Mehdi POGAÇE* / Ushtarakët gëzojnë ligjërisht të drejtën e pensionit suplementar

602
Sigal

Në një intervistë të para disa ditëve në gazetën “Telegraf”, Zv. Drejtori i Përgjithshëm i ISSH, duke marre pozat e “kompetentit”, shpjegon se për ushtarakët “Ne zbatojmë skemën e pensioneve si për të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Ushtarakët, nëse kanë pretendime, nëse kanë nevojë për trajtime të veçanta, atëherë le të drejtohen dhe të marrin trajtime të veçanta financiare pranë institucioneve ku kanë shërbyer”. Që zoti Emini ka gjithë jetën në atë institucion, duke ngrënë bukë me të gjitha qeveritë, nuk na shqetëson, por, si i tillë, na shqetëson fakti se ai, me dashje,  thotë të pavërteta lidhur me pensionin suplementar të ushtarakëve, ku përfshihet pensioni suplementar i pleqërisë, pensioni i parakohshëm, pensioni suplementar familjar,etj.. Zotëria në fjalë pretendon se për ushtarakët nuk ka ligje të veçanta, për veçoritë e punës së tyre, por trajtohen si çdo pensionist tjetër dhe prandaj të marrin shkopin në dorë apo të zgjasin dorën e lëmoshës dhe të fillojnë të “kërkojnë pensione të veçanta pranë institucioneve ku kanë shërbyer”. Dua t’i kujtoj Aliut se, në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, dispozitat ligjore të nenit 4 “Sigurimi shoqëror suplementar”, paragrafi i tretë, përcaktojnë se “Sigurimi shoqëror suplementar për ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhet sipas kritereve të përcaktuara me ligj të veçantë”. Pra, qeveria dhe parlamenti ia kanë njohur ushtarakut të drejtën e pensionit suplementar dhe të rregulluar me një ligj të veçantë që në vitin 1993. Mbi këtë bazë, në datë 13.03.1996, hyn në fuqi ligji nr. 8087 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar”. Ligji në fjalë, trajton të gjitha rastet e përfitimit të pensioneve të veçanta të ushtarakëve si pagesa kalimtare, pensioni i parakohshëm (këtu duhet bërë kujdes se ky nuk është pension i pjesshëm dhe nuk mund të jetë kurrë minimal), pensioni suplementar i pleqërisë, pensioni suplementar familjar, etj. Duke filluar nga ky ligj dhe nga ai vit, janë bërë disa ligje të veçanta për pensionet suplementare të ushtarakëve. Statusi i ushtarakut i vitit 2005, si ligj bazë organik, për të gjitha detyrat dhe të drejtat e ushtarakëve në shërbim dhe në rezervë e pension, i sanksionon ato në shkallën më të lartë të mundshme, duke iu përafruar atyre të ushtarakëve të tjerë të vendeve të NATO-s. Natyrisht që, këto të drejta të veçanta, për shkak të shërbimit, nuk i pëlqyen Aliut me shokë dhe, qysh në momentin e miratimit të statusit, në të gjitha ligjet e mëvonshme, duke arritur deri te famëkeqi Akt Normativ, i cili i ka katandisur një grupim ushtarakësh në pension të parakohshëm edhe nën nivelin e pensionistëve të zakonshëm, ata kanë ushtruar presionin e tyre për t’i cunguar këto të drejta. I bashkëngjitëm shqetësimit të shprehur nga Çelmeta, se përbën një non sens dhe krim ligjor, që këta ushtarakë marrin pension minimal, duke qenë të papunë, të cilin e marrin dhe të gjithë ata që janë në punë, qofshin edhe drejtore në sektorin shtetëror dhe atë privat. Cungimi i pensioneve të ushtarakëve dhe pabarazia e trajtimit të tyre shkelin me të dy këmbët dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për këtë problem, vendimin nr. 9 të vitit 2007, i cili nuk lejon ndarjen e ushtarakëve në dy apo shumë grupe në trajtimin e tyre dhe vendimit nr. 33 të vitit 2010, i cili nuk lejon rillogaritjen dhe uljen e pensioneve të fituara më parë apo të fituara me vendime të formës së prerë të gjykatave. Duke folur për vendimin nr. 33 të Gjykatës Kushtetuese, më sjell nder mend zotin Emini, i cili mbronte para kësaj Gjykate të nderuar cungimin që i ishte bërë statusit të ushtarakut me ligjin nr. 10142 të formuluar prej tij dhe bashkëpunëtorëve të tij. I bindur se ishte i aftë t’ia hidhte Gjykatës, filloi të shpjegonte rillogaritjen e pensioneve, sipas ligjit, duke thënë se do të rillogarisnin edhe pensionet e fituara me vendime të formës së prere të gjykatave dhe, kur ishte më i lartë do të ulej. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë, zotit Vladimir Kristo, i cili i tha “kush je ti që do të ulesh pensionet e fituara me vendime të formës së prerë të gjykatave, duke mos i zbatuar ato?”. Zotit Emini iu tha pështyma në gojë dhe filloi të belbëzonte, se: “jo nuk e thashë ashtu, se ne nuk do i ulim ato”. Nisur nga logjika dhe termologjia ligjore jo e saktë që zotëria në fjalë përdorte, Kryetari e pyeti nëse ishte jurist dhe kur ai u përgjigj “‘jo jam ekonomist”, Kryetari i tha se “ç’kërkonte të mbronte ai një çështje ligjore, duke mos qenë jurist”. Faktikisht, përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të tjera, përfshi edhe përfaqësuesin tonë të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë ishin juristë. Ia kujtoj këto që, përsëri të mos flasë për ekzistencën ose jo të ligjeve për ushtarakët, pasi legjislacioni nuk është fusha e tij dhe as kali i tij i betejës. Dua t’i kujtoj gjithashtu se, për shkak të ligjit, pensionet e parashikuara me ligjin e veçantë për pensionet suplementare të ushtarakëve, janë pjesë e buxhetit të mbrojtjes dhe jo e sigurimeve shoqërore dhe për shpërndarjen e tyre, Ministria e Mbrojtjes paguan edhe para të tjera.

Pra e shikoni se zoti Emini, i di të gjitha këto, pasi me dhjetëra herë kemi diskutuar me atë në emër të Shoqatës dhe gojarisht na ka dhënë të drejtë, por duke qene kundërshtar i ushtarakëve dhe me smirë për pensionet suplementare të tyre, kërkon të shpërndajë tymnajë, duke e semplifikuar çështjen dhe duke e trajtuar si çështje ” për të cilën nuk ka ligj të veçantë”, prandaj kërkesat e ushtarakëve nuk janë gjë tjetër veçse “pretendime”. Në mbyllje, dua t’i them zotërisë në fjale dhe të tjerëve të atij institucioni, të mos shkelin ligjet në fuqi, edhe pse ato janë të cunguara, por përsëri nuk zbatohen me rigorozitet.

*President i ShKURSh