Laureta Petoshati: Edhe Luiz Ejlli merr mesazhe nga jashtë shtëpisë

336
Sigal

Kam kohë që ndjek Vëllain e Madh në shfaqjet parësore (Prime) të së martës dhe të shtunës, pasi në këtë entuziazëm kolektiv si të ishin ndeshjet e kampionateve botërore të futbollit, apo shfaqja e parë e Beatles (Bitëllsave) në vitin 1963 në Amerikë, edhe unë jam zhytur në këtë vorbull tifozllëku dhe pse ta fsheh, jam që në fillim përkrahëse e Luiz Ejllit dhe për mua është fitues absolut i këtij edicioni.

Janë tre elementë të fortë që e bëjnë fitues:

  1. Identiteti i fortë kombëtar

Kemi parë në disa fotografi që Luiz Ejlli që i vogël mban në kokë një plis të bardhë dhe është ky plis që e dallon shqiptarin, sipas të gjithë historianëve në tërë Ballkanin. Ju kujtohet kur u zu me Mjeshtër Armaldon për plisin? Sepse që ta mbash në kokë atë plis nuk duhet ta presësh dikë në besë. Pra këtu kemi një kod tjetër të identitetit të shqiptarit, që është besa. Edhe në mënyrën e të ngrënit, me groshë e gjëra të menusë shqiptare. Është i vetëdijshëm dhe i mëkuar për identitetin e vet, për prejardhjen nga Dukagjini i lavdishëm si ajo kënga e Fishtës:

“Dymijë djelm çoj Dukagjini,

në luftë t’rrufeshmëm porsi Drini,”

Jo më kot Luiz Ejlli u përshëndet dhe nga Hamëz Jashari nga Prekazi historik. Asnjë nga banorët e tjerë nuk e ka këtë vetëdije të fortë kombëtare si Luiz Ejlli, aq më tepër ndonjë konkurrent i fortë me të.

  1. Besimi

Herët në mëngjes e kam parë Luizin që bën kryqin dhe pastaj ha bukë. Disa herë dhe loton. Unë besoj se ai bën lutjet mëngjezore. Tashmë i kanë çuar dhe një rruzare që e mban në qafë dhe bën lutjet. Sepse Luiz Ejlli, është katolik dhe është rritur shpirtërisht qysh i vogël në Kishën franceskane të Shkodrës, me pjalmin kulturor dhe fetar të franceskanëve të mëdhenj të Shqipërisë, të atyre që dikur themeluan liceun “Illyricum” të Etënve Françeskanë të Shkodrës, e hapur ndaj të tre elementëve fetarë të qytetit, katolikë, myslimanë e ortodoksë. E ajo kishë ku shkonte at Zef Pllumi frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist që Luiz Ejlli ia pat dëgjuar me veshë ato që ai tregonte dhe ne tashmë i lexojmë te trilogjia “Rrno vetëm për me tregue”, i mësoi atij Dhjetë Urdhërimet e Tenzotit, por dhe pse kishte shpëtuar e shkëlqyer kombi nga vepra e franceskanëve si At Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Marin Sirdani, Martin Gjoka, Athanas Gegaj, etj, si dhe e katolikëve që siç ka thënë Konica “pjesa katolike e popullit shqiptar ka rrëfyer, nën zgjedhë të sulltanëve, më tepër forcë shqiptarësie se pjesët e tjera.”

Që është një katolik i devotshëm Luiz Ejlli e tregoi në qëndrimin që mbajti ndaj pëllëmbës që i dha Kejvina Kthella. Zbatoi Ungjillin sipas Mateut 5:

Ju keni dëgjuar se qe thënë: “Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”. Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.”

Mjaft dinjitoz ishte qëndrimi i tij ndaj goditjes mediatike që iu bë Kiarës duke zbatuar Urdhëresën e Tetë dhe Ungjillin sipas Gjonit 8: 7 “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!”

Në fakt as Olta dhe as Kiara që flasin për rroba të shtrenjta, nivele jetese, para e apartamente nuk arrijnë ta kuptojnë Luizin. Kiara është formë, ndërsa Luizi është përmbajtje. I edukuar në një kishë franceskane, natyrisht që do të ndiqte shembullin e Shën Françeskut të Asizit , që u zhvesh nga salltanetet e pasuria dhe u martua me “zonjën varfëri”e ka kuptuar shumë mirë sekretin e lumturisë së skamnorëve në shpirt, pra të atyre që janë jo të prirur drejt materiales, por drejt një jete që dallohet nga vetëpërmbajtja për të mos rënë në kurthin e kulturës së konsumit. Këtu ai ndjek fjalë për fjalë. Ungjillin sipas Mateut 5,3 “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit”.

Duke ndjekur shembullin e Krishtit të varfër dhe dashurinë për të varfërit Luizi i thotë Armaldos që 80 përqind të rrobave do tua çojë jetimëve.

Madje ka shumë urdhërime që Luizi i zbaton fjalë për fjalë si respekti dhe dashuria për prindërit, fëmijët, pleqtë, etj.

  1. Intuita nga shkollimi jashtë kuadratit

Luizi ka dy shkolla të larta, një për arte dhe një për juridik, që e ka bërë në Francë. Njeh dhe gjashtë gjuhë të huaja. Gjithë portalet para pak ditësh dhanë lajmin se ai bëri tattoo syrin e Kiarës dhe të Topit, por u kaloi pa u vënë re një tatuazh latinisht që thoshte: “audentes fortuna juvat”, që do të thotë se guximtarët i ndihmon fati. Deri tani, po. E ka ndihmuar dhe shkolla e jetës, puna qysh fëmijë. Por dhe mesazhet që i shkojnë. Herën e fundit ai dukej si të ishte prift me një rruzare në qafë. Arbana e quajti “Dom Luizi”, për nga pamja, por kush ia ka dërguar këtë veshje i ka dhënë një mesazh të koduar, që ai e ka kuptuar: “vazhdon ritet e shenjta, ndiq urdhërimet e zotit”, por mund të jetë dhe meqë priftërinjtë katolikë nuk martohen, vendin e BBVip konsideroje kishë dhe vajzat motra duke u vetëpërmbajtur. Ku i dihet kush ia nisi: ndonjë nga shokët, apo nëna? Sepse asnjë nuk do të donte që shokun e vet ta shikonte me dikë që flet për dikë tjetër duke i shkëlqyer sytë, si puna e Dantes që u martua me Gemma (Xhema) Donati-n dhe shkroi gjithë jetën për Beatrice Pontinari-n.

Këto dhe talenti shumëpalësh, mendoj se e bëjnë fitues absolut, por edhe televizionin në pozitën e përgjegjësisë publike dhe kombëtare, pse jo të mundësojë dhe një meshë tani në prag të pashkëve, për ushqim shpirtëror.