Miliona lekë më shumë nga bashkitë përgjatë monitorimit

185
Si qeverisen bashkitë dhe si menaxhohen asetet e tyre që janë burime financiare për projekte të ndryshme të pushtetit lokal? Përgjigja në këtë pyetje ka qenë edhe sfida e projektit ‘Përdorimi i drejtë i parasë publike në pushtetin lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH’, zbatuar nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, mbështetur nga ‘Lëviz Albania’. Vetëm përgjatë 6 muajve të monitorimit në bashkitë Maliq, Pogradec, Prrenjas, Elbasan dhe Lushnjë u konstatua se ritmi i zbatimit të rekomandimeve ishte rritur në 4 nga 5 bashkitë e monitoruara. Zbatimi i rekomandimeve nga 28% në fillim të projektit është rritur në 47% në fund të tij. Ka një rënie drastike të rekomandimeve që nuk trajtohen në dy skajet e projektit. Në fillim të projektit kemi 62 % të rekomandimeve që nuk ishin zbatuar ndërsa në fund të tij kemi vetëm 12% të rekomandimeve. Ka një rritje të rekomandimeve që janë në proces zbatimi apo janë zbatuar pjesërisht nga fillimi i projektit deri në fund të tij. Nga 12,8% në fillim të projektit trajtimi i rekomandimeve është rritur në 45%. Zbatimi i rekomandimeve ka çuar në rritjen e të ardhurave për bashkinë ose ka krijuar mundësitë për mbledhjen e të ardhurave të munguara në të ardhmen: janë kontabilizuar miliona lekë detyrime, grupe pune nga bashkitë po punojnë për evidentimin e pasurive të dhëna me qira (toka, pyje, kullota, asete të tjera të palëvizshme) duke rishikuar kontratat në mënyrë që çmimet e qerasë të përputhen me sipërfaqet e dhëna dhe çmimet e tregut; ka nisur vjelja e taksës së pasurisë për mijëra familjarë në bashkitë e monitoruara ndërkohë që janë identifikuar dhe kontabilizuar pagesat e pakryera për ujësjellësin. Po ashtu është shtuar kapaciteti monitorues i shoqërisë civile dhe individëve në këto bashki për të ndjekur shpenzimin e parave. 4 pjesëtarë të skuadrës së projektit ishin nga bashkitë e monitoruara (një organizatë lokale e shoqërisë civile në Elbasan dhe një në Lushnjë, një gazetar në Maliq dhe një jurist në Pogradec). Përvoja e fituar në këtë projekt mund të përdoret për projekte të tjera të ngjashme apo për rritjen e kërkesës ë llogarisë për bashkitë në lidhje me nevojën dhe përfitimet prej zbatimit të rekomandimeve të KLSH. U trajtuan gjithsej 289 rekomandime që KLSH la në të pesë bashkitë duke vënë theksin tek 150 rekomandime të cilat lidheshin kryesisht me zbatimin e ligjshmërisë në përdorimin e parasë publike nga bashkitë. Bazuar në ligjin “Për organizimin dhe Funksionimin e Kontrollin e Lartë të Shtetit” bashkitë duhej të përgjigjshin për pranimin e rekomandimeve brenda 20 ditëve, duke hartuar ndërkohë edhe planin e veprimit, nxjerrjen urdhrit të titullarit, ndërsa duhej të raportonin për zbatimin e rekomandimeve brenda 6 muajve. Të gjitha bashkitë e monitoruara kishin raportuar në KLSH brenda 20 ditësh. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër nga vendimi i KLSH lidhur me rekomandimet kishte dalë urdhri i titullarit për zbatimin e rekomandimeve dhe ishte ndërtuar plani i veprimit. Asnjë nga bashkitë nuk raportoi pas 6 muajve në lidhje me zbatimin e tyre me justifikimin se nuk e dinin këtë kusht të ligjit. Bashkia Elbasan kishte raportuar në një afat të përafërt me kërkesat e ligjit.

Nga këta ka gjetur se: 
në fillim të projektit ishte kjo gjendje:
82 rekomandime nga të gjitha bashkitë ishin realizuar ose 28%, 
37 rekomandime ishin në proces realizimi, ose 12.8%
180 rekomandime nuk ishin realizuar ose 62%. 
Nga këto të fundit kemi 12 mospranime nga bashkitë e monitoruara prej të cilave 9 nga bashkia Lushnjë. 
Në fund të projektit: nga 289 rekomandime janë zbatuar plotësisht 135 rekomandime ose 47%, pjesërisht 129 rekomandime ose 45% dhe pa zbatuar 35 rekomandime ose 12%.

Kështu përgjatë zbatimit të projektit është rritur masa e zbatimit të rekomandimeve nga 28% në fillim të projektit në 47% në fund të tij. Si dhe ka një rënie drastike të rekomandimeve që nuk trajtohen në dy skajet e projektit. Në fillim të projektit kemi 62 % të rekomandimeve që nuk ishin zbatuar ndërsa në fund të tij kemi vetëm 12% të rekomandimeve. Ka një rritje të rekomandimeve që janë në proces zbatimi apo janë zbatuar pjesërisht nga fillimi i projektit deri në fund të tij. Nga 12,8% në fillim të projektit trajtimi i rekomandimeve është rritur në 45%.Trajtimi i rekomandimeve ende në proces është kryesisht i lidhur me shpërblim dëmi apo rishikim kontratash, kontabilizim dhe arkëtim humbjesh apo shpërdorimesh, proces që kërkon kohë edhe për shkak të përfshirjes në procese gjyqësore të bashkisë me rastet e kërkimit të dëmit apo mospagesave të ndryshme, por edhe për shkak se bizneset apo individët e atakuar nga rekomandimet e KLSH kanë çuar çështjen në gjykatë. 

Projekti vëzhgoi se gjatë zbatimit të tij u shënua progres në mbledhjen e të ardhurave të munguara nga bashkitë për shkak të mospagesës së taksave dhe tatimeve si dhe problemeve korruptive në kontratat e bashkisë apo ish-komunave në lidhje me asetet e dhëna në përdorim apo me qira si kullota, pyje, sipërfaqe shfrytëzimi për minierat dhe hidrocentralet si dhe objekte në pronësi të bashkisë. 

(Shënim: Ky botim u realizua me mbështetjen e ‘Lëviz Albania’. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autoreve dhe nuk përkojnë domosdoshmërish me qëndrimet e ‘Lëviz Albania’).
Artur Bego