Jakup B. Gjoça: Aleatët politikë të Rilindjes Socialiste, u katandisën si vagonë zhavorri

577
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në fushatën zgjedhore të 23 qershorit 2013, për të arritur qëllimin e fitimit të pushtetit me çdo kusht, meqë – nëse humbiste – për Edi Ramën do të ishin zgjedhjet e fundit parlamentare si kryetar i PS, pas 2 humbjeve elektorale, 2005 dhe 2009, përdori sloganin elektoral-politik “Do bashkohem edhe me Djallin, për të fituar me çdo kusht zgjedhjet parlamentare”!

Kryetari i PS-së: Aleancë Elektorale edhe me Botën e Krimit
Së pari : Kryetari i PS-së, përpunoi në prapaskenën politike strategjinë e financimit elektoral më këdo person që do të kontribuonte me çdo mënyrë, financiare, përdorim presioni dhe dhune, për të blerë, për të marrë çdo votë! Kështu, kryetari i PS-së, bashkëpunoi haptas edhe me persona të të ashtuquajtur “Të Fortët” e lagjeve, të qyteteve, të krahinave, duke i ftuar jo vetëm në bashkëpunim, por edhe u siguroi edhe vende primare në renditje të Listës Zgjedhore të PS-së të kandidatëve për Deputetë. Asokohe, në fushatën elektorale të 23 qershorit 2013 ky fakt kaloi në heshtje, por më vonë, ky fenomen u zbardh kur u zbardhën rekordet kriminale të shumë deputetëve të PS-së, aq sa Parlamenti u detyrua të votonte edhe Ligjin e Dekriminalizimit!

Së dyti: Edi Rama, me përvojën 11 vjeçare si kryebashkiaku u Tiranës, u mbështet edhe në ndihmën financiare të shumë biznesmenëve, duke u premtuar paskëtaj, edhe shpërblimin financiar, sikurse ndodhi, duke u dhënë klientëve të tij biznesmenë dhjetëra koncesione dhe tenderë publikë aspak me proces transparent, por me përzgjedhje paraprake, për të cilat Qeveria e kryeministrit Rama akuzohet për korrupsion! Sali Berisha, si kryetari i Koalicionit të Djathtë, kryetarët e partive më të mëdha aleate, i vuri kandidatë për deputetë në Listën e PD-së, duke u siguruar mandatin e deputetit, pavarësisht se partitë e tyre. Më vonë, këta kryetarë të partive politike, që fituan mandatin e deputetit me Listat e PD-së, e braktisën PD-në, dhe u bashkuan me Edi Ramën, pasi u joshën me disa poste të parëndësishme në ministri!

Edi Rama, si kryeministër shpërfilli marrëveshjet elektorale me aleatët
Dhe, së pari, Edi Rama, si kryetari i PS-së, u premtoi të gjitha partive politike se do të merrnin pjesë në pushtetin e ri në saj të përqindjes së votave që do të merrnin, nëse Koalicioni Elektoral I 2013-s, që PS-ja do të kryesonte. Por, që Edi Rama ua kishte me hile aleatëve të tij elektoralë, kjo u manifestua dukshëm, kur Edi Rama nuk pranoi asnjë kryetar të partive aleate, as të PDS dhe PSD, të ishin kandidatë për deputetë në Listat e PS-së. Madje, kryetari i PS-së Edi Rama përdori edhe diversionin politik, duke krijuar shtojca partish, të atyre partive politike, që u renditën në koalicionin zgjedhor të së Djathtës. Kështu, çuditërisht, aleanca zgjedhore e së Majtës, që kryesonte Edi Rama, pati parti të dyta nga Çamët, nga minoritetet, nga ballistët, nga legalistët, nga komunistët, etj. Në fakt, PS-ja si parti e parë e së Majtës, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 mori vetëm 713.407 vota, ndërkohë që aleatët e tjerë morën afërsisht 300.000 vota. LSI mori 180.000 vota dhe 19 mandate, PBDNJ mori 14.722 vota dhe 1 mandat, PKD–ja mori 7993 vota dhe 1 mandat, ndërsa partitë e tjera të koalicionit të Majtë, nuk morën asnjë mandat, edhe pse të gjitha së bashku morën 120.000 vota. Duke përfituar nga Kodi Zgjedhor, kryetari i PS-së, 120.000 votat e partive aleate i shfrytëzoi për të marrë 65 mandatet e PS-së. PDS-ja mori 11.891 vota, PSD-ja mori 10.202 vota, AP-ja 8.927 vota, PDIP-ja mori 4550 vota. Edi Rama, si kryeministër, shpërfilli marrëveshjen elektorale që kishte bërë me aleatët, duke i përjashtuar nga qeverisja qendrore dhe vendore të gjitha partitë që kontribuan me votat e tyre në fitoren elektorale të së Majtës në 23 qershor 2013. Përkundrazi, Edi Rama, u dha poste qeveritare, edhe si zv.ministër kreut të G-99, edhe pse ata kishin vetëm 2.877 vota, shumë herë më pak, se partitë që përmenda më lart. 

Sërish partitë do të bëhen vagonë zhavorri të Edi Ramës?
Edi Rama, si kryeministër, u tregua i pabesë, fjalëngrënë me aleatët e vet politikë, të cilëve nuk u dha asnjë post në qeveri, siç u kishte premtuar dhe siç kishin nënshkruar me marrëveshje elektorale dypalëshe me PS dhe Edi Raman, edhe pse me kontributin e tyre elektoral, i dhanë në 23 qershor 2013 së Majtës 120.000 vota. Edi Rama u tregua kaq i pabesë me aleatët e tij elektoralë të 2013-s, saqë nuk mjaftoi që ata i përjashtoi nga pjesëmarrja në qeveri, por, përkundrazi, u dha poste qeveritare kryetarëve të partive që mandatet e deputetëve i fituan me Listat e PD-së, por që i dhanë Ramës kartonat e tyre në Parlament! PSD-ja në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, doli si subjekt politik më vete, e zhgënjyer nga pabesia politike e Edi Ramës. PDS-ja asokohe, në 2015 pranoi në minutat e fundit, të ishte në koalicion me Edi Ramën, pas ripremtimeve që u dha Rama. Mirëpo, Edi Rama, sërish, edhe pas zgjedhjeve vendore të 2015-s nuk e respektoi marrëveshjen me PDS-në, duke i rigënjyer aleatët e vet politikë! Tani është koha, që do të shpallen koalicionet elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017. Pyetja e vetme që shtrohet është: A do të pranojnë më partitë politike, të bëhen vagonët e zhavorit të kryeministrit Edi Rama? A do të pranojnë që votat e partive të tyre t’i shfrytëzojë në 18 qershor 2017 kryeministri Edi Rama të marrë mandate për kandidatët e Listës së PS-së dhe, paskëtaj, aleatët t’i Ribraktisë, sa të marrë pushtetin? Partia Socialiste e Edi Ramës, kurrë nuk mund të fitojë zgjedhjet parlamentare pa ndihmën e aleatëve politikë. PS-ja në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 fitoi vetëm 400.000 vota, duke humbur 311.321 vota më pak sesa zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Gjatë 4 vjetëve të qeverisjes, Rilindja Socialiste është akuzuar për korrupsion, për kriminalizimin e Parlamentit dhe të Pushtetit Vendor, nuk ka mbajtur dhe nuk ka konkretizuar asnjë premtim elektoral të 2013-s dhe dështoi plotësisht edhe programi qeverisës që miratoi Parlamenti në shtator 2013. Varfëria është shtuar gjeometrikisht, saqë 200.000 shqiptarë braktisën Shqipërinë dhe u bënë azilantë ekonomikë të Evropës, papunësia u trefishua, Borxhi i Jashtëm është 79 % nga 63 % në 2013. 
A do të pranojnë më partitë politike, të bëhen vagonët e zhavorit të kryeministrit Edi Rama? A do të pranojnë që votat e partive të tyre t’i shfrytëzojë në 18 qershor 2017 kryeministri Edi Rama të marrë mandate për kandidatët e Listës së PS-së dhe, paskëtaj, aleatët t’i ribraktisë, sa të marrë pushtetin?
Sigal