Të ftuarat në studio

767
Fejton, nga Hyskë Borobojka 

Pesë ditë të javës, sa vete ora 17-të, unë gjendem përpara ekranit të televizionit “Klan” për të ndjekur emisioni e preferuar atyre që ka ftuar drejtuesja e emisionit. Të ftuarit që e begenisin e sajdisin këtë studio janë të shumtë e të ndryshëm. sidomos ato të seksit femëror, që janë të zgjedhura e gëzojnë cilësi të rralla. Në këtë studio hyjnë e dalin. artiste, stiliste, piktore, specialiste në dikastere, këngëtare, deputete, ministresha e deri nga profesionet më të thjeshta, si kuzhiniere e kameriere të fisme. Ka nga ato që zotërojnë një varg cilësi e talente, duke filluar, nga modelistja, prezantuesja, balerina, recituesja, aktorja, shkrimtarja e me radhë. Madje disa ftohen në ketë studio a sallon bukurie për të dytën herë Ato vijnë të nisura e stolisura për të treguar bukurinë e hijeshinë, që u ka falur natyra apo Zoti. Natyrisht këto cilësi të rralla drejtuesja e emisionit s’ka si mos ua çmojë me një fjalë të madhe “luku”, që nuk e di nga ka ardhur. Kjo viran fjalë, si dhe disa të tjera, që janë futur në leksikun e gjuhës së bukur shqipe, si dhia e krimbur me bisht përpjetë në tufën e madhe të dhenve plleja. Disa nga të ftuarat, që sajdisin këtë studio të orës 17-të, nuk harrojnë të marrin me vete edhe trashëgimtarët apo trashëgimtaret, për t’i treguar shikuesve “zgjuarsinë, mençurinë e talentin e tyre të “rrallë”. Se, në fund të fundit nuk thonë se “dardha s’bëhet gorricë e do bjerë se s’bën, nën dardhë”. Deri sa mamaja është këngëtare, balerinë e shquar, këto cilësi duhet t’i trashëgojë dhe e bija apo i biri. Mamatë s’lënë fjalë lavdëruese në fjalorin e gjuhës shqipe për të treguar zgjuarsinë e talentin e tyre, porsa kanë hequr bebelinot nga prapanica Kur i shoh këta trashëgimtarë, që vijnë vërdallë në studio dhe shfaqin përkëdheli bajate e idiotizma, sesa mençuri,, më vjen ndërmend një ngjarje, kur udhëtoja me një goxha burë për në fshatin e tij. Ai gjatë gjithë rrugës, u lodh të më tregonte se kishte një djalë fenomen, me zgjuarsi të rrallë, që zor se mund t’ia gjeje shokun në fëmijët e asaj moshe, jo në fshat, por në të gjithë krahine. Kur mbërritëm të dera e shtëpisë së tij,, “i zgjuari”, ”i dituri” “fenomeni i rrallë djali i tij, e përshëndeti babanë: “Eldhe ol mut”. Çfarë t’i thosha, veçse ta uroja, ta kishte me “ymër”!? Madje një deputete e ftuar në këtë studio erdhi bashkë me djalin e saj, që s’besoj se do të ishte më i madh se tetë-nëntë vjeç. Kur drejtuesja e emisionit e pyeti djalin se ç’dëshironte të bëhej kur të rritej. Ai shfaqi dëshirën se do të bëhej deputet.. Shumë mirë, se do të rinovonte Parlamentin me mendime të reja e gjak të ri. Por unë, i vetëquajturi Hyskë Borobojka, kam një merak të madh. Deri sa djali i saj të rritet e të shkollohet, a do të jetë kryetar partie e kryeministër Edi Rama që ta verë në listë për “Baba Kombi”, ashtu siç bëri për mamanë e tij. Pastaj a do ta gëzojë “lukun” drejtuesja e emisionit dhe a do të jetë në atë studio pas kaq vitesh që ta ftojë siç ftoi mamanë deputete?! Këto pyetje më ngacmojnë e s’di çfarë përgjigje t’u jap. Të ftuarat në këtë studio të orës 17-të në televizionin “Klan” vijnë të veshura, të ngjeshura e të stolisura me te gjitha ngjyrat e ylberit, sikur do të bëjnë paradën e modës. Në një emision ishte e ftuar një zonjë apo zonjushe (ku merrej vesh) më flokë të verdha trëndelinë të ngjyera me bojë. Ajo ishte kurdisur e i lëshonte fjalët si trokashka e mullirit dhe tregonte se s’kishte lënë vend të rruzullit tokësor pa e vizituar, jo me ditë, javë, por-nëntë, dhjetë muajve të vitit do gjezdiste nëpër bukuritë e botës. Kjo e ftuar apo disa të tjera si kjo, shtëpinë e kanë në avion, në anije, në jaht e në të gjitha mjetet udhëtuese që ka shpikur mendja e njeriut. Ajo i përshkruante vendet turistike që ka vizituar, me aq pasion, lezet e përpikëri, sa do ta kishte zili edhe peizazhisti më i mirë. Rrëfimet e saj në vendet turistike të rruzullit tokësor, mallëngjeu gjithë fasadën e femrave të vendosura në studio të duartrokasin. Përshkrimet e saj do t’i kishin zili edhe shkrimtarët e gazetarët më të shquar. Mirë moj drejtuese e emisionit, që e dëgjoje me aq vëmendje e dëshirë, si nuk e pyete leshverdhën trëndelinë, zonjën apo zonjushën bredhuare, ku e gjen atë mal me para për të përballuar këtë shëtitje nga njëri vend te tjetri, muaj me radhë. Mos ka rastisur e zbuluare ndonjë hazine apo thesar të fshehur?! Mos i ka “vjedhur “ ministrit të financave çelësin e kasafortës së parave?! Këtyre pyetjeve s’u jap dot përgjigje. Po si s’pashë një vit të tërë, të ftuar në këtë studio apo sallon ndonjë zonjë apo zonjushe fakir fukara, që vazhdon të mbajë frymën gjallë me listë në defterin e bakallit të lagjes apo fshatit?! Si duket atyre u mungon “luku” e s’kanë veshur rroba e s’kanë mbathur këpucë “firmato” dhe shëmtojnë këtë sallon të bukur? Si s’pamë ndonjë kusuremadhe, që jeton në një kasolle të shkatërruar, ku mbuluar, ku zbuluar, si zavalli Demo i këngës së vjetër, në kasollen me kashtë, “kokën brenda, bythën jashtë”? Si nuk u duk në atë studio të zbukuruar me një barrë stoli, ndonjë zonjë a zonjushe që jeton me ndihmë ekonomike, që pret ta marrë. Duhet të ketë durim, në s’e marrtë në nëntor, do ta “marrë” nga janari (Viti i Ri, kësmet i ri). Si nuk u ftua në atë studio apo sallon të bukur ndonjë mësuese pensioniste, që ka edukuar një brez të tërë nxënësish, që merr pension më pak se një pastruese?!. Vallë si nuk erdhi dot në atë studio një bujkeshë nga malësia apo një bareshë mali për të treguar, me sa mund e sigurojnë jetën. Po si nuk u ftua një zonjë nga ato që iu prish shtëpia prej atyre që kërkonin naftë më mjetë të jashtëligjshme apo nga ato që ua mori shtëpinë e prokopinë lumi apo përroi i tërbuar, pasi ua hapën rrugën kompanitë ndërtuese, që rrëmbejnë zhavorrin e prishin argjinaturën?! Ja pra ç’tregon çdo javë, kjo studio e orës 17-të, nga e hëna në të premten.
Sigal