Ëngjëll Musai/ Pasaporta Diplomatike, sa ironike…?!

571
Ju mundet të mos përgjigjeni për atë çka shqiptarët kërkojnë nga Ju zotërinj politikanë. Por mua nuk më ndalon askush t’ju pyesë vazhdimisht dhe në emër të shqiptarëve, se përse nuk ndiqni shembullin e kombëtares, të cilët të bashkuar na çuan në Europë. E mendova këtë gjë teksa dje po dëgjoja kryeministrin shqiptar, që u premtoi Pasaporta Diplomatike, ata që sot janë Nderi i vërtetë i Kombit. E rimendova përsëri në mbrëmje, kur dëgjova që kreu i “Rilindjes”, Edi Rama premtonte si gjënë më të shtrenjtë paratë. Tipike për një grupim, i cili ka tre vjet që vetëm grabit dhe se këto monstra do t’i kishte zili edhe vetë “Ali Baba me 40 hajdutët”. Por Edi Rama ende nuk e ka kuptuar, se as Pasaportat Diplomatike dhe as pesë paratë nuk kanë vlerë përpara dinjitetit dhe krenarisë që djemtë e kombit i dhanë çdo vatre shqiptari. Edi Rama, këtë gjë nuk e kupton, sepse edhe vetë kurrë nuk u ngjit në lartësinë e duhur të një sportisti jo vetëm nga gjestet, por edhe nga niveli tekniko-profesional.

 Ndaj është në nderin e tij të qëndrojë me Xhani De Biazin dhe të mësojë se si punohet në grup dhe se si ai, De Biazi gjeti çelësin e artë të portës europiane. Veç një gjë zoti Rama, hiqe nga mëndja fjalën para, se është e turpshme dhe na e nxinë festën madhështore që na dhuruan djemtë e Shqipes dhe sportdashësit “Kuq e Zi”! Nëse ju vërtetë ju dhimbsen futbollistët, por edhe publiku shqiptar nuk do të kishit lejuar kurrsesi që ky kampionat “Francë 2016” t’u shitej paturpësisht me para njerëzve më të varfër të Europës. Ne taksapaguesit paguajmë paratë për Televizionin Publik dhe këto para u vodhën dhe u bënë rrush e kumbulla nga një grup klientelistësh shumë pranë jush. E pra ky është turpi, por edhe duhej të ishte angazhimi juaj i vërtetë dhe jo show që po kërkoni të bëni me Përfaqësuesen e Kombit Shqiptar. Por le të kthehemi tek “Pasaportat Diplomatike”! Rama u thotë heronjve që shkruan historinë se do u jap “Pasaportë Diplomatike “, kur ata të drejtën e përfaqësimit në “Francë 2016” e fituan me investimin, përgatitjen dhe përkushtimin disa vjeçar. Rama me këtë gjest u thotë “Yjeve të Kombit”, se duke marrë pasaporta do shkëputeni nga miliona sportdashës Kuq e Zi dhe do të ktheheni në oborrtar dhe argëtues të “Rilindjes” dhe do i bashkoheni Frokve, Nokve, Roshve e dhjetëra drejtuesve, që kanë uzurpuar administratën. 

Por Rama përsëri gabon, sepse këta deputetë u bënë me Pasaportë Diplomatike, sepse kishin kusure nga zullumet që kishin bërë, me drogën, krimet dhe manipulimet. Ndërsa Ju, “Kuq e Zi” jeni Yjet e Futbollit “Francë 2016” dhe do të shkruheni në librin e artë, pasi nderuat Kombin dhe gëzuat zemrat e të gjithë shqiptarëve pa dallim, feje, krahine dhe ideje politike. Ndaj po të kishit dëgjuar politikanët shqiptarë do ishim peng i Europës, ashtu sikurse e kanë lënë politikanët integrimin e vendit këto 25 vite… Ndaj Ju politikanë largohuni nga Kombëtarja, se ajo është e Kombit Shqiptar dhe jo e interesave tuaja meskine dhe të ndyra. Ndaj sa me larg duart e politikes prej sportit, artit, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë etj, aq më e sigurt do jetë e ardhmja e vendit. Shqiponjat nuk kanë nevojë për pasaportën tuaj të helmatisur me interesa personale, sepse Diplomacia Botërore u bind që Kuq e Zi e fushës së gjelbër dhe Kuq e Zi e shkalleve të stadiumit janë imazhi më i mirë i kulturës, qytetërimit dhe humanizmit, ndërsa juve politikanëve ju mbetet turpi i dështimit të integrimit. Sportdashësit, Ultrasit dhe “Kuq e Zi” e fushës treguan se e keqja e këtij vendi janë Politikanët Anti-Shqiptare. Ndërsa Ju Stërnipërit e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Buletinit, Qemal Stafës, Nënë Terezës, Adem Jasharit dhe qindra heronjve, luftëtarëve, shkencëtarëve dhe humanistëve do t’ju bekojë Zoti në jetë të jetëve, së bashku me familjet tuaja që ju rritën dhe ju edukuan me ndjenjën e atdhedashurisë për kombin dhe tokën e SHQIPONJAVE… 

Sigal

*Drejtor i Gazetës “Telegraf”