Konduri: Ka edhe ushtarakë që janë të “kazanit”, drejtuesit e AKUSH shkelën marrëveshjen

683
Thoma Konduri.
“Ushtarakët u përçanë që në vitin 2007 nga ata që sot kërkojnë të bëjnë bashkimin dhe kjo ndarje u kurorëzua në vitin 2009”
Para disa ditësh, në një gazetë të përditshme, një përfaqësues i AKUSH, shkruan një artikull të mbushur me mllef, etiketime, shtrembërime, abuzime dhe fyerje ndaj meje, zotit Zyhdi Kroji dhe shoqatës tonë. Nuk do të replikoj për sulmet personale për tre arsye. Së pari, sepse miku im i respektuar, i dha një përgjigje, megjithëse jo të plotë, për atë që meriton Hysni Mullalli. Së dyti, se unë dhe kolegët e mi, nga ky njeri, jemi sulmuar që në vitin 2012 e në vazhdim, për të cilat ka marrë edhe përgjigjen. Së treti, ai e ka sëmundje patologjike sulmin e pamoralshëm ndaj atyre që kanë mendime apo qëndrime të kundërta me ato të tij. Replikë për fyerjet, sulmet, ironitë, sajesat apo supozimet, nuk do të bëj pasi e quaj kohë të humbur. Ai e ka sëmundje të pakorrigjueshme.

Dalja në shtyp me këtë profil nga Zëvendës Presidenti i AKUSH, është shpallja zyrtare e shkeljes dhe pavlefshmërisë të Akt-Marrëveshjes të bashkëpunimit ndërmjet dy shoqatave tona. Këtë punë, ky përfaqësues e ka bërë edhe më parë dhe drejtuesit e tjerë të AKUSH, nuk kanë reaguar. Për hir të bashkëpunimit dhe mos hapjes të problemeve të vjetra, i kemi kategorizuar dhe trajtuar si qëndrime individuale. Rasti i fundit ndryshon si nga karakteri edhe nga përmbajtja. Për sa më sipër unë vetëm do të sqaroj lexuesit tanë për të vërtetat tona ndaj “bashkimit”, misionin dhe funksionin e CIOR-it, fondeve financiare dhe të vërtetat për SHKURSH, drejtime këto për të cilat Mullalli fyen, abuzon, mohon dhe shtrembëron për gjithçka ai shkruan.

Për të na detyruar apo bindur ne të kthejmë rrugë, e ka mbushur gazetën me etiketimet: devijues, abuzues, njollosës të nismës, dezinformues, vënës gurësh në rrota, të vetëpërjashtuar, pengues të zhvillimit të kuvendit, demagogë, përcjellës të imazhit negative, kapo, përçarës dhe ndarës të ushtarakëve, kontribues të ndarjes, mëkatarë të ndarjes etj. që të lodhin t’i numërosh. Në të kundërtën, ne gjatë gjithë kohës, që kur ka filluar intensivisht nisma e “bashkimit” e deri tani, as kemi folur, as kemi kryer veprime, as etiketuar, por vetëm kemi kundërshtuar, në mbledhjet që organizuan nismëtarët e “bashkimit” dhe nuk kemi marrë pjesë në procesin e “bashkimit” të tyre. Por kjo është gjuha e atyre që “duan” bashkimin. Këta janë drejtuesit e “bashkimit”, me këta duhet të punojmë ne. Mos gjetja mbështetje në SHKURSH, për nismën e pa arsyeshme, ishte baza e fjalorit të më sipërm. Të gjitha ato etiketime i takojnë vetë Mullallit dhe shokëve të tij që filluan ndarjen dhe çarjen ndërmjet ushtarakëve që në vitin 2007 dhe e kurorëzuan në 2009 e në vazhdim. Nga kjo çarje ushtarakët nga 13000 vetë të bashkuar një shoqatën, deri në vitin 2007, u ndanë në tre pjesë, në të vendosurit që mbetën në shoqatën e tyre të ngritur në 1996-n, në të pavendosurit dhe dyshuesit dhe nga qejfprishurit me të parët që krijuan AKUSH-in, ndërsa sot krijojnë “bashkimin” e ri të ushtarakëve, ose e thënë me terma historike, “Konferenca e Mukjes”.

Përfaqësuesi i “bashkimit” abuzon, injoron dhe shtrembëron rëndë me rrolin dhe misionin e CIOR-it. CIOR është organizëm ndërkombëtar i Oficerëve rezervë të vendeve anëtare të NATO-s dhe jo sindikatë siç është EUROMIL-i. Ajo orienton anëtarësinë e saj të organizohen dhe të aktivizohet në zbatimin e politikave që rekomandon NATO, për sigurinë dhe mbrojtjen. Ajo pranon anëtarë vetëm ato shoqata që pranojnë dhe jetësojnë, në aktivitetin e tyre, misione të tilla në vendet e tyre. Garanci për pranimin e japin MM dhe SHP i FA i vendit përkatës. Ironia e përdorur në shkrim është cinizëm. Kur nuk ka bërë gjë EUROMIL-i që ka mision sindikalizmin, përse e kërkon zgjidhjen e problemeve ekonomike nga CIOR-i?

“Kazani” nga ka dalë përfaqësuesi i :bashkimit”, e ka frymëzuar për problemin e fondeve dhe mospjesëmarrjen në veprimtaritë që planifikojnë dhe urdhërojnë nismëtarët e “bashkimit”. Së pari: ne që në fillim e themi me gojën plot, nuk marrim pjesë në këtë farsë bashkimi pasi bashkimi i ushtarakëve u bë në 1996 dhe se ata që i përçanë në 2007-2009, nuk mund dhe nuk janë të besueshëm për një ribashkim. Së dyti: Planin e veprimtarive tona, brenda dhe jashtë vendit, e bëjmë që në fillim të vitit apo disa muaj para. Askush nuk mund të na imponohet me planet e tyre, për më tepër të papranueshme për ne. Ne pa pranuar organizimin e tyre, këta zotërinj, kërkojnë të na fusin në rreshtin e tyre!? Sa për paratë e shtetit, e drejtë e njohur me ligj, sqarojmë se ato planifikohen, akordohen dhe kontrollohen nga buxhetuesi, vetëm për veprimtaritë në kuadër të CIOR-it, dhe kjo tepër e kufizuar. Të gjitha lëvizjet e tjera brenda dhe jasht vendit, bëhen me paratë e xhepit të çdo pjesëmarrësi. Këtë nuk e kuptojnë dhe nuk ua pranon logjika shpifësve dhe kazanxhinjve.

Interpretimi më i paskrupullt është ndaj misionit dhe funksionit të SHKURSH. Nuk ka bërë vaki që një njeri që e mban veten për ushtarak atdhedashës, duke shfrytëzuar dhe mbështetur dobësitë e punës apo edhe neglizhencat absurd të politikës dhe strukturave përgjegjëse, që kanë dobësuar direkt, si në asnjë vend tjetër të botës, elementet jetike të sigurisë dhe mbrojtjes të vendit, i përdor këto si argument për të vërtetuar ëndrrën e tijë për të bërë të pa nevojshme ekzistencën e shoqatës të ushtarakëve në rezervë. Ky ushtarak, në vend që të ngrejë zërin për forcimit të strukturave që i shërbejnë sigurisë dhe mbrojtjes, kërkon eliminimin e tyre, sepse ato janë pengesë në realizimin e ambicieve egoiste dhe megalomane të tij. Turp që e quan vete ushtarak. Është aksiomë dhe fakt në praktikën botërore se sa kohë do të ketë ushtri do të ketë edhe shoqata të ushtarakëve në rezervë. Ato asnjë herë nuk kanë funksionin e zhvillimit të stërvitjes. Ato janë ndihmëse për organizimin, janë këshilluese e propaganduese të politikave dhe teknikave të elementeve të sigurisë dhe mbrojtjes. Pikërisht për këtë anëtarët e këtyre shoqatave janë në mosha të pa kufizuara dhe për më tepër në organet drejtuese të tyre. Kjo sot është praktika edhe në Evropë. Gjendja kohët e fundit po korrigjohet. Fillimisht ka dalë VKM/2016 që riaktivizon forcat rezerviste. Janë ringritur zyrat e rekrutimit nëpër prefektura. Situata është në zhvillim. Në të gjitha sa më sipër, shoqata jonë ka ndikimin e sajë për të shpejtuar ritmin e përmirësimit të gjendjes. Fatkeqësisht nuk mund të realizohet ëndrra ogurzezë e përfaqësuesit të “bashkimit”, zhdukja e SHKURSH-it sepse do nismëtari i “bashkimit”. Pikërisht për të ruajtur këtë strukturë dhe këto misione, me statut ndalohet bashkimi i shoqatës me shoqata të tjera.

Në artikullin në fjalë, nga cinizmi, aludohet se ne në kuadrin e CIOR-it nuk kemi asnjë aktivitet. Dua ti rikujtoj se shoqatat nuk stërvitin rezervistët por organizojnë kongrese, konferenca, seminare, gara, konsulta etj. Ne këtu në Tiranë kemi zhvilluar një seminar për rininë ne strukturat rezervë me pjesëmarrjen e 13 shoqatave të vendeve të NATO-s dhe një konferencë të PfP me pjesëmarrjen e 19 vendeve. 

Insistimi i dhunshëm verbal, dhe në shtyp për detyrimin tonë të bëhemi pjesë e formacioni të ri dhe pikërisht nga ata që u larguan nga shoqata që krijuan në 1996, është i dyshimtë. Këtë dyshim e shton edhe fakti që marrëveshja e bashkëpunimit me AKUSH, deri sot ka funksionuar për gjithçka që kemi diskutuar dhe planifikuar. Shtoi këtij argumenti edhe faktin që të gjitha shoqatat e tjera, janë strukturë e AKUSH, përse ngulet këmbë . Kur dhe ku është dobësuar forca? Kur dhe ku kemi dalë me dy zëra? Kur kemi kundërshtuar njëri tjetrin për problemet e ushtarakëve? Asnjë herë . Atëherë mos ka ndonjë suport politik, i cili në radhën e iniciatorëve nuk mungon? 
Sigal