Ndregjoni-Ambasadorit Lu: Reforma në drejtësi nuk bëhet me dhunuesit të drejtat dhe liritë e njeriut në diktaturë!

590
“Te jesh luftëtar i së vërtetës dhe i së drejtës në një vend, ku sundojnë gënjeshtra dhe padrejtësia, është një detyrë fisnike e njerëzore. Politika, shtypi, ndërkombëtarët dhe gjithë opinioni, po presin me të drejte, që sistemi në drejtësi t’i nënshtrohet reformave demokratike, që kërkon standardi i një shoqërie të lirë, si dhe një ndër kërkesat më imediate të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë… Deklarata të pa fundta po dëgjojmë, se reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe jetike për një sistem të pa korruptuar të drejtësisë, por si dhe qysh do të bëhet kjo reformë, asnjë nuk jep përgjigje të saktë, me të cilët duhet ta pranojë shoqëria këtë reformë. Se reformat në një vend të lire bëhen për t’i shërbyer shoqërisë dhe jo pushtetit politik. Ky sistem drejtësie që kemi tani, para 11 vitesh në 2004, u aprovuar nga kjo mazhorancë, që ishte në pushtet atë vit. U tha se këtë sistem e ka aprovuar dhe miratuar komisioni i Venecias me “Profesorin e madh të drejtësisë shqiptare, si përfaqësues i Shqipërisë në atë komision, autorin e kushtetutës diktatoriale të vitit 1976”. Ç’ndodhi mbas aprovimit në parlamentin e majtë të vitit 2004! I gjithë sistemi i drejtësisë, u bë monopol i prokurorëve, gjyqtarëve, të cilët i kanë shërbyer me një zell diktaturës, dhe që kanë dënuar e dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut, që kanë dënuar, qytetarët kundërshtarë të diktaturës, që kanë dënuar pronarin dhe i ka konfiskuar pronën, që kanë dënuar oponencën. Hetues, gjyqtarë, prokurorë të makinerisë së krimit, i kemi sot të instaluar në të gjitha institucionet e shtetit, dhe që kanë bërë ligje t’i ruajnë këto vende me afat kohore, 5 vjeçare e 9 vjeçare, dhe marrin paga të majme nga taksa paguesit shqiptare. A i përgjigjen kërkesave dhe kohës, për të bërë reformë në drejtësi këta juriste të diktaturës komuniste-Staliniste…? Të njëjtët ekspertë, dhunues të drejtave dhe lirive të njeriut në diktaturë, shfaqen sot për të bërë reformën në drejtësi. A meritojnë këta, që të emërohen në organet e gjyqësorit shqiptare? Ajo që të tërheq vëmendjen, është fakti se shumica e gjyqtarëve, apo hetuesve të ish-diktaturës kriminale të komunizmit stalinian shqiptar, gjatë 25 viteve të pluralizmit, jo vetëm nuk patën kurajën, apo ndërgjegjen qytetare t’u kërkonin falje mijëra qytetarëve, që i dënuan si kundërshtarë të diktaturës, apo se mbronin të drejtat dhe liritë e njeriut, por me hipokrizinë tipike të një mentaliteti utopist, thonë se ne zbatuam ligjin.
Cilin ligj zotërinj? Ligjin e dhunës, ligjin e torturës, të internimit, të mohimit të të drejtave njerëzore. A nuk janë këta prokurore dhe gjyqtarë, të cilët e zhvilluan inkuizicionin edhe më me shumë mizori se sa në kohen e feudalizmit mesjetar. Me ç’të drejte morale këta juristë leninistë, marrin përsipër të bëjnë drejtësi, në një kohë ata nuk janë në gjendje të gjykojnë pozicionin e tyre përballe historisë dhe shqiptareve, që edhe sot e kësaj dite vuajnë bëmat e tyre, apo mos vallë duhet që edhe brezat që vijnë, të vuajnë bëma akoma më të thella po prej tyre. Kur Dëgjojmë në media, zoti Amasador Donald Lu, se drejtësinë në Shqipëri, po e bëjnë ata që dështuan në vitin 2004, se për hire të së vërtetës, po ai komision politik militantë ekstremistë të së majtës, janë paraqitur dhe në këtë komision ekspertësh. Kryetari i komisionit të ligjeve, një politika, që ka qene i angazhuar në poste ideologjike të diktaturës, duke i shërbyer diktatorit, të cilin e përqafonte në mitingjet dhe ndjehej krenar për besueshmërinë që kishte ndaj tij… Deklaron në media, se politika nuk ka dorë në reformë, por janë ekspertet ata që po përgatisin… Gënjeshtër dhe hipokrizi e tij dhe e Kryeministrit Rama, që e kujton reformën, si një aksion të diktaturës, në shërbim të pushtetit të tij absolut, dhe jo reforme ligjore në shërbim të shoqërisë dhe sistemit demokratike.
Dhe kjo me kujton mallkimin e Amos-it ne Biblën e Vjetër: “Ju (sundimtarë), urreni çdo njeri që kundërshton padrejtësinë, cilindo që flet të vërtetën e plotë para gjykatësit. Ju keni shtypur të varfrin dhe keni grabitur djersën e punës së tij. Ju persekutoni njerëzit e mire, ngopeni me bakshishe dhe përbuzni të varfrit, sa here që ata kërkojnë drejtësi…”
Përndjekja politike, është një realitet i gjallë i krijuar prej tyre, dhe kjo nuk duhet të harrohet madje as nga ato vetë. Mendoj se duhet të jemi tepër të kujdesshëm në përzgjedhjen e juristëve, të cilët do të mandatohen për bërjen e drejtësisë në këtë vend. Është kohë e ndryshimeve të mëdha dhe të domosdoshme. Është koha e përfundimit të një tranzicioni të gjatë dhe të lodhshëm, dhe ky përfundim i tranzicionit, duhet të jetë edhe një kohë e përfundimit të reformës në sistemin gjyqësor, në të gjitha aspektet e tij morale, profesionale dhe mentale. Nuk mund të luftohet korrupsioni në drejtësi, për aq kohë sa Gjykatat nuk do të jetë në nivelin e një gjykate bashkëkohore, me anëtarë, të cilët të jenë njerëz të shquar dhe të ndershëm, trima e kurajozë, dhe mos të tronditen nga telefonatat e Kryeministrit apo të Kryetarit të Parlamentit… Juristët, të cilët vijnë nga diktatura, nuk ma do mendja t’i plotësojnë të paktën këto kritere, dhe ajo që është më e keqe akoma, nuk mund të luftojnë korrupsionin, se korrupsioni është mentalitet dhe pjellë e diktaturës.
Institucionet ndërkombëtare lëshojnë alarmin, se gjyqësori shqiptar është nga më të korruptuarit në Europë. Këto sinjale alarmuese, janë shumë shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Duke ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri, por në veçanti zhvillimet që ndodhin në sistemin e drejtësisë, mendoj se me sistemin e drejtësisë, duhet të punohet me shumë dhe shumë seriozisht.
Drejtësia dhe vetëm drejtësia, do të garantojë demokracinë dhe rregullat e saj. Prandaj me dhimbje konstatoj, se po bëhet pak, për të mos thënë aspak, për të ngritur një gjyqësor të pavarur dhe profesionist në Shqipëri. Ende vazhdohet të promovohen ish-gjyqtarë të diktaturës, ata që ligjëruan luftën e klasave dhe dhunuan të gjitha parimet e drejtësisë. Dhe qëllimi i këtyre eksperteve, nuk është ligji për drejtësinë, por zëvendësimi i juristëve të vjetërve me pinjollët e tyre, siç kanë bëre me politikën në këtë 25 vjeçar… Shembulli më i keq ishte se për 10 minuta mblidhet komisioni i ligjeve dhe parlamenti për shkollën e magjistraturës, vetëm që atë institucion ta drejtonte një besnik ideologjik i se majtës, me suportin politik të diktaturës, dhe nga këto veprime jo të ligjshme, heshti dhe opozita heshtën mediat dhe sot ky është në komisionin e ekspertëve, që na e paraqesin para publikut, si të pavarur… Parlamentarët tanë nuk kanë parasysh faktin se:
Të jesh gjyqtar, do të thotë, në radhë të pare të jesh një njeri me principet më të larta dhe me një figure të pastër e me një ndërgjegje të paprekur nga veset e diktaturave, apo të korrupsionit.
Ata, të cilët zhvilluan luftën e klasave, nuk mund të udhëheqin drejtësinë, pasi ata nuk i njohin parimet e barazisë dhe të ligjshmërisë, edhe nëse i kanë mësuar gjatë viteve të demokracisë, e kanë të pamundur që t’i aplikojnë, për shkak të ndërgjegjes së tyre. Ulpiani, një jurist i vjetër romak thoshte: tre janë parimet e drejtësisë: Të jetosh me nder, të mos i bësh dëm tjetrit dhe t’i japësh gjithë secilit atë që i takon.
Nëse drejtësia sot ka probleme dhe është më e kritikuara, ne duhet të pranojmë pikësëpari, se ajo përballet në radhë të pare me një krizë të thellë morale brenda radhëve të saj, pasi parimi i barazisë, i konkurrencës së ndershme, i promovimit mbi bazën e vlerave dhe aftësive profesionale. Shoqëria shqiptare, duhet ta dije, që kjo krizë nuk do të eliminohet kurrë, për aq kohë sa në radhët e gjyqësorit shqiptare, do të vazhdojë të sundojë mentaliteti diktatorial i përqendrimit të kompetencave në duart e një grupi tepër të ngushtë dhe të dyshimtë njerëzish, që kartën e juristit e përdorin në mënyre ideologjike apo më keq, akoma për afera korruptive. Politika ka përgjegjësinë ligjore, institucionale, por edhe historike, për t’i dhënë fund mentalitetit komunisto-diktatorial dhe influencave të atyre, që pengojnë konkurrencën e ndershme dhe promovimin mbi bazën e aftësive profesionale të gjyqtarëve, në mënyrë që edhe Shqipëria të jetojë me të vërtetën dhe drejtësinë, si të gjithë popujt e tjerë të Europës Perëndimore.
E papranueshme për një sistem demokratik, t’i heqësh kompetencat Presidentit, dhe mos të pranosh konsulencën e këtij organi kushtetues e drejtues të vendit, mos të marrësh parasysh mendimin e klasës së të përndjekurve politike, që fatmirësisht sot i ka kapacitetet në radhët e saj, për të dhënë kontributin në këtë reforme jetike për demokracinë, kjo s’është as më shumë e as ma pak, vetëm diktaturë në një sistem të brishtë demokratik. Parlamenti, duhet të ketë në konsiderate edhe Rezolutën e fundit të Këshillit të Europës, për dënimin e krimeve të komunizmit, e cila u drejtohet të gjitha vendeve të Europës Lindore, për të nxjerre përgjegjësit e krimeve gjatë kohës së komunizmit. Kjo rezolutë, duhet të jetë udhërrëfyese për reformën në drejtësi. Zoti Ambasador Lu, në procedurën e ligjit të dëmshpërblimit, të përndjekurve politike, që duhet të dorëzojnë dokumentacioni, është dhe një kopje vendimi të gjykatës, që i kanë dënuar gjatë diktaturës, dhe në këto vendime, do të shikosh me qindra emra gjyqtarësh dhe prokurorësh, që sot janë në drejtimin e gjyqësorit shqiptar dhe fatkeqësisht dhe komisionin e “eksperteve të pavarur”, të trumbetuar nga kjo mazhorancë, i kanë emrat në vendimet, që i kanë dënuar dhe masakruar këto qytetarë, që ishin kundërshtarë të regjimit. Prandaj zoti Ambasador, ka ardhur koha, që ju si një mik dhe përfaqësues i shtetit më demokratik në botë, që e doni vendin dhe popullin tim, të ndërhyni për të ndaluar katastrofën që duan të bëjnë këta “eksperte” dhe komisioni politik i parlamentit me reformën në drejtësi. Reforma, të jetë bashkëkohore dhe t’i shërbejë shoqërisë tone të traumatizuar nga diktatura komuniste. Ju zoti Ambasador LU, duhet të na ndihmoni që me reformën në drejtësi të jenë konkurrues bije dhe bija të shtresës më fisnike të kombit, të cilët janë të arsimuar dhe të vetëdijshëm për t’i shërbyer kombit me integritete dhe ndërgjegje kombëtare, siç janë të përndjekurit politike, që përfaqësojnë mbi 30 për qind të shoqërisë shqiptare. Ata që vuajtjet e diktaturës i kthyen në paqe dhe jo të ngelet drejtësia monopol e ideologëve të diktaturës, që kanë kapur politikën dhe ekonominë në këtë vend.
Mendoj se një kërkese e tillë, duhet të kihet në konsiderate nga JU, si mbrojtës i lirive dhe demokracisë zoti Lu, pasi shoqëria shqiptare është më e masakruara nga diktatura komuniste.
Mendoj se duhet të respektohen të drejtat e gjithkujt në këtë shoqëri, por historia jep gjithmonë një këshille të vogël me një filozofi të madhe: “Gabimet nuk duhet të përsëriten.”. 
Sistemi i drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, duhet të pastrohet nga njerëzit, të cilët e zhvilluan inkuizicionin përtej kufijve mesjetar dhe duhet të pasurohet me jurist profesionist, me integritet të lartë moral dhe profesional, në mënyre që ajo të jetë në krye të një sistemi, tek i cili shqiptaret duhet të kenë shume besim. Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e ndershëm dhe profesioniste. Papa Gjon Pali i dytë, ky gjigand i rrëzimit të diktaturave komuniste na mëson: Aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka paqe… dhe ne kemi nevojë për drejtësi që të mbrojmë paqen e arritur mbas 45 viteve diktaturë.
Aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut 
Sigal