Berberi:Takimi e biseda e gjatë me Çu En Lain dhe gruan e Maos në festën e Ushtrisë së Kuqe

759
Sigal

EKSKLUZIVE/ Dr. Myzafer Berberi rrëfen misteret dhe kualifikimin në Akademinë Bërthamore të Kinës në 1971-n

“Në një mënyrë provokuese, sfiduan përfaqësuesit e 150 vendeve dhe erdhën tek tavolina e shqiptarëve”

Ishte përvjetori i Ushtrisë së Kinës, 1 gushti i vitit 1971. Në sallën e Madhe të Kombeve, ku ishin delegacione të larta të 150 shteteve e mbi 5 mijë të ftuar, në vendin e nderit, vendoset delegacioni nga Shqipëria. Në këtë festë janë dhe një ekip mjekësh specialistë ushtarakë shqiptarë, radiobiologu  Myzafer Berberi që po kualifikohej në Akademinë Bërthamore.  Në pikun e festës, në një mënyrë tejet të dukshme, Kryeministri kinez Çu En Lai së bashku me Çian Çinin, gruan e Mao Ce Dunit, në parakalim  e ‘sfidë diplomatike’ para 150 delegacioneve pjesëmarrëse, nisen e qëndrojnë gjatë me pjesëtarët e delegacionit shqiptar. “Ishte një gjë emocionuese. Përtej sfidës diplomatike e ‘karshillëkut’ ndaj shumë delegacioneve, ne ndjemë respektin e popullit kinez për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ishte koha në të cilën Mao Ce Duni kishte rënë dakord për vizitën e Niksonit në Kinë…”-pohon për ‘Telegraf’, Dr. Myzafer Berberi. Në rrëfimin e tij ai tregon gjithashtu për peripecitë e udhëtimit ‘sekret’ nga Tirana në Pekin, për ngjarjen e rëndë në avionin e linjës, për Institutin bërthamor të Kinës, ku Berberi ishte i vetmi i huaj që kualifikohej për armën bërthamore, për udhëtimin me jahtin e Mao Ce Dunit,etj…