Greqia dhe Draghi në kthetrat e skifterëve gjermanë!

614
Sigal

Gjermanët sulmojnë Presidentin e BQE: “Draghi -Droga e shteteve me borxhe

Vazhdon situata e rëndë për Greqinë, që ende nuk ka siguruar shtytjen dy vjet të afateve të kërkuara Gjermanisë, për borxhet e marra dhe rikreditimet “oksigjen” prej 31 miliardë,duke e ngjitur shifrën e përgjithshme të borxhit në mbi 303 miliardë Euro. Samaras me gjithë përbetimet “gjunjëzuar” Merkel dhe Hollande, se “do vazhdojmë reformat, por duam shtyrje dy vjet”, ende nuk ka garancinë e plotë për kërkesën. Dhe të mos mjaftojë ky makth helenik, shpërthejnë konfliktet midis kryebankave dhe bankierëve drejtues. Bundesbank kundër BQE dhe në unison me të edhe skifterët gjermanë. “Një metaforë xhiron nëpër Gjermani”, shkruan që në rreshtat e parë e pavarura italiane dje, në fillimjavë duke treguar se “nëse fillojmë të blejmë tituj të vendeve me vështirësi dhe borxhe, dhe të financojmë borxhet e shteteve, përgjatë BQE, nuk mbarojmë kurrë… Është sikur dikush të zgjidhë problemet e tij me drogë!”, tha të shtunën të pathënën gjer më sot, ministri i financave gjermane Schäeuble. Kanë vazhduar goditjet skifterët gjermanë duke nxjerrë në betejë edhe presidentin e Bundesbank, Jens Weidmann, i cili ka deklaruar për Spiegel, se: ” Nuk duhet të nënvleftësojmë rrezikun që financimi nëpërmjet Bankës Qendrore, mund të na mbajë të sëmurë si droga”, gjë që flet hapur për një largim nga vija e propozuar dhe këmbëngulur nga presidenti i BQE, italiani Draghi. Një veprim i tillë është shumë afër “financimit të shteteve duke prerë monedhë pa hesap”. Kështu BQE nuk mund t’i zgjidhi problemet në mënyrë thelbësore, dhe rrezikon probleme të reja”. Dhe duke vazhduar, Ëeidmann (i cili javën e shkuar ishte i vetmi që kërkoi të vihej në program jo tavan, por asnjë limit për blerje të titujve), që thotë se: “duhet të jetë parlamenti që duhet të vendosë për masat me rreziqe dhe jo bankat”. Ndërkohë ai ka lavdëruar Portugalinë dhe Irlandën për progres në reforma dhe masa kundër borxheve dhe për hapa të mirë të Spanjës dhe Italisë.. Duke folur në TV, kancelaria Merkel e ka mbështetur atë dhe nuk hyri në meritat e tij ndaj kritikave që i bën Draghit, pasi “BQE është e pavarur”, tha ajo për të mos nxitur konflikt dhe influencë qeveritare. Ndërkohë shtypi gjerman ka shkuar edhe më thellë kundër Draghit dhe Athinës. “Draghi do paratë e Veriut të Europës t’i çojë tek dembelët dhe mafiozët qeveritarë të jugut”, ka ashpërsuar kritikat Spiegel, duke shkruar edhe për tendencë dinakërie të grekëve dhe dembelizëm pune dhe zhvillimi industrial. Nuk kanë munguar faqe të tëra me vëzhgime dhe reportazhe të gazetarëve nga Athina, Selaniku, Kreta, etj…me tregtarë që shesin mallra dhe nuk japin faturë tatimi. Madje kur policia financiare arreston në flagrancë një pronar bari që jep kafe pa faturë, disa dhjetëra qytetarë dhe klientë në lokal u përleshën me financiarët duke mbrojtur mashtruesin falsifikator dhe u deshën forca të tjera policore ta prangosnin mashtruesin pronar! Ndërkohe shtypi shkruan edhe për “gripin” që ka mbërthyer qytetarët që jo vetëm heshtin, (e pakuptueshme, mizore për një gjerman) por dhe mbrojnë krimin ekonomik. Kudo ka punë të zezë gjer në zyrat e drejtorëve të gazetave të Athinës, që shkruajnë kundër punës së zezë dhe kanë gazetarë pa kontrata dhe paguajnë tepër pak bashkëpunëtorët rrogëtarë e ata me honorarë. Kudo nuk synohet si të hapet punë e rregullt, por si të mbyllet puna, si të fitohet me mashtrim dhe parregullsi”. E rëndë situata e rendit, ku banda mafiozësh rusë, shqiptarë, rumunë, etj., shpesh shpërthejnë në konflikte vdekjeprurëse, midis tyre dhe vendasve. Racizmi dhe nacionalizmi grek në rritje, ku të djathtët ekstrem grekë, neonazistë e vorio-epiriotë kanë shfaqur qëllime e veprime agresive kundër fqinjëve maqedonas e shqiptarë. Rrugët e Athinës shpesh zotërohen nga bandat e prostitucionit dhe drogës, ku dhe mafia më e madhja, ajo ruse, ka arritur të bëjë dhe “kongres”, sipas shkrimtarit të njohur Saviano, në një analizë në amerikanen Nju Jork Time dhe përkthyer menjëherë, jo pa qëllim në Gjermani dhe dje dhe në Itali. Kongres në një klub, për të ndaluar vrasjet midis rivalëve mafiozë, që kanë ushqyer me para të pistë bankat ballkanike dhe më gjerë… Është kjo panoramë dramatike jugore, dhe sidomos ballkanike, që i bën skifterët gjermanë të ndalen, të argumentojnë paaftësitë qeverisëse, dhe të kundërshtojnë nevojat jetike në jug ku dhe pensionet dhe rrogat e nëpunësve tashmë kërcënohen. Natyrisht argumentit për të pritur raportin e të dërguarve të Trojkës, i shtohen edhe mosbesimet për reforma, ndaj dhe grushtimet kundër Draghit “që do të zhvendosë paratë e veriut në jugun pa rregulla dhe seriozitet”, nuk janë pa motivim. Një ndër kanalet televiziv të Berluskonit Rete 4, e bëri fakt të kryer ndarjen me “Mur” midis veriut dhe jugut dje, ndërsa e theu disi situatën e rëndë kancelari austriak, Faymann i cili në një intervistë dhënë së përjavshmes Österreicher, ka deklaruar se për borxhet që Greqia i ka Austrisë ai i jep kohë shlyerje, jo dy vjet, por tre, mjafton të zbatojë kushtet, të bëjë reforma reale dhe të zhvillojë industrinë dhe jo vetëm turizmin që sjell pak të ardhura…”. Ai ka trembur verioret se duke dalë Greqia, si shpreson vitin tjetër skifteri gjerman Dobrindt, Austria fundoset, bien eksportet, rritet papunësia, falimentojnë bankat! Është dhe kjo intervistë, shkruan shtypi, që detyron Merkel të tërheqë vëmendje skifterëve në TV ard, kur i kërkuan shpjegim mbi fjalët  e “kasandrit” Dobrindt: “Çdonjëri duhet t’i mendojë mirë fjalët e tij! “Greqia dhe tashmë edhe Draghi, në kthetrat e thonjve të “skifterëve” gjermanë, por dhe në krahët e pafuqishëm të “pëllumbave” që ende nuk i ngrehin dot për fluturim…

Nga Italia, për “Telegraf”

___________________________________________________________

KANË THËNË PËR KRIZËN NË EUROZONË:

Jens Weidmann: “Ideja që BQE të fiksojë një taks tavan, është me dhimbje. Nuk jam i vetmi që kam dhimbje barku, kur e dëgjoj!”

Alexander Dobrindt/1: “Draghi kërkon të spostojë paratë nga veriu i Europës, në jugun e mbytur në borxhe, duke krijuar inflacion”.

Alexandër Dobrind/2: “Jam i sigurt që vitin tjetër Greqia nuk bën pjesë më në Eurozonë.

Wolfgang Schäeuble: “Asnjë vonesë për Athinën, sepse do të kërkojë program ndihmash të tjera nga Europa”.

Kancelari austriak Faymann: “Ne, nga dy vjet afat shlyerje që kërkon Athina, të na shlyejë borxhet tona, i japim tre sepse dalja e saj na shkatërron, dhe një kolaps në Eurozonë është i rrezikshëm për Austrinë, me rënie të eksportit dhe papunësi!