Ndodh që fluturon dhe një patë e pjekur

740
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Çdo ditë jemi dëshmitarë të rrokullimës që ka marrë qeveria e shqiptarëve: Skandale me tenderë, taksa të larta, varfëria e tejskajshme, grumbullimi i pasurive në pak duar, vjedhja e parave publike, pasiguria, korrupsioni i pashembullt në administratë, arroganca dhe papërgjegjshmëria e qeveritarëve ku spikat vetë kryeministri. Për pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare është bërë e qartë që kjo qeveri është antipopullore. Në këtë gjendje detyra e opozitës merr rëndësi historike si një domosdoshmëri për ndërrimin e pushtetit. Po a është gati PD-ja me njerëzit që ka të kryejë këtë detyrë të ngutshme historike?  Në zgjedhjet e fundit parlamentare numri i votuesve ishte më i vogli në të gjithë historinë e PD-së. U përpoqën shumë ideologët, filozofët, politikanët dhe luftëtarët e PD-së tu mbushnin mendjen njerëzve që zgjedhjet ishin të padrejta dhe u blenë. Sigurisht që këtu ka të vërteta por PS-ja mori pothuaj ato vota që ka marrë përherë. 200.000 votat që nuk i mori PD-ja nuk kaluan në favor të PS-së dhe me shifra nuk bën dot lojë. Theksimi i drejtuesve të PD-së se votat u vodhën (që nënkupton se ne nuk kemi faj) është të fshihesh pas gishtit.

Ndërsa përgjegjësia kolektive (të gjithë jemi fajtorë) është forma më e mirë për t’iu shmangur përgjegjësive të vërteta, të cilat përherë janë individuale, përndryshe të gjithë dalim fajtorë dhe askush nuk është përgjegjës. Ishte domosdoshmëri që pas çdo humbjeje të PD-së ( tre të tilla radhazi) të bëheshin analiza të sinqerta, ballas, dhe të nxirreshin në pah gabimet në organizim, në zgjedhjet e njerëzve për deputetë, e një sërë mangësish të tjera. Kjo nuk u bë kurrë dhe duhet thënë se PD-ja këtu nuk është pa eksperiencë. Ca myteberë që u dërguan nëpër rrethe nuk arritën të mblidhnin as 30 njerëz për të bërë analizat e humbjes e mbi këtë bazë të hartohej plani për riorganizimin e PD-së. Mungoi analiza në seksione, grupseksione, në KKPD, Kryesi, në Forumin Rinor, atë të Grave e më gjerë. Jo me qëllim të kacafyteshin demokratët, por mbi bazën e evidentimit të gabimeve ( të gabosh është njerëzore ) të ndërtoheshin plane pune afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë që do të thotë: Organizim, koordinim, korrigjim, përgjegjësi, vizion e vetëbesim për të arritur në fitore. Sot PD-të në rrethe janë pothuaj të asfiksuara. Në Vlorë shumë demokratë grupin e këshilltarëve (shtatë nga 41 gjithsej) me ironi dhe trishtim e quajnë ‘’Grupi i arapashit,’’ kurse PD-në, ‘’Grupi i kafesë.’’  Çështjet që ngre dhe demaskimet që Partia Demokratike bën çdo ditë me përfaqësuesit e saj, janë të drejta e të vërteta, por populli në masë nuk beson fort, se njerëzit që PD-ja aktivizon (nja pesëmbëdhjetë a njëzetë ) në televizione e facebook, janë në gjendje të krijojnë një shtet më të mirë se ky që kemi. Të dy palët pozitë dhe opozitë të veshur me kostum evropian, burra apo gra, kacafyten si gjela mbrëmjeve të telendisura e të lodhura në TV-të super të mërzitshme fevziane, rakipiane e vasiliane. Në fund të emisioneve pushtetarët, opozitarët madje edhe drejtuesi apo drejtuesja  e emisionit dalin krenarë e fitimtarë. Shpesh krerët demokratë bëjnë deklarata e marrin zotime që nuk i zbatojnë kurrë. Një nga shumë rastet që PD-ja duhet t’i shkonte deri në fund ishte ajo e koncesionit të çekapit të firmosur nga ministri Beqaj. Nuk ishte e nevojshme të lodheshe shumë sepse kontrata fliste vetë por edhe përfundimet e KLSH-së ishin të mjaftueshme që ky ministër të ishte në burg. Nuk ka prokurori në botë me atë dokumentacion që e shpëton edhe sot Beqajn. Pse nuk u çua materiali në prokurori? Tre muaj vazhdoi Çadra me kërkesa të drejta, duke bllokuar një nga rrugët kryesore të kryeqytetit. Si përfundoi? Justifikimet e bëra me atë rast janë për të qarë hallin. Kauza u tradhtua. U tha që në shtator do të ketë protesta të fuqishme deri në mosbindje civile. Nga qershori që u mor zotimi  deri në shtator zullumet e qeverisë e banditëve të lidhur me të, kapën maja të papara e padëgjuara më parë. Atëherë pse nuk nuk u nxor populli në rrugë sipas asaj që u tha? Të tilla zotime të llojit “korr e mos lidh” deri te ato se kur të vijë PD-ja në pushtet do të anulohen koncesionet e do të vendoset sërish dënimi me vdekje, ka plot. Epo populli nuk të beson dhe nuk të vjen  pas nëse nuk je serioz.  Sot në Shqipëri janë kushtet, që në shesh të dalin jo 10 mijë por edhe 100 e 200 mijë njerëz dhe nuk ka dron e foto që t’i fsheh apo manipulojë. Por kjo nuk po ndodh. Prurjet e reja në parlament të nominuara nga lidershipi nuk po e justifikojnë dot kartonin e deputetit. Ka aty edhe qyqarë që me para apo pa para fjalimet ua përgatisin të tjerët. PD-së i mungon ajo që quhet ‘’FRYMË’’ dhe që duhet ta përcjellë në popull. Le të ngrejë kauza të drejta sa të dojë PD-ja. Populli shikon e gjykon nëse grupi që do të vijë në qeveri është në gjendje të ndryshojë jetën e shqiptarëve e të vendosë një shtet më të mirë se ky që kemi? Ne që jemi popull e rrimë me popullin e dimë përgjigjen. Është mirë që 90% e parlamentarëve e të tjerë, që nesër inspirojnë të bëhen ministra e drejtues të shkojnë në terren, të shikojnë, punojnë e kuptojnë se ç’bëhet atje poshtë. Të shikojnë e provojnë edhe sesa u vlen lëkura e të mos i bëjnë fresk Kryetarit që t’i vendos në LISTËN e XHEPIT kur të bëhen zgjedhjet. Gjithë ata që bëjnë rrugën parlament-Evropë-TV-shtëpi e anasjelltas e kanë një të kaluar e një të sotme. Nëse ‘’zhvishen,’’ thonë të vërtetën e tregojnë ‘’mëkatet,’’ ndoshta populli i fal dhe fitojnë besimin e tij. Përndryshe vështirë të rritet FRYMA me diskutimet e llojit “ma çorre, ta çorra” e në shesh të dalin 100.000 vetë që të ‘’fshijnë’’ këtë qeveri, që pa dyshim është me e keqja në këta 30 vjet demokraci.  Partia Demokratike duhet të kujtohet veç të tjerave se i mungojnë  ATA, që u angazhuan në disidencën kundër komunizmit të etiketuar ish-të përndjekur, bijtë, bijat dhe nipërit e tyre. Përjashtimi ose mënjanimi i tyre është fatal për të ardhmen e PD-së. Ata që u angazhuan të parët. Vetëm Berisha është tani aty dhe ndonjë kokëzbardhur, që vjen rrotull nëpër zyra, duke bërë intriga për të shtyrë edhe më, ditët në forumet drejtuese të PD-së. Mungojnë shumë nga ata që ushtruan pushtetin ndershmërisht pa rënë pre e korrupsionit, duke marrë vetëm rrogën e shtetit.  Përfundimisht PD-ja duhet të veprojë si një repart i organizuar në të 28.000 km2 të Shqipërisë. Le të nxjerrë në shesh 50.000 ose 100.000 vetë e të shohim sa groshë vlen “vrima e miut!”. Tezën që populli me çdo mjet ndoshta edhe me luftë, (Majko ka thënë se ky është zanat i socialistëve) duhet të largojë Edi Ramën e oligarkët, të garantojë zgjedhje të lira e të marrë vetë fatet në dorë, ndërkohë që partitë opozitare bëjnë sehir, unë nuk e kuptoj. Gjithsesi populli ka thënë edhe këtë: Një herë në njëqind vjet fluturon një patë e pjekur. Ndoshta në këtë çerek shekulli XXI, në Shqipëri i ka ardhur dita patës së pjekur të fluturojë d.m.th të bëhet realitet teza e mësipërme.