Hapen portat, ministrat në garë për punësimet

549
Situatë kaotike pas vendimit të qeverisë, që nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues mund të pranohen edhe jashtë radhëve të shërbimit civil
Hapja e hapësirës ligjore për të punësuar njerëz në administratë edhe jashtë shërbimit civil ka sjellë jo pak trazira në ministri dhe drejtori të ndryshme. Drejtuesit e dikastereve kanë bërë gati listat e personave, të cilët do të përfitojnë nga “zemërgjerësia” e qeverisë. Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues mund të pranohen edhe jashtë radhëve të shërbimit civil. “Përjashtimisht për vitin 2018, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë, jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND”, thuhet në vendim. Aty përcaktohet se për vitin 2018, pranimi në TND të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 15. Ndonëse qeveria në vendimin e saj të fund-dhjetorit ka vendosur një kufi, kjo duket se nuk ka shqetësuar aspak drejtuesit e ministrive dhe drejtorive të ndryshme. Ata kanë përfituar brenda pak ditëve lista të tëra kandidatësh, edhe në bazë të rekomandimeve dhe dëshirave të deputetëve. Kriteret e miratuara nga qeveria mbeten sidoqoftë shumë të përgjithshme dhe mbi të gjitha hapin rrugën që kandidatët për nivelet drejtues të vijnë edhe nga jashtë shërbimit civil. Kjo mundëson punësimin e njerëzve pa qenë më parë në këtë shërbim dhe pa kaluar testet e nevojshme që përcakton ligji përkatës. Ligji i përcakton qartë procedurat e pranimit në shërbimin civil dhe më tej hallkat që ndiqen për të kaluar në pozicione drejtuese. Megjithatë qeveria ka vendosur ta shkelë këtë rregull, duke shfrytëzuar hapësirat që krijohen me një vendim të posaçëm dhe në fund të dhjetorit, kur vëmendja ishte drejt festave të fundvitit. 

Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, janë:

a) të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013.

b) të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.

c) të kenë, të paktën, 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlershme, në:
– institucione të administratës publike;
– institucionet bankare të nivelit të dytë dhe që, aktualisht, nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh dhe që, aktualisht, nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë, të paktën, 5 vite që janë krijuar.

Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
– në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
– në profesion jashtë vendit;
– pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
– avokatë, noterë apo kontabilistë të miratuar, brenda ose jashtë vendit, duhet të kenë, të paktën, 5 vite përvojë pune, përkatësisht në këto institucione ose në profesion. 
ç) të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.
Parimet e administrimit të shërbimit civil
Administrimi i shërbimit civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mos diskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nëpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil.
Pranimi në shërbimin civil
1 – Pranimi në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive bëhet nëpërmjet një konkurrimi të hapur.
2 – Konkurrimi organizohet në mënyrë periodike nga njësia përgjegjëse.
3 – Konkurrimi zhvillohet në këto dy faza:
a) verifikimi paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme, sipas shpalljes së konkurrimit;
b) vlerësimi i kandidatëve.
4 – Verifikimi paraprak kryhet nga njësia përgjegjëse, ndërsa vlerësimi i kandidatëve bëhet nga komiteti i përhershëm i pranimit.
5 – Kandidatët fitues, që marrin mbi 70 për qind të pikëve totale të vlerësimit, renditen nga komiteti i përhershëm i pranimit, sipas pikëve të marra në listën e kandidatëve të suksesshëm (në vazhdim “lista”).
Sigal