Lulzim Basha/ Nisim betejën më të fortë me qeverinë dhe të keqen lidhur me të 

607
Sigal

*kryetari i PD-së

Sot hapet sesioni i ri parlamentar. Rifillon për Partinë Demokratike, për grupin tonë parlamentar dhe për gjithë opozitën një betejë e re, akoma më e fortë se betejat që kemi zhvilluar deri tani, jo sepse kështu na pëlqen, por sepse akoma më larg ka shkuar e po shkon përkeqësimi i gjithanshëm i gjendjes ekonomike, shoqërore dhe sigurisë në vend, nga dyshja Rama-Meta, akoma më brutalisht po mbyllen horizontet e shpresës për qytetarët me këtë qeveri, akoma më e zymtë bëhet perspektiva e daljes nga tuneli i krizës dhe demagogjisë qeveritare. Vetëm një qeveri e tillë guxon të bëjë krejt të kundërtën e asaj që ka shpallur në fushatë dhe për të cilën ka marrë votat. Rasti më tipik është premtimi solemn për uljen e çmimit të energjisë elektrike, të cilin po e “realizon” në praktikë si rritje të çmimit të energjisë për shumicën dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Rastet e shndërrimit të premtimeve në të kundërtën e tyre sidoqoftë janë me dhjetëra për qeverisjen Rama-Meta. Po kaq demaskues është terrori mbi mjekët, infermierët, mësuesit, që po mbjell kjo qeveri nën petkun e rremë të pseudoreformës. Liza Tafaj dhe Gënjeshtare Manastirliu janë emblemat e vërteta të reformës Rama-Meta në arsim dhe shëndetësi. Në sytë e qytetarëve shqiptarë, kjo nuk është qeveria që ata kanë votuar. Kjo nuk është, pra, një qeveri e votuar, por një mashtrim i qartë. Opozitarizmi ynë duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjet dorë për dorë, sy për sy dhe flakë për flakë përshkallëzimit të së keqes që ofrojnë për qytetarët kundërshtarët tanë në qeverisje. Ne duhet të jemi e do të jemi opozitë edhe më e fortë. Natyrisht, duke intensifikuar opozitarizmin në sallën e Kuvendit dhe në të gjitha aulat e komunikimit publik, ne do të vazhdojnë të qëndrojmë fort në tabanin e një opozitarimi të mbështetur në fakte, argumente, arsye dhe zgjidhje, që është vlerësuar pozitivisht brenda dhe jashtë vendit, që ka dhënë e do të japë rezultate për qytetarët dhe për vetë opozitën si institucion i pazëvendësueshëm i demokracisë. Qeverisja oligarkike e ka në gjen mbylljen e gojëve, ndalimin e fjalës së lirë, mbytjen e së vërtetës, mbulimin e skandaleve të saj, duke përdorur sipas rastit karotën dhe kërbaçin. Vendi ka forca të së mirës dhe së vërtetës që as merren, as kapen, as blihen, as shiten, as tremben, as nënshtrohen. Janë qytetarët e lirë në radhë të parë, është media e lirë, është sipërmarrja e lirë, janë grupet e pavarura të interesit, janë organizatat e pavarura të shoqërisë civile, është Partia Demokratike, është opozita, instanca bazike dhe e epërme e lirisë në ketë vend. Ne jemi opozita, jemi kontrolli, jemi denoncimi i së keqes, jemi njëkohësisht shpresa, e nesërmja më e mirë, shumë më e mirë. Grupi ynë, deputetët tanë dhe gjithë deputetët e opozitës janë përgatitur për këtë betejë shumëplanëshe. Opozita e fillon me mëngët përveshur këtë sesion parlamentar. Sfidat janë të shumta, por unë do të përmend në këtë fjalë para jush disa që i konsideroj ndër kryesoret.
1-Dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera të administratës shtetërore nga individët me rekorde kriminale apo kontingjente të krimit të organizuar, është beteja dhe kauza jonë fisnike dhe jetike për sot dhe për nesër. Është kauza jonë fisnike për të pohuar e promovuar Shqipërinë e vlerave, Shqipërinë e familjeve që heqin bukën e gojës për arsimimin e bijave dhe bijve të tyre me dije dhe parime të drejta, me edukatë dhe moral qytetar. Shqipërinë e virtyteve më të mira që nuk është rrëzuar e nuk do të rrëzohet kurrë sado terren të kenë fituar apo t’u jetë dhënë nga politikanët e pacipë individëve të botës së krimit. Është kauza jonë jetike sepse vendi nuk ka të ardhme, vendi do të shohë vetëm zi nëse krimi i organizuar do të merrte timonin, siç ishte tendenca e hapur para se Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe pjesa më e shëndoshë e medias të ngriheshin në këmbë dhe të jepnin alarmin për rrezikun e madh që i kanosej vendit nga krimi i ngritur në sistem. Ne reaguam, ne u përballëm, ne sakrifikuam. Kush mund ta bënte tjetër veç nesh, veç opozitës? Miratuam një rezolutë konsensuale me asistencë dhe garanci ndërkombëtare. Duke njohur rëndësinë e saj dhe duke u nisur nga mirëbesimi në vullnetin e palës tjetër, ne do të jemi promotorë të zbatimit të rezolutës brenda afatit gjashtëmujor, duke filluar nga puna menjëherë, pa humbur kohë. Nga ana tjetër, ne nuk kemi iluzione se rruga do të jetë e shtruar me tapet. Përkundrazi. Kryeministri Edi Rama është kujdesur të mos e tregojë fytyrën si palë nënshkruese e rezolutës. Më tej, ai ka bërë çmos ta denigrojë atë me lloj-lloj formash e mënyrash, duke dashur t’u japë subjekteve të dekriminalizimit mesazhin se asgjë serioze nuk do të ndodhë. Dekriminalizimi është për ne një kusht i sigurisë, mirëqenies dhe integrimit. Ne nuk njohim kauzë politike me të madhe se siguria, mirëqenia dhe integrimi i vendit në Europë. E përsëris: duam të punojmë së bashku me shumicën me një vizion të gjerë, të thellë dhe realist për fenomenin, për domosdoshmërinë e mënjanimit të krimit nga jeta politike dhe institucionale. Në përmasat që ka marrë, është naivitet të mendohet se kriminalizimi është një aksident, një rastësi. Absolutisht, është e kundërta e vërteta. Të shkojmë edhe më tej duke e shtrirë dekriminalizimin në mbrojtjen e zgjedhjeve të lira nga shitblerja e votës dhe fenomeneve të tjera të shoqëruara me të.
2-Lidhur ngushtë me kauzën e dekriminalizimit, është beteja jonë opozitare kundër krimit të çdo lloji, kundër pasigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve. Krimi po përparon çdo ditë në sfondin e mburrjeve pompoze të Kryeministrit dhe vartësve të tij. Janë të shumta tashmë faktet e bujshme që tregojnë se mburrjet qeveritare dhe krimi janë bërë si një binom i pandashëm që rriten paralelisht. Sa më e madhe mburrja e ministrit dhe kryeministrit aq më i madh krimi që do të plasë e do të dalë në shesh nesër. Shembulli më i freskët është mburrja pa cak në fund të vitit të kaluar sikur gjoja e kishin zhbërë trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria. Këto mburrje përkonin në kohë me identifikimin dhe sinjalizimin nga policia gjermane në adresë të Prokurorisë shqiptare të Krimeve të Rënda të trafikut të kokainës nga Shqipëria. Ky sinjalizim, siç dihet tashmë, çoi në zbulimin e impiantit më të madh rajonal të prodhimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Pra trafiku në fjalë jo që nuk ishte zhbërë, por kishte marrë trajta të reja dhe përmasa të frikshme të panjohura për Shqipërisë më parë. Bosët e narkoprodhimit dhe narkotrafikut nuk janë shqetësuar fare. Frikësuar jo se jo. Përkundrazi: duket qartë se e kanë pasur në favor retorikën qeveritare përderisa kanë guxuar që në kulmin e goditjeve të pretenduara nga qeveria të ideojnë dhe vënë në funksion të plotë jo një ahur apo një birucë, por një fabrikë të mirëfilltë të prodhimit të kokainës. Si në një parajsë të vërtetë të krimit. Si në Kolumbi. Vrapuan të parët për t’u mburrur me zbulimin e fabrikës, por faktet tregojnë se një pjesë e mori vesh e fundit dhe pjesa tjetër duket se ka lidhje. Duhen prova për të pohuar se mburrjet janë një mbulim i qëllimshëm, por që mburrja është verbëri, kjo është provuar. Krimi nuk mund të këtë aleat më të mirë se qeverisjen propagandistike.  Ishin në këtë mburravecje e sipër kryeministri dhe ministri i tij, kur në brigjet e Italisë mbërriti një anije nga Shqipëria me 6 kuintalë mariuanë, drogë që i ka shpëtuar kontrollit që qeveria pretendon se ka në territor e në pikat kufitare. Fabrika e kokainës në Elbasan është një fabrikë e metastazave të shumë krimeve: ekonomike, politike, elektorale, shoqërore. Duke pritur e inkurajuar drejtësinë, ne akuzojmë sot politikisht qeverinë, kryeministrin, strukturat përkatëse dhe ministrin e tij të Brendshëm se me politikat e tyre për rendin, me pseudo reformën e tyre në policinë e shtetit, me promovimin prej tyre të militantëve dhe klientelizmit duke larguar e dekurajuar profesionistët, me shndërrimin e policisë së shtetit në polici elektrike apo ndërtimore, i kanë hapur krahun krimit të organizuar që po livadhis. I kemi bërë thirrje qeverisë të distancohet qartë nga krimi, i kemi bërë thirrje kryeministrit të distancohet nga qasja që frymëzon dhe mobilizon krimin për një varg çështjesh të pushtetit të tij personal. Çfarë territori kontrollojnë kur bandat ngrenë fabrikë në kërthizë të vendit, kur bandat dhe banditët vrasin në mes të Tiranës! Kur atentatet me tritol po trondisin ditë pas dite sigurinë e çdo qytetari.
3-Opozitarizmi ynë do të vijojë të ketë në fokus të përditshëm problematikën e gjerë e të mprehtë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të vendit, gjendjen e familjeve dhe individëve, çështjet e mëdha të punës, punësimit dhe investimeve, vështirësitë e shtuara me të cilat ndeshet sot sipërmarrja e lirë vendase apo e huaj që operon në Shqipëri, temën e madhe të destinimit të parave që paguajnë taksapaguesit, politikat ekonomike në tërësi që ndjek qeveria e tjerë. Nuk e teprojmë aspak po të themi se gjendja ekonomike e qytetarëve shqiptare është sot më e keqe se dje dhe pardje, çdo ditë e më keqe, më e keqe se kurrë së paku gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Është ku thërret qameti. Modeli Rama-Meta i taksave të larta e tarifave të rritura në kohë krize vazhdon t’i varfërojë qytetarët, vazhdon ta zhysë ekonominë. Do të bëjmë çmos ta ndalojmë atë bashkë me qytetarët aty ku mundemi si opozitë.

4- Korrupsioni me fondet publike po del në pahun e kohës si vesi dhe krimi endemik i dyshes Rama-Meta. Antikorrupsioni do të jetë beteja jonë si opozitë. Ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Paratë e taksave të rritura, paratë e tarifave të rritura, paratë e rripit të shtrënguar në maksimum, paratë e mbijetesës së sipërmarrjes së ndershme. Ku shkojnë? Shqiptarët, viktima të taksimit të çmendur nga kjo qeveri, kanë minimalisht të drejtën të mësojnë pse po i bëjnë këto sakrifica, pse po shtrydhen në këtë gradë. Kulla e Korçës përfaqëson simbolikën e korrupsionit të sotëm me fondet publike. Një objekt pa vlerë, i kritikuar ashpër nga urbanistë dhe estetë të njohur, nga vetë qytetarët korçarë, që ka kushtuar miliona euro. Ndaj, duke filluar nga kjo javë unë dhe të gjithë ju, së bashku me të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike nga qendra në bazë, do të nisim një tur takimesh në mbarë vendin për të ndarë me qytetarët shqiptarë këto shqetësime, për të kërkuar bashkë me ta zgjidhjet më të mira për sot dhe për nesër. Të gjithë pranë njerëzve, deputetë, zyrtarë dhe drejtues të PD-së, duke filluar nga unë i pari e kemi për detyrë kryesore të jemi pranë tyre. Për të jetuar dhe njohur gjendjen reale të vendit. Për të njohur në thellësi hallet, mendimet dhe gjykimet e qytetarëve. Për të denoncuar braktisjen e tyre nga qeveria. Për të denoncuar mashtrimet qeveritare si thelbin e përkeqësimit të gjendjes në vend. Për të identifikuar së bashku rrugëdaljet. Për të përgatitur zgjidhjet. Për të mbledhur forcat, dhe për të rritur bashkimin e madh të Partisë Demokratike dhe opozitës me qytetarët për një të ardhme të re.