Partizan MYFTARI/ Kaushët e Shtypit

568
Sigal

Në fakt nuk dua të merrem me esencën dhe trishtimin që lë zakonisht ikja e njerëzve në të gjitha llojet e rrethanave duke menduar se ekzistenca humane duhet t’i kaloj kufijtë e ideologjive, të filozofive dhe të mbulohet thjesht me atë ndjenjën e mëshirimit, kur jemi të bindur se më tepër se kaq nuk mund të bënim… Do të ishte e mrekullueshme që këtë lloj veshjeje shpirtërore, ndoshta edhe të padukshme, ta mbanim veshur të gjithë dhe për gjithë secilin. Por kur ndjehemi të humbur se edhe kjo ndjenjë na rri ngushtë, ose nuk bën fare për trupin tonë, mbyllemi në kaushët e ngushtë e të verbër të një arsyeje tinëzare e tjerrim pa kufi në atë errësirën tonë ku shesim moral, ndërtojmë kode të mirësjelljes, gjykojmë esklamatimisht, ngremë kurthe, vendosim gjoba dhe nga këto skuta ndjehemi të qetë: kemi bërë detyrën. Vërtet e kemi kryer detyrën?!…. Përgjithësisht shtypi është hipokrit dhe aspak i pavarur. Nga kjo hipokrizi e theksuar nuk ka shpëtuar as shtypi ynë, as gazetarët tanë, as analistë e opinionistë që “grinden” e “çirren” për mendimin e lirë. Edhe pse janë ca kaushë të shtypit, nuk e shesin veten e tyre aq lirë. Kanë rroga të majme, sidomos opinionistët, analistët, apo drejtues programesh që i lëpihen pushtetit gjer në shpifje, apo gazetarë të opozitës që kanë harruar krimet e djeshme morale dhe vazhdojnë nga kaushët e tyre të arsyes cinike t’i shërbejnë politikës opozitare gjer edhe me fotografi fëmijësh të mbytur në lot në krah të vet kreut opozitar. Këto ditë kam parë hipokrizi edhe kur kanë analizuar vizitën e Ramës në Beograd; (shpesh me himne të ekzagjeruar, por edhe me frikë adoleshente, siç e analizonte Mustafa Nano për një rrezik të Ramës se mund të dalë jashtë kontrollit prej patriotizmit të madh që i dhuruan në Masmedia e rrjetet sociale pas vizitës në Serbi). Kaushët e shtypit i kam lexuar edhe kur përdhosin profesionin e tyre gjer në intimitetet e njerëzve, por janë më të rrezikshëm kur fshehin të vërtetat ose bëhen të verbër përballë padronëve të tyre që i paguajnë. Janë mbyllur kaq ngushtë në honin e tyre kaush sa kur kërkojnë të analizojnë diçka, dalin nga fusha e interpretimit dhe rendin si primitiv me sloganet e tyre që edhe mund të mos kenë asnjë lidhje logjike. Ndoshta ata e dinë shumë mirë se çfarë fuqie ka fjala e shtypit dhe e shfrytëzojnë këtë hulli mbi mendjet e lira që kanë nevojë të mbushin shpirtin e tyre me informacion. Por me informacionin vjen edhe qëndrimi i shkruesve, dhe kush nuk di të vërtetën e fakteve bie viktimë e këtyre kaushëve që shkruajnë si pasionant, por njëkohësisht edhe steril rreth moralit dhe të vërtetës. Pak çaste më parë lexova disa rreshta nga Andi Bushati rreth vdekjes së Dr. Flori (Sinqerisht nuk e njoh) dhe midis shumë fakteve për hipokrizinë e Ramës dhe të Metës, pas kësaj vdekjeje, të këngëtarit, pasi raportet e tyre kohët e fundit (kur këngëtari ishte gjallë) ishin rrënuar krejt. Pra Bushati fliste për përdhosjen e këtij këngëtari nga hipokrizia Rama-Meta, por pak më lart, në rreshtat e tij, vet ky autor, e përdhoste me fjalët e shkruara. Bushati theksonte: “… Natyrisht kjo u bë një emër të një kënaqësie, të mos brengosjes edhe më të familjarëve, të ruajtjes së një imazhi politikisht korrekt!?…”. “Imazh politikisht korrekt”. Për cilin e ka fjalën?! Të jetë lajthitje interpretimi apo gjithmonë politika është mesha e tyre?! Këngëtari që kishte filluar të urrente politikën dhe sjellësit e saj tashmë të afërmit kujdeseshin për imazhin politik të tij?! Vdiq një këngëtar apo një politikan, të cilit, këtij të fundit, politikanit, i duhet korrektësia “e modelit” publik që një të nesërme mund ta shpallin edhe “Qytetar Nderi”…. Hipokrizi nga salloni i shtypit! Një njeri mund të ketë vese në jetë, mund të bjerë viktimë e pafuqisë së tij, mund të gaboj por, gjithashtu, ai “tolerohet” më shumë në raport me vetveten, me shoqërinë e moralin si një njeri i lirë se sa një personazh publik i të gjitha sferave dhe llojeve të pushtetit që ka… Këtu besoj se është ndryshimi por edhe vetëvrasja e lirisë së shtypit që ka rënë viktimë e një lirie të munguar. Edhe ata vet e dinë që nuk janë të lirë por ndjehen të lumtur nga fuqia që i shërbejnë një lloj pushteti edhe pse ky i fundit shpesh punon me dorashka të pista dhe nga vet natyra e trajtimit të ambicieve sociale është hipokrit. Shtypi me ushtrinë e tij ka zgjeruar vetëm pak fërgjinë e tij ku mbahet i mbyllur ose serviret sipas kërkesave….