Nesër do të lexoni/ Digjitalizimi, transparenca dhe besimi publik: Mundësitë dhe sfidat e KLSH-s

657
Tranzicioni i gjatë dhe i vështirë që vendi ynë po kalon prej gati tre dekadash, si dhe debatet e shumta mediatike mbi nivelin e lartë të korrupsionit në organet e drejtësisë si dhe në institucionet shtetërore e kanë sfilitur besimin e njerëzve ndaj transparencës dhe efikasitetit të punës së këtyre institucioneve. Tendenca e përfitimive korruptive po rrënon më tej besimin publik duke krijuar një situatë tepër shqetësuese ku të gjithë, në një formë apo në një tjetër, humbasim kolektivisht. Besimi publik ndaj institucioneve shtetërore shërben si një katalizator i fuqishëm për avancimin e reformave në të gjitha hallkat e qeverisjes, prandaj ringritja e këtij besimi mbi baza te shëndosha mbetet një nga prioritetet kryesore, pa të cilin këto reforma vështirë që mund të arrijnë objektivat e planifikuara. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka një rol kyç në rifitimin e besimit tek institucionet shtetërore duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në lidhje me përdorimin e fondeve publike. Transparenca promovon parimet themelore demokratike, që ndikojnë pozitivisht për të shndërruar cinizmin mbizotërues të qytetarëve ndaj qeverisjes në një pjesëmarrje aktive të tyre në debatet për çështjet publike. Gjithashtu, transparenca rrit përgjegjshmërinë dhe përkujdesjen e administratës publike në menaxhimin e fondeve publike. KLSH synon të sigurojë që në të gjitha transaksionet ku përfshihen shpenzime publike, të mbizotërojnë transparenca dhe përgjegjësia në mënyre që të fitohet besimi i publikut. Ndërkohë, vendi ynë është përfshirë në revolucionin mbarëbotëror të dixhitalizimit, i cili parashikohet të transformojë tërësisht pjesën dërmuese të aktivitetit njerëzor. Shpesh herë, dixhitalizimi perceptohet si një burim i pashmangshëm i transparences. Sa është kjo e vërtetë? Gjithashtu, në kushtet kur dixhitalizimi është ende në hapat fillestare, është shumë e rëndësishme të shtrohet pyetja se cili do të jetë impakti i këtyre transformimeve në besimin e njerëzve tek institucionet publike? Si mund të ndihmojë procesi i dixhitalizimi në kryerjen sa më mirë të misionit të KLSH-s? Digjitalizimi ofron mundësi të mëdha për ndryshime të qëndrueshme që synojnë përmirësimin e besueshmërisë së marrëdhënieve midis individëve, organizatave dhe institucioneve publike. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i mediave sociale, e-government, revolucioni i katërt industrial ose Industry 4.0 (si do të revolucionarizohet prodhimi industrial nga interneti i objekteve), janë faktorë që favorizojnë transparencën e shkëmbimeve ekonomike dhe sociale. Por, problemet e shkëmbimeve në një kontekst dixhital janë ngushtësisht të lidhura me ato të shkëmbimeve në një kontekst tradicional (analog). Një shoqëri ku tradicionalisht mbizotëron fryma e mosbesimit, do të ‘trashëgojë’ eventualisht këtë mosbesim dhe në botën e dixhitalizuar. E thënë ndryshe, dixhitalizimi nuk është një shkop magjik…



Për më shumë nesër në gazetën Telegraf
Sigal