Prof. Dr. Ago Nezha: Mos u trembni nga Trump-i

627
Fushata zgjedhore për zgjedhjen e Presidentit të 45-të të Amerikës, rivalizoi si asnjë herë tjetër në një spektakël të pazakontë për demokracinë Amerikane. Ardhja në krye të shtetit lider të demokracisë botërore, ka ngjallur shumë diskutime e opinione jo vetëm të qarqeve diplomatike, por edhe të udhëheqësve më në zë të Evropës dhe botës. Mendimet dhe opinionet kanë qenë të ndryshme e shumë kontradiktore në arenën ndërkombëtare, jo vetëm brenda shtetit Amerikan midis Republikanëve dhe Demokratëve, por edhe në vetë gjirin e republikanëve. Programi, filozofia dhe qëndrimet që shpalosi gjatë fushatës konkurruese Donald Trump, ngjallën shumë diskutime anatemime dhe dyshime për personalitetin e tij si lider i një shteti që dikton strategjinë botërore. Deklarimet e tija tepër ekstreme ndaj emigrantëve që banojnë në Amerikë pa leje qëndrimi, strehimi i emigrantëve që depërtojnë nga vendet arabe, vlerësimi për rolin e gruas në shoqëri e shumë kontestime të tjera, e bënë atë një figurë të diskutueshme në krye të Amerikës. Por ky është shekulli i çudirave dhe mrekullive. Me gjithë përfoljet që mbushën me tymnaja opinionin botëror, Trump-i i fitoi zgjedhjet, për të qenë për katër vjet presidenti i 45-të i Amerikës. E gjithë situata që përjetoi Amerika, në këto zgjedhje nuk kaloi pa ndjeshmërinë e politikës në shkallë botërore, përfshirë këtu edhe politikanët më në zë të Evropës dhe politikanët shqiptarë, mandej dhe të vetë popullit shqiptar, që e ka Amerikën yllin ndriçues, shpresën ku shikon të ardhmen e tij demokratike. Politikanë, opinionistë e intelektualë, kanë pasur ndjeshmërinë e tyre, për dy kandidaturat që rivalizuan deri në triumfin zgjedhor. Po të bësh një bilanc panoramik, del, se të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare për arsye të përkrahjes dhe kontributeve historike, ishin kryesisht për postin e Presidentit për zonjën Hillari Klinton. Kjo konsideratë dhe dëshirë, ishte një lloj tifozllëku që ka arsyet e veta objektive. Shqiptarët, i janë mirënjohës Amerikës në dy momente kritike për ekzistencës e saj. Së pari dhe më kryesori, është qëndrimi i Presidentit të 28-të të SHBA-së, demokratit Wilson, që në Konferencën e Paqes në 1913, në Versajë, përkrahu me insistim pavarësinë e Shqipërisë. Ai, si një personalitet i shquar botëror, ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë natyrale dhe për këtë fakt, ka mbetur një mik i madh i popullit shqiptar në shekuj. Momenti i dytë historik, i pa përsëritshëm në jetën e popullit shqiptar, është çlirimi i Kosovës në 1999, nga sundimi më çnjerëzor i kohës, i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviçit, ku Presidenti i Amerikës Bill Klinton, ndërmori një aksion të pashembullt, për të thyer makinën ushtarake gjakatare të Serbisë. Këtyre dy burrave të shquar të Amerikës, liderëve botëror, Shqiptarët iu kanë ngritur lapidar në mendje dhe në zemër, përjetësisht. Qëndrimi dhe simpatia që treguan shqiptarët e Amerikës dhe të Shqipërisë e Kosovës në zgjedhjet e 45-ta presidenciale për Hillari Klinton, janë legjitime dhe të motivueshme. Në këtë tifozllëk u përfshi edhe Kryeministri Rama, duke qenë pasionant me nota të avancuara shprehu simpatinë për Hillari Klinton, duke përjashtuar Trump-in, por kjo s’ka të bëjë me qëndrimin ndaj Amerikës. Interpretime të zërit të liderëve të opozitës, se Rama gaboi në opinionin që shprehu për emrin e presidentit të Amerikës, ju përzje dhe një ministër i Qeverisë Rama, që pohoi: “se po të më pyeste mua, do ta këshilloja të mos prononcohesh për kandidatin që do vinte në krye të shtetit Amerikan”. Këndvështrimet janë të ndryshme dhe kanë kontekstin e tyre diplomatik. Këto janë, sa groteske aq dhe diabolike për një klasë politike mjerane, me mendim të mangët. Opozita ka kaluar në ekstazë dhe ka arritur në gjykime banale, se me fitoren e Trumpit është çelur rruga për fitoren e së djathtës. Lideri Basha, u kthye nga Amerika me një optimizëm futurist, se tashmë u hapën dyert për të djathtën dhe fitorja në zgjedhjet parlamentare të Qershorit, është e sigurt dhe zgjedhjet janë thjesht një rutinë, një akt formal. Ai, i mbushur me entuziazëm euforik, shkroi se: “Kthehem me lajme shumë të mira nga Washingtoni.” Thua se Basha u konsultua me Trumpin dhe ishin në të njëjtën gjatësi valësh për situatën në Shqipëri. Kur dëgjon këto deklarata, qesharake dhe të thata, thua me vete: zoti na ruajttë se ç’dimër vjen prapa. Gjendja emocionale e Bashës, sa foshnjarake aq dhe qesharake, na mbush me “besim” dhe duket sikur na thotë: “Mos u trembni nga Trump-i, se ai është miku i binomit Basha-Berisha, që ky i fundit nuk vonoi të pohoi, se “unë Trumpin e kam mik”. Me këto deklarime komike të karagjozëve politikë, të vjen për të qarë dhe për të qeshur. Nga “sukseset” në Amerikë, Basha si atlet politik që është, kërceu në Bruksel, në takimin në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane, ku është votuar një rezolutë për Shqipërinë. Përmbajtjen e rezolutës ai e merr si benefice për fitoren e tij në zgjedhjet e qershorit. Kjo utopi adoleshente, tregon, se ende nuk ka krijuar profilin e tij politik, që të dijë të ndajë rolin e të huajve si orientues dhe jo si përcaktues në fatet e zhvillimeve të vendit tonë. Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane, në rezolutën e saj për Shqipërinë, ka frymën që kanë pasur ndërkombëtarët në të gjitha fushatat elektorale, ku ata kanë artikuluar të njëjtat rekomandime standarde: “luftën kundër korrupsionit, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”. Ironia më e thellë e “ dhuratave” që pruri Basha nga Washingtoni ishte, se diviza politike e ardhjes së Trumpit në pushtet, ishte mot a mot me atë të Bashës. Me ardhjen e tij në pushtet do vijë: “ një erë e re e fuqizimit të qytetarit, që nuk do sjellë në pushtet një parti apo një tjetër, por do sjellë në pushtet qytetarët”. Kjo filozofi profetike, më kujton kohën e monizmit, që përkon me demagogjinë e Bashës, se pushteti është i klasës punëtore, në një kohë, që ata kishin në dorë “çelësat e kashtës’, krahët e punës dhe pushteti ishte në duart e oligarkëve partiakë. Për të rritur besimin në popull, Basha, falë “aftësive të tija drejtuese”, na përkëdhel me premtime e ndryshime të majme, marramendëse, me reforma që do na lumturojnë jetën. Siç shprehet ai, me gjuhën e babait të tij politik, “Qeveria ime”, thua ti, se e ka pronë si ato që ka përvetësuar në këto 26 vjet të quajtur“demokraci”, do sjellë parajsën e munguar. Por ku ishe ti o Brut, që qeverise për tetë vjet dhe ndërrove tre ministri e një bashki dhe mbolle e solle veç varfëri e zi. Ti mbahesh mend në kujtesën e shqiptarëve, si Ministër i Brendshëm, për krimet monstruoze të 21 Janarit dhe si Ministër i Transporteve për korrupsionin galopant në “rrugën e Kombit”. Ndërsa në bashki, katër vjet qëndrove, Bash hyre e bosh dole. Partia Demokratike ka drejtues me integritet, që kanë treguar vlera dhe aftësi, se dinë të drejtojnë me sukses në instanca të larta shtetërore, por kjo varet nga klientelizmi i patriarkut Berisha. Qarqe të larta të politikës botërore, po ziejnë nga opinione të ndryshme mbi filozofinë e qeverisjes Trump. Ardhjen e tij në pushtet, nisur dhe nga deklaratat që ka lëshuar gjatë fushatës elektorale, e kanë bërë të dyshimtë për të mirë dhe për të keq. Një pjesë e objeksioneve të shpalosura gjatë fushatës, kanë qenë sa për konsum elektoral. Bota, është turbulluar nga strategjia Trump. Amerika ka një politikë globale që lëviz në parametra të konturuar brenda objektivave të saj kombëtare dhe rajonale, afatgjata. Është ende herët për të përcaktuar strategjinë që do ndjekë Trump-i, në planin ndërkombëtar. Mënyra se si sillet ai në startin e tij presidencial, e bën të pa lexueshëm në rrugëtimin e tij të gjatë. Raportet me fuqitë e mëdha si Kina dhe Rusia, apo me Evropën e bashkuar, janë një enigmë që koha do t’i sqarojë sipas interesave dilematike, që favorizojnë njërën palë ose tjetrën. Ai, po kërkon ta vendosë politikën e jashtme në trasenë tradicionale me vendet që kanë bërë histori në krah të Amerikës. Për sa i përket Shqipërisë, nuk besoj se i del koha të qëndrojë në një stacion që s’të çon gjëkundi. Një gjë është e “sigurt”, pas kthimit të Bashës nga Amerika, shqiptarëve u ka dalë frika, se miqësia midis dy vendeve, me PD-në në krye do shtohet e do lulëzojë, me Lulin në krye.
Sigal