Filip Guraziu/ “Ish të përndjekurit”  te jenë palë  në procesin e ‘hapjes së dosjeve’

567
Sigal

Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër, e ndjeshme ndaj zhvillimeve të politikës shqiptare, duke dashur që të kontribuojë sa më tepër në krijimin e një klime të mirëkuptimit social, si premisë e nevojshme dhe e domosdoshme për konsolidimin e  demokracisë në Shqipëri, me anën e këtij shkrimi paraqet publikisht  shqetësimin  në lidhje me ‘procesin e  hapjes së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’. Gjejmë rastin  të sqarojmë opinionin publik, se ne (Ish të Përndjekurit Politikë Shkodër) kemi qenë, jemi dhe do të jemi  PRO  ‘procesit të hapjes së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’ dhe se në gjykimin tonë, kurrë nuk mund të kemi mirëkuptim social dhe unitet kombëtar në qoftë se ‘E VËRTETA’ fshihet dhe i mohohet masës së gjerë. ‘E vërteta’ sado e hidhur që të jetë është pambarimisht më e mirë se gënjeshtra’, pasi ‘e vërteta’  qetëson shpirtrat, shëron plagët dhe rindërton të ardhmen kurse ‘gënjeshtra’ bën të kundërtën; vetëm armiqëson, dhe shkatërron! ‘Procesi i hapjes së dosjeve dhe ligji i lustracionit’ pasojë e së shkuarës rrënqethëse të  periudhës së diktaturës komuniste dhe veprës së saj më të fëlliqur,  ‘luftës së klasave’ pati dy grupe protagonistësh; shtypësin dhe të shtypurin. Shtypësi ishte “fitimtari”, komunisti Enverist që për të fituar dhe mbajtur pushtetin  (sipas metodës Staliniste-Enveriste) duhej të zhdukte dhe të neutralizonte çdo person që mendonte ose mund  të mendonte ndryshe, kurse ‘të shtypurit’ ishin “humbësit”, d.m.th. ata të mjerë që mbartnin vetëm një “faj të pafalshëm”: nuk pajtoheshin me krimin komunist. Natyrisht konflikt nuk ishte kaq i thjeshtuar, pasi në kompleksitetin e tij përfshinte veset më të ndyra të shoqërisë njerëzore. Mekanizmi i shtypjes, për të kontrolluar situatën dhe për të justifikuar dënimet para masës së gjerë, kërkonte spiunë dhe dëshmitarë që shërbenin në  procese  gjyqësore të montuara. Njerëzit më të preferuar për këtë qëllim gjendeshin në gjirin e ‘klasave të përmbysura’. Rekrutimi bëhej me metodën e dhunës së diktaturës, kundërshtimi për të “bashkëpunuar” kishte për pasojë dënimet nga më të  lehtat, siç konsideroheshin pushimi nga puna e deri ne internim dhe burgosje… Duhet të pranojmë se fatkeqësisht, spiunë me dosje dhe dëshmitarë të “instruktuar” pati  me bollëk, por kjo nuk i “turpëron” shqiptarët, në se kujtojmë se ne Gjermaninë Lindore, mekanizmi i diktaturës prodhoi 800.000 spiunë me dosje! ‘Shkaku’ i kësaj situate tragjike ishte dhuna enveriste e vënë në zbatim  nga Komitetet e Partisë, Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria dhe Gjykatat me ‘Pasojë’ degjenerimin moral të një pjese të popullsisë shqiptare si dhe përndjekjen politike të një pjese tjetër. Natyrisht, shoqëria post komuniste, duhet të mbajë qëndrim ndaj  ‘shkakut’ dhe ‘pasojës’ dhe kjo është e pasqyruar në procesin në fjalë, por duke u nisur sipas eksperiencës juridike botërore dhe sipas traditës kanunore shqiptare bëjmë thirrje që më i ashpër  të jetë  qëndrimi ndaj ‘shkakut’ se sa ndaj ‘pasojës; “ma zi gërgasi se sa vrasësi”. Duke konsideruar se ‘procesi i hapjes së dosjeve dhe i ligjit të lustracionit’ përbën një dukuri me ndikim të gjerë dhe të mprehtë në gjirin e shoqërisë shqiptare, shumë e ndjeshme ndaj kësaj teme, si dhe dëshirën tonë për një zhvillim të suksesshëm , apelojmë para organeve ekzekutive dhe ligjvënëse për një zhvillim transparent të procesit, gjë që nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara. Me qenë se pala  me e  prekur dhe si rrjedhim më e interesuara për një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe transparent  është ajo e ish të përndjekurve politikë, Shoqata apelon me forcë për të drejtën e kësaj shtrese që të bëhet palë në proces, vetëm kështu procesi do të mund të bëhet i besueshëm, pra i suksesshëm.

Për Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë Shkodër