Janusz Bugajski/“Domethënia e Europës për Amerikën”

547
Sigal

Xhon Kerri kohët e fundit zhvilloi udhëtimin e tij të parë si Sekretar i Shtetit në disa prej  vendeve aleate më të afërta evropiane të Amerikës. Ky udhëtim shkaktoi debate mbi përparësitë e politikave të administratës së dytë të Obamës. Për disa vëzhgues, vizita e Kerrit në Britani, Gjermani, Francë dhe Itali tregoi se, politika e jashtme e Uashingtonit po distancohet nga Azia dhe po shkon drejt Evropës. Pas një mandati të parë presidencial të përqendruar në Paqësor, duket qartë që Obama do të forcojë disa marrëdhënie tradicionale. Axhenda e Kerrit përfshinte hapa drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë mes SHBA-ve dhe BE-së që do i jepte shtysa rritjes ekonomike në të dyja anët e Atlantikut.  Megjithatë, edhe pse Uashingtoni kërkon një Evropë më të qëndrueshme, më frytdhënëse dhe më të angazhuar ndërkombëtarisht, vetë Evropa nuk është subjekti kryesor i axhendës së tanishme të Amerikës. Diplomacia e Kerrit është përqendruar në konfliktet në Siri, Mali dhe Afganistan dhe krizën që po përvijohet në Iran dhe Korenë e Veriut. Në Paris, Kerri diskutoi ndihmën amerikane për operacionin ushtarak francez kundër kryengritësve islamistë në Mali. Në Romë, Kerri u përqendrua te kriza në Siri. Në Berlin, ai u takua me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe u vu një theks i veçantë mbi Sirinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. Udhëtimi i Kerrit nuk përfshiu dy zona që dikur kanë qenë të rëndësishme për interesat amerikanë: Evropën Qendrore dhe Lindore dhe NATO-n. Ai nuk shkoi për vizitë në Poloni, që e ka mbështetur më shumë ushtarakisht politikën e SHBA-së në Irak dhe Afganistan se sa disa aleatë tradicionalë. Madje, në axhedën e tij nuk u përfshi as Brukseli, duke treguar se, administrata Obama mund të mos e shohë më NATO-n si një pjesë të rëndësishme të strategjisë së SHBA-së. Uashingtoni s’mund të mbështetet tek aleatët e tij për misionet ushtarake në të ardhmen. Operacioni britaniko-francez në Libi dhe dislokimi i trupave francezë në Mali s’do kishte qenë i mundur pa ndihmesën logjistike dhe kundërzbulimin e SHBA-ve. Vetëm Amerika ka avionët transportues dhe cisternë për ta bërë të mundur një mision të tillë. Ndërsa evropianët vazhdojnë të shkurtojnë shpenzimet e tyre për mbrojtjen, përhapja e madhe e armëve pas luftës civile në Libi dhe Siri po u jep zemër lëvizjeve militante islamiste në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Duket se, Sekretari Kerri do jetë shumë i zënë duke shuar zjarret se t’ia përkushtojë kohën hartimit të një strategjie të re transatlantike.