritit se ky është detyrim kushtetues dhe në  rast se nuk e bën këtë duhet të japësh dorëheqjen.

5. Nuk është hera e parë që Idrizi, sillet si multimiliarder e bën aluzion se ai me shokët e tij janë aq të pasur sa mund të blejnë disa ishuj grekë, duke nënkuptuar ndoshta edhe Çamërinë. Tallje apo injorancë?! Nëse Idrizi ka aq para sa ta blejë ishuj e toka greke, pyetja e parë që të vjen në mendje është që ku i gjeti aq para, kur Shqipëria ka njëmijë halle e po vret vëllai-vëllanë nga padituria e varfëria? Kujt do t’i shesë mend Idrizi se po “kërcënon” Greqinë me blerje ishujsh e tokash, Çamëve të Skelës, të Vlorës apo Fierit? Por këto ndodhin kur njeriu humbet sensin e masës dhe përsëri vijmë te fabula e La Fontenit, për bretkosën që donte të bëhej sa një ka.

Po qe për trimëri le t’i kërkojë ballas Kryeministrit, që të vendosë në programin e qeverisë çështjen çame e t’i bëj presion me ato dy votat e arta. Jo t’i kërkojë drejtorë doganash, tatimesh, INSIG-esh, ndërtimesh, patentash etj., vende ku ka tenderë e del leku i pistë. Fundja një zëvendës ministër të jashtëm të kishte kërkuar PDIU-ja. Ose të organizojë ndonjë veprim ose tubim por atje ku do të bëhet takimi, në Greqi, jo në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Për ta mbyllur theksoj se krerët e PDIU-së nuk i dalin dot ballas Kryeministrit për problemin çam se pastaj hapen avaze me atë ushtri drejtorësh e zëvendësministrash që çuditërisht nuk janë nga çamët e Vlorës e Fierit (kësaj çështjeje do i kthehem së shpejti) por nga Tirana e aty rrotull. Prandaj i jargaviten Avramopullosit duke i thënë që është burrë i mire dhe i drejtë, ose këshillojnë ministrin Panariti se ç’duhet të bëjë në takimin e 5 tetorit.