Engjëll Musai/ Pinjollët e fashizmit dhe dekoratat e luftës partizane

657
Nuk kisha ndërmend të replikoja, pavarësisht tronditjes që pëson njeriu apo dhe ai që e quan veten shqiptar edhe nacionalist i vërtetë, kur shikon tradhtitë dhe padrejtësitë që i kanë bërë apo tentuar t’i bëjnë vendit tonë. Dhe ky rast lidhet me një fakt të pamohueshëm të para disa ditëve, kur gazetari i “Telegraf” në Pogradec, Bardhi Berberi solli në redaksi një shkrim me titullin “Dikur, Shën Nauni ishte i shqiptarëve”. Për koincidencë, pas dy ditësh u gjendëm në qytetin liqenor të Pogradecit dhe vendosëm së bashku që të vizitojmë Shën Naumin. Një vajtim i vërtetë dhe një mllef i papërmbajtur për atë kriminel, që nënshkroi dhe firmosi shitjen (apo faljen) tek Serbët. Dhe këtë e bëri Ahmet Zogu, satrapi dhe tradhtari më i madh i kombit shqiptar. Nipi i kryetradhtarit, Esat Pash Toptani edhe ky një tjetër tradhtar i kombit tonë, i cili mori ndëshkimin e merituar në mes të Parisit, ashtu sikurse e mori 500 vjet më parë Hamza Kastrioti për tradhtinë, që i bëri “Heroit Kombëtar”, Gjergj Kastriot Skënderbeu-t. Por rastin e tradhtisë me shitjen e Shën Naunit, Vermoshit dhe dhuratat e Hitlerit për Zogun, grabitjen e floririt etj., do merremi përsëri këto ditë. Ajo që duam të theksojmë sot, ka të bëjë me dekorimin e atyre, që luftuan për të mbrojtur atdheun, pasi i vetëshpalluri “Mbret” iku dhe e la vendin në mëshirë të fatit. Dhe pikërisht këta sot gjykohen pse luftuan, pse derdhen gjak, pse u vranë, pse mbrojtën atdheun, pse nuk i pritën me lule fashistët dhe nazistët etj. etj.?! 
Shahen dhe kritikohen partizanët, që i prishën punë gjermanëve, duke i sulmuar, sepse gjoja gjermanët po kalonin dhe Shqipëria ishte thjesht vend tranzit. Këtë e thonë sot pasuesit e ballistëve, që hanin e flinin në një çanak me pushtuesin. Flasin pinjollët e Musolinit dhe bashkëpunëtorë të tyre, flasin pasardhësit e qeverisë Kuislinge, që Hitleri i gradoi dhe i lau në flori. Dhe pikërisht këta pinjollë të nazi-fashizmit, sot flasin dhe kërkojnë që të hiqen gradat dhe dekoratat e luftëtarëve, pikërisht të atyre partizanëve, që i ndritën faqen e historisë kombit shqiptar. Nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi që shqiptarët të harrojnë gjakun e bijve të tyre të derdhur në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Le të jetë e qartë për të gjithë zhurmuesit e sotëm, bashkëpunëtorë të djeshëm të komunizmit, por edhe pasardhës të fashizmit, se era e barutit të luftës partizane, nuk mund të zëvendësohet nga aroma e pulave dhe mishit të derrit të ballisto-zogistëve. Ata që sot kërkojnë të harrohet lufta, e bëjnë, sepse duan të harrohet fakti se janë pasardhës të pushtuesit dhe agjenturave greko-serbe. Ushtarëve italianë, që pushkatuan Duçen gjatë largimit, ju vendos memorial në mes të Italisë. Heroi i Luftës së Parë Botërore në Francë u dënua me burg.
Rektori i Universitetit të Berlinit, që nuk pranoi të bënte historinë e Hitlerit, nuk u lejua të punonte në asnjë profesion në Gjermani pas luftës, megjithëse ishte arratisur në Francë dhe më vonë në SHBA, vetëm e vetëm se ishte anëtarësuar 1 vit në partinë Social-Punëtore. Ja pra, si këto ka me dhjetëra dhe qindra shembuj, ashtu sikurse është edhe shembulli më fatkeq, se si një tradhtar respektohet dhe kjo ndodh në Tiranë, ku bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që fillonte tek ish- Stacioni i Trenit deri tek Korpusi i Universitetit të Tiranës, i merret emri gjysmës së bulevardit dhe i vendoset emri i tradhtarit “Ahmet Zogu”. Pra hiqet emri i dëshmorëve të kombit, që derdhën gjakun për çlirimin e atdheut dhe zëvendësohen me atë që shiti atdheun, e la atdheun në mëshirë të fatit, vodhi floririn, u vetëshpall mbret, vrau Avni Rustemin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën e shume, e shume të tjerë. Është në nderin e pasardhësve të pinjollëve të fashizmit dhe nazizmit, që në vend të kërkesës për heqjen e dekoratave, të shkojnë dhe të vendosin lule në lapidarët, ku kanë rënë “Heronjtë e Popullit” apo në Varrezat e Dëshmorëve të kombit. Kjo le të shërbejë si pikënisje, për një falje mbarëkombëtare dhe respektim të dinjitetit të atyre, që nderuan dhe sakrifikuan për Atdheun. 
Sigal