Kiço Kutali/ Resul Bedo, simbol i heroizmit masiv, monument i lavdisë kombëtare dhe pasuri kombëtare

910
Sigal

 Me atdhetarizmin në zemër e shpirt, ka 88 vite që ecën nëpër heroizmin masiv dhe është bërë një me lavdinë e kombit. Është lëvruesi më i madh dhe i paarrirë nga të tjerët, që ndriçon kohërat e zjarrta, të patjetërsueshme, të pavdekshme dhe të përjetshme; luftërat e zhvilluara nga populli dhe kombi për çlirim dhe mbrojtje. Do ta personifikoja legjenda e shkrimeve patriotike me kontribut të madh dhe të veçantë ndaj kombit e atdheut. U lind më 1926 në fshatin me emër madhor, Fushëbardhë. Në fakt e lindi atdhedashuria, traditat e shkëlqyera labe, kultura krahinore, intelekti, të cilat u bashkuan, u shkrinë, u trupëzuan, u konvertuan dhe na dhanë mrekullinë me emër madhor, Resul Bedo. Është i vetëm, që heronjtë dhe dëshmorët i ka bërë yje të pashuar dhe ballëndritur, sepse edhe Resuli tashmë është kthyer në yll i pashuar e ballëndritur. Resuli është si bleta që, pasi thith nektarin e përpunon, pastaj me anën e dorës e derdh në tregime, novela, skica, romane, libra dhe na kënaq me ëmbëlsinë e mendjes dhe të shpirtit të tij; është kjo arsyeja, që mençurinë, punën, mundin e tij e gjen në çdo vatër, në çdo shtëpi, në krahinat dhe qytetet e Atdheut, por edhe jashtë tij; është bërë i dashur me të gjitha shtresat, ndërkohë kthyer në idhull, në mit, në legjendë dhe dritë. Ishte fat i madh i Atdheut, Kombit, UNÇ dhe në veçanti i Br. 6S që, në radhët e saj kishte një partizan trim, kuadër të zotin e rezultativ, një shkrimtar të madh me pathos dhe muzë të jashtëzakonshme, i cili me aktivitetin luftarak dhe shkrimet letrare u bë kreu, maja më e lartë, më madhështori dhe kjo sepse, ngriti në piedestal epopenë më të lavdishme dhe nga më të ndriturat e popullit tonë, LANÇ; Provokacionet e 2 gushtit dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës. Naimi u shkri si qiri, ndriçoi dhe bëri popullin të vetëdijshëm për të ardhmen, pra e zgjoi; Resul Bedo, duke trajtuar heroizmin masiv popullor kombëtar ndezi përsëri qiriun e Naimit dhe po ndriçon rrugën, e cila na drejton andej nga ka rrjedhur, ardhur dhe vjen lavdia. Librat e tij, seria e “yjeve të pashuar”, “yjet që ranë në çlirimin e Tiranës”, “trimat e UÇK”- së dhe shumë të tjerë, janë si kënga polifonike labe, e cila ka ardhur nga lashtësia e do shkojë në përjetësi. Kënga luftarake dhe heroike e Resulit, duke u përjetësuar në libra, është e përjetshme dhe pavdekshme, sepse e kanë mësuar dhe e këndojnë të gjithë; se trajton lavdinë, heroizmin masiv popullor, heronjtë dhe dëshmorët ndaj është një nga këngët më të mira, më të bukurat dhe nga më të lavdishmet. Në këtë kuptim Resul Bedo, është e mbetët njeri jashtëzakonshëm; emblema dhe simboli i heroizmit masiv; monument i lavdisë dhe pasuri  Kombëtar. Është e do ngelët i pavdekshëm, i përjetshëm dhe i patjetërsueshëm, thesar që ndriçon. Ai, jo vetëm tregon, por ka gdhendur me germa  artobelisku aktivitetin luftarak të atyre ditëve të stuhishme kur drita e syrit, rrahja e zemrës, gazi i shpirtit dhe ëndrra e jetës ishte liria, çlirimi dhe mbrojtja e Atdheut në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në trojet tona. Profesor Resuli, na mëson: “E ka të shtrenjtë koston liria. Për të u derdh gjaku lumë, në të gjitha trevat tona”; ndaj përçarja nuk ka vend në kombin e lashtë që kërkon bashkim.

Resul Bedo, në këtë nivel të lartë, në këtë pikë kulmore, në këtë majë lavdie nuk ka ardhur rastësisht, por me punë, sakrifica dhe përgatitje të vazhdueshme; avash, avash, me hapa të sigurta e gjithmonë në ngritje. U lind në një ambient të panënshtruar dhe luftarak, sa trimëror aq e të mençur dhe nëpërmjet qumështit të gjirit, nëna i dha atdhedashurinë e domosdoshmërinë për të qenë i lirë. Kur Atdheu u pushtua, megjithëse 15-vjeçar, ishte nga të parët që u rreshtua në çetën “Çerçiz Topulli”; pastaj në batalionin “Asim Zeneli” dhe më vonë në Br.6S. Ky shkrimtar i madh u kalit në zjarrin e luftës për çlirim, në fillim si partizan i thjeshtë, por që u dallua nga aktiviteti i tij dhe morri përgjegjësi drejtuese deri nënkomandant batalioni. U farkëtua në betejat e zhvilluara në të gjithë territorin e Atdheut dhe jashtë tij, deri në Vishegrad të ish- Jugosllavisë. Në këto luftime u krijua portreti i partizanit trim, komandantit sy patrembur, por edhe i shkrimtarit të madh realist, që thotë të vërtetën e parë me sy, por edhe si aktor direkt. Më dy gusht 1949 erdhi një tjetër luftë, ku Resuli, do të tregonte aftësitë e rralla si komandant trim dhe drejtues i zoti. Greku sulmoi në befasi vendin dhe u zhvilluan luftime të përgjakshme. Resuli ishte në frontim më të vështirë, në Vidohovë. Ja se çfarë shkruan gazeta “Zëri i Popullit” në ato ditë të stuhishme: “..Gjatë luftimeve janë bërë trimëri të rralla dhe zotësi  të çuditshme nga kuadrot, si p.sh. Kapiten Myslim Xhezo, Toger Resul Bedo, të cilët po dekorohen dhe të ngrihen pa frikë në përgjegjësi…”; ndërsa në një njoftim në formë komunikate shkruhej; “Në luftimet kundër monarko-fashistëve grekë, u manifestuan traditat e shkëlqyera të heroizmit legjendar të Vojo Kushit, Perlat Rexhepit, Asim Zenelit, Kajo Karafilit dhe sot u pasua nga heroizmi i shokëve: Memo Nexhipi, Ferit Beqiri, Resul Bedo….”. Kështu shprehen, thonë, shkruajnë drejtuesit e luftimeve, të operacioneve; udhëheqësit që merrnin pjesë direkt në ato provokacione dhe Resulin e bëjnë ashtu siç ish, hero, sepse veprimtaria e tij ishte heroike. Sot krenohemi se këtë hero e kemi të gjallë dhe midis nesh, i cili për luftën e pabesë të 2 gushtit ka shkruar 9 vëllime.

Një luftë tjetër do ta përfshinte heroin tonë, tanimë të kompletuar me të gjitha vetitë dhe virtytet e një shkrimtari të madh, që për trajtimin e LANÇ dallonte mbi të tjerët, si një mal i lartë dhe krenar. Kur Kasapi i Ballkanit shpërnguli me zjarr e hekur vëllezërit tanë kosovarë dhe bota u habit me mikpritjen tonë; kur UÇK-ja ishte ngritur në luftë për liri dhe së bashku me NATO – n po shpartallonin ushtrinë serbe; Resuli, në moshë të thyer, u bashkua me trimat kosovarë, jetoi me ta, pa nga afër heroizmat e tyre, bombardimet e NATO-s dhe shkroi 5 vëllime. Kështu lavdinë dhe heroizëm masiv që e mbante ngarkuar e ka shkarkuar në 102 libra, për lirinë  e pavarësinë kombëtare dhe atdhetare. Ky aktivitet i veçantë, ky përkushtim atdhetar, ky njeri i apasionuar pas heroizmit masiv, që jetën e ka për popullin dhe Atdheun, dje Mal, sot e kemi Alp të lartë dhe krenar për çfarë ka bërë, bën dhe do të bëjë në të ardhmen.

Të gjithë themi se luftërat për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut janë të lavdishme, por i lavdishëm është ai që na i ka lënë të shkruara në libra; ndaj, në këtë 70-vjetor të çlirimit të Atdheut, Resul Bedon, do ta përcaktoja gjeni, legjendë, simboli dhe dielli që ndriçon kombin tonë; madhështor ne trajtimet letrare të veprimtarive luftarake, shembull frymëzimi, mrekulli atdhedashurie, monument lavdie, pasuri të madhe kombëtare, model për shkrimtarët e historianët dhe etalon për edukimin e brezave që do vijnë. Heronjtë dhe dëshmorët luftuan, çliruan dhanë jetën kundër pushtuesve gjakatar; Resuli i ngriti në qiell dhe i bëri yje të pashuar, ndërsa populli i vendosi në Panteonin kombëtar.

Si ish-ushtarak, shkrimet e tij do t’i përcaktoja Armata e heroizmit masiv dhe e lavdisë shqiptar Resulin, komandantin e saj; vëllimet “Yje të pashuar” janë korparmatat; romanet – divizionet; novelat – brigadat; tregimet – batalionet; episodet – kompanitë; fjalët – togat dhe rrokjet – skuadrat; ndërsa germat ushtarët që kanë pushtuar kombin, ndërkohë, edhe shqiptarët, kudo ku janë, të cilat janë futur shtëpi më shtëpi, vatër më vatër e zemër më zemër të çdo njeriu patriot duke biseduar ëmbël – ëmbël dhe ngrohtë për heroizmin e popullit tonë. Kur Atdheu ndrin me LANÇ, Resuli ndrin me 86 vite dhe 102 veprat në interes dhe për lavdinë Atdheut. Me këtë mal me libra e vëllime; ka ngritur heronjtë dhe dëshmorët në fluturime. Në hapësirë, janë ata që ndrijnë si meteor dhe vetë Resuli është ylli më i bukur qiellor.

Veprimtaria e tij tregon se ku lind nevoja për mbrojtjen e Atdheut; ku derdhet gjaku për liri dhe pavarësi; ku janë heronjtë dhe dëshmorët; ku mbrohet LANÇ; ku kërkohet bashkim etnik; kur thërret Atdheu është Resuli; ndërsa atdhedashurinë, heroizmin masiv, krenarinë dhe lavdinë e kombit, i pari e hedh në libër Resuli. Është i vetmi që heronjtë dhe dëshmorët, pasi i futi Atdheu në gji, i morri plot dhembshuri dhe i ngriti në qiell një e nga një. Ngrini kokën dhe shikoni, janë ata që e zbukurojnë dhe e ndriçojnë hapësirën e vendit tonë; ndriçojnë këtë tokë dhe do jetojnë sikur të shembet edhe kjo botë; se toka mund të zhduket, por yjet kurrë. Është si Naimi, i cili ngeli bilbili i letrave shqipe, i krenarisë; Resuli, bilbili i heroizmit dhe i lavdisë. Edhe në se flet me absolutizma për Resulin, nuk bën gabim, përkundrazi tregon një realitet e mbi të gjitha dhe brenda tij të vërtetën e këtij realiteti. Ndërkohë gjykon vetveten, në se ja ke arritur t’ja nxjerrësh të gjitha vlerat, vetitë e virtytet që ai ka reflektuar. Duke përfunduar mendoj për shkrimtarëve që janë në pleqërinë e thellë, qeveria duhet tu krijojë kushte lehtësuese, krijuese, çlodhëse, argëtuese dhe t’i trajtojë pasuri kombëtare; ndërsa Resulin, në kuadrin e 70- vjetorit të çlirimit të Atdheut, t’i japë titullin “Nderi i Kombit”. Me këtë rast, ne shokët e tij, në këtë përvjetor të lavdishëm i urojmë shëndet, gëzim, lumturi në familje jetë të gjatë, pleqëri të mbarë dhe prodhimtari të lartë për LANÇ. Librat e tij kanë qenë, janë dhe do të mbeten dieta dhe ushqimi më i mirë për të gjithë shtresat dhe sidomos për brezat që do vijnë.