Prof. Sokol Mati/ Si të realizohet zhvillimi i qëndrueshëm i veprimtarive minerare

1010
Sigal

Politika jonë minerare të jetë koherente me politikat europiane

Strategjia minerare si dokument zyrtar është miratuar në vitin 2006 me VKM Nr.455, Datë 05.07.2006 “Për miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Industrisë Minerare”, e cila u hartua mbi bazën e një pune të shumë ekspertëve nga institucionet minerare, universiteti, kompanitë minerare dhe është përditësuar me VKM Nr.479, Datë 29.06.2011 “Për miratimin e Strategjisë Minerare të Republikës së Shqipërisë” që është pjesë e paketës së re ligjore të legjislacionit minerar. Qëllimi final  i zhvillimit të veprimtarive minerare është “Përfitim maksimal të shtetasve shqiptarë nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, vizionar dhe afatgjatë të tyre, si dhe realizimit të një  shfrytëzimi racional, energji-efiçentë, të mbikëqyrur, të monitoruar, jo dëmtues ndaj mjedisit dhe të certifikuar nga komuniteti të burimeve minerare duke marrë në konsideratë përfitimet e këtij brezi dhe brezave të ardhshëm”. Objektivi i përgjithshëm i strategjisë së re minerare është: “Hartimi i politikave për një rritje dinamike dhe zhvillim të qëndrueshëm e të harmonizuar të industrisë minerare për maksimizimin e të ardhurave të shtetasve shqiptare, në përputhje me strategjinë e integruar të zhvillimit të vendit, strategjinë minerare dhe politikat kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE, respektimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit social për të siguruar një zhvillimin të qëndrueshëm dhe afatgjatë nëpërmjet investimeve efektive, garantuar e nxitur investimet vendase e te huaja ne sektor, aplikuar teknologji të reja, rritur konkurrencën, transparencën, profesionalizmin e institucioneve minerare, fuqizimin e kapitalit minerar, garantuar një strukturë efikase të minierave, modernizimin, specializimin, hyrjen ne tregjet e hapura rajonale, europiane dhe me gjere dhe diversifikimin duke ofruar alternativa”.

Si duhet të jenë politikat minerare?

Politikat minerare duhet të jenë në përputhje me objektivat strategjike të përcaktuara. Menaxhimi kompleks dhe orientimi i drejtë e fitimprurës, energji-efiçent i sektorit, lufta ndaj korrupsionit, rritja e transparencës, gjithëpërfshirja në vendimmarrje janë disa nga politikat bazë që kërkojnë impenjim të vazhdueshëm për të garantuar suksesin. Është e rëndësishme që politika jonë minerare të jetë koherente me politikat evropiane për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar.  Parimi bazë i zhvillimit të qëndrueshëm është përmirësimi i mirëqenies dhe  garantimi i saj me kalimin e kohës. Zhvillimi i qëndrueshëm ka katër synime: prosperitetin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, mbështetjen sociale, barazinë për brezat e sotëm dhe mundësi të barabarta për brezat e ardhshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i harmonizuar është pare në strategjinë dhe politikat e industrisë minerare në Shqipëri në tre drejtime kryesore:

a)  Zhvillimin e investimeve nëpërmjet nxitjes të investimeve vendase e të huaja veçanërisht në sektorin e kërkim-zbulimit, përmirësimeve ligjore e rregullatore, lehtësimit të barrierave administrative, përfundimit të procesit të privatizimit, promovimit të bizneseve me vlerë të shtuar, forcimin e institucioneve që kanë të bëjnë me biznesin minerar, inkurajimit  te rritjes së prodhimit, përmirësimit të klimës për investimet e huaja, ruajtjen e profesionalizmit dhe transparencës.

b) Zhvillimin e veprimtarive minerare miqësore me mjedisin, përmes zbatimit të masave paraprake mbrojtëse të mjedisit, procesit te rehabilitimit mjedisor dhe garantimit paraprak financiar te tij,  forcimit te mbikëqyrjes dhe monitorimit, më pak dëme dhe ndotje të mjedisit nga aplikimi dhe zbatimi i teknologjive te avancuara, promovimit te praktikave me te mira minerare për të minimizuar sa më shumë që të jetë e mundur efektet mbi jetën e komuniteteve dhe të natyrës, përcaktimin e ciklit kohor të efekteve në mjedis të një produkti, nxitjen e mbështetjen e proceseve të riciklimit dhe përdorimit të materialeve sekondare.

c)  Marrjen në konsideratë të aspekteve sociale, nëpërmjet rritjes se nivelit te sigurisë në punë, vlerësimit të ndikimit të veprimtarive minerare në jetën dhe mjedisin e komunitetit, përfshirjes se komunitetit ne diskutime dhe vendimmarrje, rritje të transparencës,  përfshirjen e shoqërisë civile në një mënyrë më të gjerë për të vlerësuar përfitimet dhe dëmet karshi komunitetit si një qasje për të rritur mirëqenien, punësimin, mundësi për përmirësimin e infrastrukturës, sistemin e shëndetësisë dhe të arsimit në veçanti për zonat me aktivitet të dobët ekonomik, vlerësimit të veprimtarive minerare me një vizion afatgjatë për të garantuar, barazinë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

d) Çfarë përfshijnë politikat minerare?

Politikat minerare përfshijnë në vetvete disa aspekte ligjore, rregullatore, promovuese, të forcimit institucional, përgatitjes profesionale të brezave të rinj, etj.. Zbatimi i politikave orientuese fitimprurëse për shtetin dhe biznesin kërkon që ato në disa aspekte të jenë pragmatiste, të shpejta dhe të zbatueshme. Në ecurinë e këtyre 20 viteve vërehet që jo rrallë është biznesi që është përpara dhe politikat që vinë pas, shpesh politikat e vonuara ose të keqpërcaktuara bëhen pengesë, frenojnë ritmet e zhvillimit. Një fenomen i tille u vërejt në vitet ‘90-’93, ku politika nuk arriti të përcaktonte rrugë të qarta, veprime të shpejta për ecurinë e sektorit, një pjesë shumë e madhe e investimeve të realizuara në sektor humbën, efektiviteti i tyre ra, u zhvlerësuan padrejtësisht, shumë objekte minerare u bënë rrezik për qytetarët duke treguar që hartimi  dhe zbatueshmëria e politikave është e një rëndësie të veçantë. Në vitet e mëvonshme copëzimi i vendburimeve ishte një politikë që dha efekt vitalizimi në momentet fillestare, por që detyrimisht duhet të ishte vazhduar  me rikapitalizimin minerar të detyruar për të garantuar vazhdimësinë, krijuar mundësi të rritjes së investimeve në drejtim të përpunimit të xeherorit, futjes së teknologjive të reja, që do të ndikonin në shtimin e punësimit dhe rritjen e vlerës së produkteve minerare në vend. Politikat e ndjekura në sektorin e mineraleve ndërtimore ju përgjigjën kërkesës së ekonomisë për zhvillim të infrastrukturës  e  ndërtimeve në mënyre kaotike, jo të orientuar drejt duke sjellë që sot rreth 200 milionë USD investime në këtë sektor të jenë joefektive, të ketë një konkurrencë fiktive në këtë degë të industrisë minerare dhe që sot kërkojnë ndërhyrje të detyruar mbështetur në diversifikimin për të mos shkuar dëm. Jo vetëm politikat, por dhe zbatimi i tyre është i një rëndësie të veçantë, subjektivizmi, mosrespektimi i legjislacionit dhe detyrimeve që përcaktohen në të bën që fenomene negative të bëhen problematike. Një mbikëqyrje joefektive rezultoi problematike në bllokimin e shumë zonave minerare që mund të thithnin investime fenomen që është parë me lejet e kërkim-zbulimit, ose me hekur-nikelin dhe nikelin silikat.

Zbatimi i politikave të gabuara

 Zbatimi i politikave të gabuara ose zbatimi i keq i tyre sjell fenomene që shtyjnë në kohë zhvillimin siç është rasti i nikelit silikat që aktualisht kërkon të ringrihet, por që kjo ringritje do të shtyhet në kohë për vetë faktin e një mosmbikëqyrje rigoroze të veprimtarive minerare, mungesës së mbështetjes shtetërore në gjetjen e tregjeve nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale me vendet e rajonit.