Gëzim TUSHI/ “Militantët e moralit” dhe liria e diversitetit etik…

741
Sigal

Në shoqërinë tonë kohët e fundit është bërë fenomen social i zakonshëm, mbase për shkak të traditës së ndërtimit të marrëdhënieve dhe sjelljeve morale të bazuara në parimet e etikës doktrinariste të së kaluarës, që akoma njerëzit në ambiente publike dhe rrethana sociale kanë qejf herë sinqerisht dhe shumë herë me hipokrizi sociale të hiqen si “moralist”.  Për pasojë  janë akoma të shumtë njerëzit që kanë koncepte të deformuara, të ekzagjeruara për moralin dhe rolin e tij, duke e p[arë atë jashtë kohës dhe kontekstit të zhvillimeve historike, politike, sociale e kulturore që ndodhin në vendin tonë. Për pasojë, është evidente që më të neveritshmit në kohën e sotme, janë ata njerëz që në mënyrë hipokrite, pa dijet e duhura dhe në kontekstin e injorancës personale, shfaqen në shoqëri si “militantë të moralit”. Madje, kanë kurajo dhe duan të orientojnë njerëzit me një listë të vjetër, me “zgjidhje etike” që nuk janë në sensin e duhur me problemet morale të jetës së përditshme.  Është shumë pozitiv fakti që kohët e fundit, diskutimet për jetën morale në shoqërinë tonë janë krejt të hapura. Kjo ka krijuar kushtet sociale që njerëzit të diskutojnë të lirë për gjithçka që ndodh në jetën tonë, për të mirat kohës dhe anomalitë e shumta morale. Sot po flitet me shqetësim për problemet morale të martesës dhe familjes, divorcin dhe seksin, përhapjen e prostitucionit, problemet e qëndrimit ndaj të drejtave të njerëzve me orientim të ndryshëm seksual (homoseksualët), për pedofilinë, krimin, shtimin e vrasjeve dhe vetëvrasjeve. Me fjalë të tjera, për çdo gjë që preokupon moralisht dhe materialisht shoqërinë tonë. Nuk është se duhet të jemi kundër moralistëve në shoqëri. Por koha kërkon prej tyre që më shumë se të shfaqen si doktrinarë është më mirë të luajnë role etike, të shfaqen moralisht në shumë pozicione që kanë sipas roleve të tyre sociale si prind, mësues, gazetar, filozof, sociolog, politikan, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.. Sepse në kohën e sotme është tipike që të gjithë njerëzit moralizojnë për probleme të ndryshme, por duke i parë çështjet etike sipas optikës personale, formimit intelektual, nën ndikimin e raporteve liberale apo konservatore që mbajnë me traditën morale të shoqërisë tonë, etj. Megjithëse “pelerina e moralit” klasik e doktrinar në shoqërinë tonë është “grisur” nga dallgët e kohës dhe ndikimet e forta të postmodernitetit, në pamje të parë ajo përsëri të duket shumë e gjerë, gati e aftë të mbulojë të gjitha problemet etike që ka shoqëria. Në të vërtetë nuk është kështu. Pelerina e vjetër morale nuk është aq e madhe që të mbulojë të gjitha problemet etike të shoqërisë, pikërisht nga që është ridimensionuar si madhësi, është vendosur në vartësi të raporteve të reja që ka morali social me lirinë e individit, me dëshirën dhe mundësinë për të patur sjellje të veçantë pse jo në shumë raste edhe të papërsëritshme. Është fitore e madhe sociale që më në fund, njerëzit në çdo pozitë që janë si baba, nënë, mësues nuk janë më aq hijerëndë përballë sjelljeve morale dhe komportimit etik të njerëzve në shoqëri. Sepse po jetojmë në kohën kur etikisht njerëzit kanë më pak besim në formulat morale dhe më shumë besim në tipologjinë e ndërtimit individual të sjelljes së lirë. Mund të ketë shumë formulime e përkufizime për moralin në kohën postmoderne, që janë krejt të ndryshme nga formulimet etike doktrinariste iluministe, marksiste, fetare, etj. Personalisht më duket më i saktë dhe jetësor formulimi që ka dhënë Fernando Sevater, filozof, eseist dhe romancieri spanjoll, sipas të cilit, “Morali është tërësia e sjelljeve dhe normave që ti, unë dhe disa nga ata që na rrethojnë i konsiderojnë në përgjithësi si të vlefshme; etika është të reflektuarit se përse i konsiderojmë ato të vlefshme dhe krahasimi me “moralet” e personave të tjerë të ndryshëm.” (F. Sevater, “Bisedë me tim bir”, f.49). Natyrisht, në kushtet e lirisë është e mundur që njerëzit të kenë shanse që të jetojnë moralisht në shumë mënyra. Por kjo nga ana tjetër nuk duhet të na pengojë të konstatojmë, se aktualisht në shoqërinë tonë janë përhapur shumë mënyra të sjelljes jo adekuate morale, të cilat i pengojnë njerëzit të jetojnë në mënyrën e duhur. Fjala vjen, përhapja dhe përdorimi i drogës në shoqëri është fenomen i përhapur dhe kompleks, abuzimi me të cilat është i dëmshëm në shumë aspekte përfshirë edhe atë moral. Për të kuptuar raportet e reja të moralit më lirinë në shoqërinë tonë, së pari duhet të pranojmë efektet sociale e morale të liberalizimit të jetës, zgjerimit të kufijve të lirisë së sjelljes individuale. Sociologët e etikës janë të mendimit se brenda lirisë së zgjeruar, është e nevojshme që njerëzit të zgjedhin për të jetuar moralisht format tona të pranuara të jetës. Në këto kushte, etika nuk është gjë tjetër veçse dija e të jetuarit ose arti i të jetuarit si të  duash. Por njerëzit e lirë kanë motivet e tyre morale, ose më saktë arsye për të bërë diçka në jetën personale, duke qenë të bindur se në kohën e sotme, kur hapësirat e lirisë individuale janë të zgjeruara, është e sigurt që virtyti dhe vesi moral varen dhe janë në dorën e mënyrës si ndërton njeriu sjelljen e vet. Sepse liri në sferën e moralit do të thotë e drejtë e njeriut që të vendosë për moralin vetjak, mënyrën e ndërtimit të sjelljes së tij. Padyshim për të kuptuar mënyrën e lidhjes dhe veprimit të ekuacionit midis lirisë dhe etikës, moralit dhe sjelljes personale, është e udhës që të kuptojmë se njeriu i lirë e ndërton moralin e vet të lire, pa patur më frikë nga ndëshkimet që vijnë prej autoriteteve të ndryshme shtetërore, apo nga shpërblimet e ofruara për tipologjinë e sjelljes së shfaqur. Natyrisht duhet të kesh qytetari që ta kuptosh dhe përdorësh si duhet lirinë në jetën tënde morale. Liria është e vetmja rrugëdalje për të qenë moralisht të lirë në jetë. Por me kushtin e kuptimit të së vërtetës, se liria morale është më së pari dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi morale personale. Të bësh atë që do është liri morale, por është dhe angazhim personal, përgjegjësi për të ecur në rrugën e duhur etike. Jeta morale e lirë na ndihmon të bëjmë atë që duam moralisht, por jo të plotësosh kapriçiot morale personale që dëmtojnë të tjerët. Në këtë pikë është mirë që të kombinojmë lirinë morale me vlerat e etikës, e cila nuk është gjë tjetër veçse një “orvatje racionale për të gjetur se si mund të jetohet moralisht më mirë”. Ne si shoqëri e kemi shqetësim social të përgjithshëm situatën morale që është krijuar, në të cilën duket se po shtohen njerëzit që jo vetëm nuk e marrin seriozisht por e shpërdorojnë lirinë morale dhe për pasojë bëhen etikisht të papërgjegjshëm në shoqëri. Liria moralisht e shpërdoruar, e kthyer në fenomen social masiv në shoqërinë dhe sjelljen e njerëzve tanë, është shkaku kryesor sipas meje që kemi këto pasoja etike të shëmtuara me të cilat përballemi përditë. Liria morale nuk ka kuptim në se njeriu nuk ka koshiencë sociale për atë që bën, dhe në të njëjtën kohë edhe brejtje ndërgjegjeje për atë që bën keq, apo që e bën qëllimisht në dëm të njerëzve të tjerë. Një nga difektet serioze të situatës etike në shoqërinë tonë, është konceptimi semplist i shkaqeve dhe faktorëve të kësaj situate etike në sjelljen e njerëzve. Sigurisht, nuk mund të mohohet madje duhet pranuar pa mëdyshje se kanë vendin dhe efektin e tyre në zhvillimet e sotme të jetës morale, faktorë të tillë të rëndësishëm si rrethanat politike e sociale, veçoritë e karakterit personal të njeriut, përhapja e formave të këqija të edukatës dhe edukimit, televizioni, interneti, shembujt negativë dhe imitimi i tyre. Kjo është e vërtetë që duhet llogaritur në vlerësimin e situatës etike në shoqërinë tonë.  Por kjo nuk do të thotë, se meqenëse janë këto rrethana që nuk varen individualisht nga njeriu, njerëzit nuk duhet të jenë të moralshëm apo nuk duhet t’i të luftojnë etikisht që t’i rezistojnë tundimeve të përhapura në realitetin tashmë postmodern. Gracka e madhe etike dhe sindroma sociale është e bazuar në një mentalitet që jo vetëm është në zgjerim, por dhe që ka kapur njerëzit. Sidomos të rinjtë, të cilët i përdorin këto fakte dhe këtë realitet social si shkak që bën të pamundur rezistencën etike ndaj të keqes, mbivlerësimit absolute të mënyrës materialiste, konsumistike dhe dipendente që është në zgjerim. Kjo është arsyeja pse si shoqëri duhet t’i kthehemi vlerësimit të rolit të etikës dhe kontributit të saj në përmirësimin e standardeve të jetës morale. Morali dhe mënyrat etike të sjelljes, janë faktorë që na duhen për të korrigjuar defektet tona, për ta bërë jetën dhe marrëdhëniet sociale në shoqëri me natyrë të spikatur njerëzore. Sociologët e postmodernitetit mendojnë se, “specialiteti i etikës konsiston në atë që të përcaktohet se si jetohet më mirë jeta njerëzore si jetë që kalohet bashkë me qeniet e tjera njerëzore. Etika ka si funksion të garantojë njerëzit se ia vlen të jetohet, pavarësisht nga problemet që i nxjerr përpara njeriut jeta”. Fakti që jetojmë në liri dhe moralisht jemi të lirë, kjo nuk do të thotë që të shkelet çdo kriter moral dhe njeriu të bëj si të dojë dhe të realizojë vetëm atë që do individualisht. Moralisht i lirë do të thotë edhe përgjegjësi për, për çdo njeri që tashmë në shoqërinë tonë ka më shumë mundësi etike që të “shpikë veten” dhe të ndërtojë individualitetin e vet etik. Sepse gradualisht në shoqërinë tonë duhet të krijohet bindja sociale, se në kushtet e lirisë ajo që mund të bëjë etika dhe që mund të ndihmojë njeriut të ndërtojë jetën e vet morale individualisht, është ta mësojë në jetë që të gjejë rrugën më të mirë, rrugë që njeriut i japin më shumë mundësi e shanse pozitive dhe jo ato që e çojnë në greminën e veseve morale e sociale…