Nga Gëzim ZILJA / Dy qëndrimet e PDIU-së për takimin Avramopulos-Panariti

655
Sigal

Vizita e ministrit Panariti në Greqi ka kohë që mbaroi. Ca thanë me sukses, ca pa sukses, disa që ishte kot fare etj., etj. Takimi i një rangu të tillë quhet i suksesshëm nëse aty arrihet ndonjë marrëveshje dhe natyrisht firmoset nga të dy palët, që më vonë ato të jenë të detyruara ta zbatojnë. Vërtetësisht shteti shqiptar ka shumë çështje serioze të lëna pezull me shtetin grek që nga ligji absurd i luftës, problemi i pronave dhe gjenocidit çam, i trajtimit të emigrantëve dhe së fundmi ai i përcaktimit të kufirit detar. Takimi i të dy ministrave ishte një takim miqësor, ku u cekën shumë probleme dhe nuk u zgjidh asgjë. Në takimin miqësor ku u tha shumë, çdo gjë iu la të ardhmes duke përfshirë edhe çështjen e pronave ( kaloi gjysmë shekulli) të çamëve. Madje u tha se do të shikohet edhe çështja e kufijve detarë ( sipas ministrit grek) që në fakt sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese shqiptare nuk ekziston. Në takim ministri shqiptar përmendi edhe problemin e pronave çame. Ama jo dëmshpërblimin, jo gjenocidin, jo kërkesën e ndjesës për krimet e bëra nga formacionet e rregullta të ushtrisë greke ndaj popullsisë së pambrojtur çame, jo ndalimin e prishjen së varrezave të vjetra dhe ngritjen e hoteleve turistike mbi to. Zëdhënësi i Avramopullosit duke mos lënë keqinterpretime lidhur me takimin theksoi se: “…Greqia është shtet i ligjit dhe kushdo që ka pretendime për pronat duhet të përballet me drejtësinë greke…” Më qartë e më shkoqur nuk ka ku të shkojë. E “përkthyer ” kjo do të thotë që nuk ka çështje çame në kompleksitetin e saj, e se kush ka një pronë le ta kërkojë pse jo, kur kështu veprohet në gjithë botën e qytetëruar demokratike. Gjithsesi ajo që dua të diskutoj është entuziazmi i papërshkruar me të cilin u prit nga kryetari i PDIU-së përmendja e çështjes së pronave të çamëve nga ministri shqiptar. Ai do të theksonte: “Unë kam folur me zotin Panariti para dhe pas takimit dhe jam shumë i lumtur që më në fund kjo çështje u ngrit në mënyrë zyrtare si temë e agjendës së bisedimeve …Asnjë ministër i jashtëm nuk duhet të guxojë të heqë këtë çështje nga agjenda. I bëjmë thirrje skeptikëve të durojnë dhe komunitetit çam të besojë dhe të shpresojë…”  Nuk mendoj se ka vend për lumturi meqenëse një ministër shqiptar “rrokëzoi” fjalët jo të ndaluara “pronë private” pranë ministrit grek. Dhe meqenëse jemi këtu ajo studioja e famshme angleze që e ka pajtuar PDIU-ja për pronat e çamëve këtu e tre vjet më parë nga kullot dhe pse e mbajnë sekret krerët e PDIU-së? Ndërsa fjalët ” … se asnjë ministër nuk duhet të guxojë të heqë këtë çështje (çame) nga agjenda…”  mund të merren seriozisht nga Panariti dhe ata që do të vijnë pas tij por jo nga njerëzit e thjeshtë që lexojnë gazeta. Ata e dinë që kjo mënyrë të foluri prej trimoshi është retorikë boshe dhe pa kuptim. Sa për të shpresuar le të shpresojnë çamët dhe jo çamët. Kush mund t’i ndalojë të bëjnë një gjë të tillë kur këtë ua thotë kryetari i partisë? Personalisht unë hyj tek skeptikët. Nga ana tjetër deputeti çam Dashamir Tahiri, në një shkrim të datës 6 tetor me titullin “Strategji për çështjen çame” e gjykon takimin dypalësh dhe problemet e ngritura fare ndryshe. Ai nuk shpreh ndonjë lumturi të madhe për takimin Avramopullos-Panariti. Me doza ironie ai thekson: “Vetëm përmendja e togfjalëshit apo vetëm  togfjalëshi “kjo çështje kërkon zgjidhje” është shumë pak”. Tahiri përgjigjen “drejtohuni gjykatës” e quan cinike dhe thekson: ” Ka ardhur koha madje jemi të vonuar që zëri ynë të jetë  më i fortë dhe kërkesat tona për çështjen çame të mos përmblidhen në një rresht…” Deputeti Tahiri nuk artikulon falënderime të mëdha për ministrin Panariti dhe përfundon: ” Shqipërisë tashmë i duhet nja strategji reale për këtë çështje…” Nuk duhet t’i hyjë këtij propozimi se jemi në  pritje të paraqitjes se rezolutës çame në parlament. Pra nuk mund të flasim për strategji reale të shtetit shqiptar kur ky ende nuk ka aprovuar të paktën një rezolutë që e njeh nga ana e tij çështjen çame. Pastaj flasim edhe për strategjitë. Kësaj në Vlorë i thonë: Shtyu tutje, pa piqemi më vonë. Sidoqoftë ajo që duhet theksuar është qëndrimi i ndryshëm i kryetarit dhe nënkryetarit  të PDIU-së ndaj vizitës së ministrit të jashtëm Panariti në Greqi. Njeri i lumtur, gjithë hare e gëzim i drejtohet komunitetit çam të presë, e të shpresojë se po mbërrin “dita çame” dhe tjetri i përmbajtur, skeptik, duke nënkuptuar se bisedime të tilla janë sa për të shkuar radhën dhe e çojnë zgjidhjen e problemit çam në pafundësi.

Në programin e PDIU-së, në trembëdhjetë titujt e tij, çështja çame zë vetëm një titull, atë të gjashtin të ndarë në pesë çështje. Ka shumë frazeologji, shumë terma të përgjithshme, ku përmenden fjalët, problemi çam dhe padrejtësi, por gjëkundi nuk sqarohet që çfarë është ky problem çam, nuk përmenden fjalët kthim pronash, gjenocid, varreza etj. Duket se programi është ai i vjetri i PDU-së ku problemi çam është një nga  trembëdhjetë objektivat e programit të saj. Me bashkimin PDI-PDU programi nuk ka pësuar asnjë ndryshim duke mbetur ai i PDU-së. Aq e vërtetë është kjo sa po t’i hedhësh një sy faqes së internetit (thjesht kliko, pdiu) sigla PDIU, shfaqet vetëm në fillim pastaj gjithçka që lexohet në program fillon me “PDU synon të…”. Mund të jetë një nënvleftësim, parregullsi, moskokëçarje, harrim i qëllimshëm etj. Por kjo tregon ama, se bashkimi i partisë çame me PDU-në është bërë formal, duke e renditur problemin çam të gjashtin nga trembëdhjetë që ka programi i përbashkët. Mendoj që në programin e PDIU-së problemi çam duhet të rishikohet, të riformulohet dhe të zër vendin më të rëndësishëm. Ndoshta nga kjo vijnë edhe qëndrimet e ndryshme të krerëve të saj lidhur me takimin e ministrave të jashtëm grek e shqiptar. Njeri deputet është i lumtur dhe plot shpresë, ndërsa tjetri skeptik, i pakënaqur dhe kërkon strategji të shtetit shqiptar për problemin. Nëse PDIU-ja ka një kryesi partie (duhet të ketë) ajo duhet të përcaktojë qartë në program se çfarë kërkon, ku dhe si e kërkon, cilët janë aleatët e saj, si do e realizojë zgjidhjen çame, etapat, afatet, etj., etj. Se është e vështirë të kuptojë çami i thjeshtë në atë lumë frazash të programit sesi do të “zgjidhet” halli çam. Dhe për ta mbyllur meqenëse jemi te programi. Në hyrje të tij lexohet me germa të mëdha fjala “Preambula”. Kjo fjalë nuk gjendet në fjalorin shqiptar. Në fjalorin italian gjendet fjala “Preambolo” dhe përkthehet: Hyrje. Ndoshta duhet shkruar shqip, Hyrje, se “preambula” të paktën në tre fjalorë të huaj, nuk gjendet si fjalë.