Librazhdi, mes jetës dhe mjerimit!

1346
Sigal

FAKTET FLASIN/ Pamjet e qytetit në orët e para të mëngjesit janë të ngjashme me një kamp internimi

Pamjet e Librazhdit në orët e para të mëngjesit janë të ngjashme me një kamp internimi, me pamje të përditshme të ngjashme; njerëz që dalin të lodhur nga shtëpitë e tyre, me rroba të blera tek tregu me kile, të paushqyer dhe pjesa dërmuese e tyre pinë duhan të dredhur me qëllim që të kujtojnë zonat e thella nga kanë ardhur. Mjerimi i këtyre njerëzve nuk ka fund, por për çudi, të ndarë në shumë forca politike, këta proletarë të punësuar me forcën në pushtet mendojnë në mbledhjet e partisë se janë të djathtë, kurse buka që marrin me vete i demoralizon kur ulen tek vendi i punës i dhuruar nga partia në pushtet. Lind menjëherë pyetja se çfarë arsimi kanë dhe ku kanë studiuar? Brezi i ri në Librazhd ka emigruar jashtë shtetit edhe me kursimet e mbledhura duke vjelë ullinj ose portokalle kanë investuar për të përvetësuar një diplomë, edhe qyteti del si qytet i akuzuar nga vet banorët e tij të cilët presin të ardhme nga prindërit e tyre të lodhur dhe të ngarkuar me një mjerim të qytetëruar. As Nënë Tereza dhe asnjë teqe nuk mund t’i furnizonte me ushqime këta mjeranë të braktisur nga vetvetja e tyre. Pushteti vendor me të gjitha mundësitë e tij u kishte siguruar kushte minimale jetese, por duhet të tejkalohej kjo situatë dhe koha erdhi vetëm për disa servilë, të cilët mendonin se do të përvetësonin, por nuk përvetësuan asgjë, që mendonin se ishin ndryshe, por nuk ndryshuan as fëmijët e tyre, që mendonin se do të realizonin investime, por nuk investuan asgjë, që mendonin se do të hapnin vende pune, por hapën vende pune vetëm me kohë të pjesshme jashtë institucioneve, d.m.th, vetëm për të duartrokitur partinë në pushtet. Biznesmenë në Librazhd vetëquhen tregtarët e tregut të qytetit, ata janë aktiv dhe tek Dhoma e Tregtisë, por përpara ata kanë të mbërthyer kuletën e parave dhe tani e mbajnë dhe të hapur, sepse nuk ka çfarë t’u bjerë nga ajo. Të gjitha ato çfarë kam faktuar dhe shpjeguar më sipër janë pjesë nga jeta, d.m.th, nuk janë as sajesa dhe as dëshira në Librazhd, përball kësaj katastrofe duhet një reagim shumë i fort njerëzor, sepse njerëzit i bëjnë ligjet dhe ligjet duhet të jenë në funksion të shqiptarëve.

Arlis ALIKAJ