Kristo MËRTIRI / Politikanët zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova?!

689
Sigal

Peshtani ynë i shenjtë, djepi që na përkundi të dyve me këmbët buzë Vjosës, nuk është as sa një vrap pele nga Limari i Sejfullait, bile gjyshi im i quante si dy mëhalla nën çatinë e malit Golik mbi kokë. Çati që derdh përjetësisht erë lulebliri, trëndeline, çaji e dafine; blegërima me këmborë e zile; këngët dehëse të thëllëzave, bilbilave, mëllenjave e tufat drithëronjëse të zogjve të tjerë shtegtarë; gurgullima burimesh e krojesh nëpër sylynjarët me ujët e bekuar për njeriun,për syskat, bejkat e kabadhet pjellore të bardha si bora; për kopshtet qëndisur me perime e për kazanët që pjekin rakinë çdo vjeshtë; për zahirenë dimërore me misër, pastërma, bulmet e trahana, vetë jetën për mbijetesën mbi tokë. Atë mal perëndie të mbytur në pyje e kullota e kanë ende zili e lakmi sot e kësaj dite, veçanërisht ato faqet e rrahura nga dielli ku hedhin valle sorkadhja, lepuri i egër, nuselala, dhelpra e kunadhja leshverdhë…

-Ore babam, jo më kot Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfullait) dhe të tjerë gjer në Amerikë e gjetkë, autorët e mjaft shkrimeve publicistike i përhapën me emra të pagëzuar nga trojet tona: “Shtegu i Pelës”, “Gropa e Derrit”, “Golik Vjosa”, ‘Zasteni”, “Bathishta”, “Qafa e Furkës”, “Lëmi i Thanës”, “Bregu i Kulunxhiut”, “Kroi Plak”, “Buza e Savës”, “Guri i Shkallës” etj. Në fund të botës të shkosh, vendlindja të fanepset e magjishme edhe në gjumë, edhe në çastet e pakthyeshme të lamtumirës njerëzore,- hyn në bisedë me një afsh tjetër dashurie, Kiço Peshtanaku, miku im mëmëdhetar që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.- Kuvendo si të thotë zemra, por ti ndoshta nuk e di që Sejfullai i vogël është rritur edhe në Mezhgoran, te njerëzit e nënë Pashakos që e kishin nip të vetëm në Limar. Mirëpo le ta dinë të gjithë: Për prindërit tanë e për ne (siç tha edhe ai shkrimtari disident), Trebeshina e Goliku u bënë Baba Tomorri ynë…Poeti rebel e liriku fjalë mjaltë është vlerësuar me të drejtë edhe si poeti më i madh i vegjëlisë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vargjet e tij, jo rastësisht populli i ktheu në këngë e kushtrim para e pas betejave për liri. Ja,ditët e fundit më the se ishe kënaqur shumë gjatë takimit me Vangjel Vllahon, ish-partizanin 13-14 vjeçar që nuk e tradhtoi asnjë sekondë idealin prush të atdhetarisë, ndershmërinë e tij gati proverbiale, urtësinë dhe modestinë e rrallë. Sejfullanë e pa për herë të parë në komandën e vendit, në Mbrezhan, kur erdhi pas Kongresit historik të Përmetit. Gati 20 vjet mërgim i detyruar pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, nuk ishin pak. Erdhi e u vu në ballë të Luftës, me kokën plot, me dashuri, mençuri e trimëri. Por vjershat kishin ardhur më herët se ai. Vangjeli dhe një grup nga djemuria e Mbrezhanit ia morën vendçe këngës himn “Si e dua Shqipërinë”. Se poeti luftëtar nuk i honepste mirë mitingjet e daullet. U përqafua me të gjithë dhe u ul këmbëkryq me partizanët e fshatarët vakërriotë (patriotë), që shikonin e dëgjonin gjithë sy e veshë. Pa fjalim të shkruar e pa qibër. I shtruar e popullor me zemër. E përcollën gjer në Malëshovë e Limar si birin e tyre, pa mësuar nga goja e tij se ishte zgjedhur në udhëheqjen më të lartë të Luftës…Po mua më zien koka rreth një fakti të pamediatizuar e të paanalizuar nga analistët e mbytur gjer në grykë nga ujërat partiake të sotme dhe pyes shpesh veten, vërsnikët e mi të paktë por edhe ty miku im, që jeton në kryeqytet:- Si shpjegohet që 3 poetë mes Golikut e Trebeshinës, u goditën aq pa mëshirë nga regjimi i djeshëm (Sejfullai, Kasëmi e Trifoni)? I pari u dënua përfundimisht me vetmi ulëritëse e u internua, i dyti u syrgjynos nëpër qelira e burgje dhe i treti u pushkatua jo shumë kohë pasi kish hedhur në letër atë vargun tejet tronditës për dje, për sot e për nesër: “E shkreta ti, moj Republikë, Në emrin tënd të marrin jetën!…”.

Karakteret e forta dhe të paepura, idealet e pastra historikisht mbajnë në këmbë shtete, popuj e kombe. Mbajnë gjallë lirinë e vërtetë, demokracinë. Prandaj ndershmëria ka qenë, është e do të mbetet politika më e mirë. Por jeta të zë edhe me gurë. Sepse Sejfulla Malëshova me shokë, ishin qysh në fillim armiq të betuar të lepepeqërisë e kundër karaktereve të qullosura, kundër çdo lloj favori e privilegji të pamerituar. Xanxar apo rebel, fatlum apo tragjik dhëmbjeshumë ?! Ishte kohëtrazuar, kur revolucioni po fillonte të “hante bijtë e vet”… Edhe vetë poetin e vegjëlisë që e donte Shqipërinë edhe “Për një stan në Trebeshinë Për një ledh e për një mur Për një shkarpë e për një gur Për kasollen mbi Selishtë Për dy ara në Zallishtë Për një lopë e një gomar Për një balo, një manar Unë e dua Shqipërinë Si bari e si fshatar…”. Me shpirt të helmuar, e donte edhe si poet i dhëmbshuruar ! Po kush e ndjeu dhe e vlerësoi me shpirt këtë palcë atdhetarie të veçantë, që nisi të shpalosej qartë edhe te mendimi ndryshe, te guximi me kokën në torbë? Ti më thua shpesh, miku im, se edhe në luftërat kundër dushmanit, përgjithësisht në lule të ballit e hëngrën më trimat, ata që nuk bënin hesape vetëm për veten. Por kjo ishte një luftë tjetër ndoshta më e egër dhe brenda familjes e gjakut në breza, tamam si mola që ha trarët e shtëpisë! Pa dyfekë e pa mortaja… Shpesh buzagaz e plot qesëndi, ti më kujton atë fjalën therëse labërishte me dy presa nga koha e monizmit: “Iku kordha, jatagani Doli pena dhe mellani!…”. Nga një firmë e nga një vulë, mund të mos ngrije kokë kurrë. A do më konkretisht e açik ? – Ditët e fundit, u njohëm me një studim të freskët ndërkombëtar, që zbulonte se 55 vetë zotërojnë gjysmën e pasurive të Shqipërisë sonë. Dhe paskan lënë prapa shumicën e vendeve të Rajonit. Është llafi për ata kokoroshë që vunë pasuri me mbi 30 milion euro!…Po ata rreth 100 zyrtarë lapërdharë me rroga shteti që janë kthyer të zestë në “borxhlinj” e “huamarrës” me gati 2 miliard lekë nga të afërm e miq, si do mbrohen një ditë përballë Ligjit e Drejtësisë? Shumica janë emëruar e zgjedhur në funksione të larta. Sikur dikush i vërviti me zor a me dhunë në ato kolltukë “varfanjake”, për t’u katandisur me “borxhe” gjer në grykë! Apo ishin më mirë pa poste e grada(?!), se sa tani që po u del shpirti pranë shtresave në nevojë në qytete e fshatra…

Zengjinët politikanë kanë pasur e kanë vetëm një kandar, atë prej batakçiu. Elektoratin popull e dinë sikur ha vetëm bar dhe në vend të mallkimit “Harram” u thotë qorrazi “Hallall”! Ndërsa kur bie fjala për himnin e Sejfulla Malëshovës “Si e dua Shqipërinë”, të quajnë edhe “jashtë kohe” ose thjesht provincial. Politikanë të tillë as që dinë se ku bie fshati që lëngon. Ethet e parasë së pistë u ngjajnë edhe dy bulçive të fryra nga korrupsioni, prandaj nuk bëzajnë dot dhe ndoshta nuk duan të dinë asnjë varg nga Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina e Trifon Xhagjika. Paraja u ka lidhur mendjen, sytë, veshët dhe gjuhën. Po medias elektronike e asaj të shkruar, kush ua ndryshk penën, mikrofonin e kamerën? Një humnerë varfërie intelektuale, qytetare, publicistike e profesionale! Fjala vjen, përtej kufirit shtetëror, Agim Vinca mendjehollë e vlerëson Lame Kodrën e viseve të mia edhe si “flamur të idealeve shoqërore e poet të frymëzuar kombëtar”. Ndërsa Pashko Gjeci i mirënjohur theksoi se “fryn erë shqiptare” dhe veçonte e recitonte me kënaqësi “Klithma e Dragobisë”, “Poeti rebel” dhe “Bilbilenjtë”. Unë mbaja mend një ligjërim publik të Nolit të madh, kur i quajti pa mëdyshje “të frymëzuara me zjarrin e shenjtë”! Ndërsa Konica, kur po gremiste sytë, në shënimin e tij të fundit i drejtohet “Lamja im i vogël”…

Një regjim mund të të bëjë memec, por jo të të tjetërsojë. Ai nuk e kthente dot fytyrën nga të frynte era. Sepse sot, në gjykimin tim, koha ka ardhur për të bërë jo vetëm një gjyq moral ndaj politikanëve zengjinë e mashtrues. Përse nuk thuhen ende burimet e vërteta të pasurive marramendëse? Sepse nëpër qytete e fshatra po rrinë ende varur mjaft pyetje me spec e pa spec dhe pa përgjigje institucionale në portat e Shtetit të së Drejtës. Pasi hipin nëpër kolltukët pushtetarë e partiake, çuditërisht u bëhen pasanike bashkëshortet sa hap e mbyll sytë, fëmijët, nipër e mbesa, krushka e krushq, ç’emër t’i vëmë kësaj thagme të tranzicionit shqiptar? Shikoni mizërinë e bordeve lokalë e qendrorë që pjellin shpërblime pa pikë djerse, përse përzgjidhen vetëm nga oborri i pushtetit të radhës ? Po me nder tenderat përse “fitohen” vetëm nga klientët gjunjëkëputur të fushatave elektorale e nga sekserë të besuar partiakë e matrapazë të thekur? Ose vëzhgoni mjaft posterënë të majtë e të djathtë: Si i ngritën e selitën apartamentet e vilat në qytete, fshatra, bregdet, kodra e male; studiot private, dyqanet etj.,vallë me kursimet nga rroga e shtetit ? Po fëmijët e tyre me pasaporta shërbimi e diplomatike që “sakrifikojnë” nëpër shkolla, konvikte e shtëpi me qera jashtë vendit? Po fëmijët e njerëzve të thjeshtë, mos vallë “i ka pjellë lopa”?!…Më thuaj, të kam rixha, përse po vrapojnë biznesmenët milionerë nëpër strehët e partive politike, për të përmbysur kolltukët e Kryetarëve apo për t’u mbajtur frymën gjallë shtresave në nevojë! A e dinë veteranët e Luftës e të Punës dhe pensionistët e invalidët shqiptarë, se sa pension përfitojnë ish-deputetë, ministra e zëvendës, drejtues të Gjykatave sipërore e të Prokurorisë etj.? Ta them unë shqeto: Mbi 5- fishin e pensionit maksimal të sotëm! Shqipërizën tonë hallemadhe, mjaft prej tyre e duan thjesht për çifligje e pallate korrupsioni, duke e mjelur gjer në pikën e fundit. “…Përunjem, përunjem mëkatar Përpara fjalës së larë: Qytetar !”. I ka shqipëruar në internim, as i gjallë as i varrosur, buzë Gjanicës. Gjersa dha frymën e fundit mes vetmisë tragjike sa një mal, ishte dhe mbeti kundërshtar i pamëshirshëm ndaj favoreve e privilegjeve në kurriz të qytetarit. Nuk heshti, edhe kur mbi të ra Shpata e Damokleut. Prandaj politikanët hajdutë e zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova. Shkurt, sot edhe paraja e pistë po e bën tradhtarin patriot dhe patriotin tradhtar!…Një episod i vockël tragjikomik, ka mbi 50 vjet që tregohet ende në Ballsh, Fier e gjetkë. Hijet ogurzeza e ndiqnin në çdo hap. Dy-tre agallarë lokalë i dërguan një hallexhi naiv te dera e barakës: -Dua të më bësh një samar për gomarin…-Po kush të dërgoi këtu ?,-e pyeti prerë Sejfullai, ndërsa fshatari i padjallëzuar tregoi me dorë provokatorët dallkaukë përtej dritares.- Unë bëj samar për ata që të dërguan ty, jo për gomarin tënd!…