Parlamenti që nuk po përfaqëson interesat e popullit

639
Bardhyl BERBERI 

Në seancën e fundit parlamentare pamë një përplasje nga ato që i ngjante ndeshjeve të gladiatorëve, jo me shpatë, por me një fjalor ordiner që të vjen ndot ta dëgjosh… Kryeministri bën akuza opozitës të majtët duartrokasin .., Opozita e quan, kokën e krimit dhe përsëri duartrokitje nga opozita, sikur të jenë në një pallat sporti… Ai u kujton marrëveshjen me Greqinë për detin… Plas gallata në rrjetet sociale, pro dhe kundër. Del qartazi se politika tek ne qytetarin nuk e trajton si sovran, por si tifoz sporti dhe makineri votimi. Edhe politika, jo më si përfaqësuese, por si argëtues me ngjyra tifozerie. Duke e shfrytëzuar zhvillimin e hovshëm teknologjik, sidomos revolucionin në komunikim, politika jonë krijoi edhe arenën moderne ku gladiatorët luftojnë për qejfin e oligarkisë. Masat “vendosin” me “like”. E keni parë se si deputetët ndërrojnë karrige dhe bëhen me ata që deri dje, jo vetëm nuk i kishin pasur aleatë, por kishin qenë sharësit më të mëdhenj të tyre. Parlamenti nuk është më vendi ku debatohen gjërat me rëndësi shoqërore. Parlamenti, me përfaqësuesit e qytetarëve nuk e pasqyron realitetin e ri, raportin e ri të forcave, ku qytetarin e sheh si tifoz, e jo sovran. Shoqëria është e ndarë në identitete simbolike të ngritura mbi gjithçka, që nuk përfaqësojnë interesa reale të njerëzve. Qytetari nuk ka interesa. Konfliktet janë abstrakte. Tani politika është shpërngulur në rrjet dhe rrjeti është për tifozët, e dy krahëve të politikës. Thuaje marrëzinë më të madhe dhe bëhesh aktual. Shaj, fundosi në batak dhe makineria e pëlqimit të bën VIP. Pastaj peshën e pëlqimeve elektronike ia shet kujt të duash. Krijuesit dhe udhëheqësit e grupeve të tifozëve politikë janë të rëndësishmit e sotëm. Ata marrin më shumë publicitet se shumica e deputeteve, edhe pse mund të ndodhë, që një person të jetë njëkohësisht në të dy funksionet e përmendura sociale. Më të suksesshmit futen edhe në Parlament dhe Ekzekutiv. E argëtojnë popullin në institucione dhe në rrjet. Kështu, qytetari e shijon politikën duke buzëqeshur hidhur dhe duke gëlltitur varfërinë dhe problemet e shumta të ditës për mbijetesë. Statusi në rrjetet sociale është vetëm test për të matur potencialin shpërthyes, Kështu veprojnë profesionistët e krizave. Ata kanë gjithnjë të gatshme listën, ofertën e temave me potencial shpërthyes. Kur i duhet politikës një krizë, “e krijojmë”, ata. Një status ofendues duhet… Ofendoje dikë që nuk duron duke e sharë me libër shtëpie duke e nxjerrë nga shinat. E keni parë se si pa pritur dhe pa kujtuar del në sipërfaqe një problem, për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë? Pastaj i fryjnë dhjetëra media dhe ndizen rrjetet sociale me komente? Hutohesh nga ai koordinim aq i rrufeshëm i rrjeteve, edhe pse nuk njihemi si popull me prirje për organizim dhe koordinim… Këto nuk janë ngjarje, janë oferta… Ata kryejnë teste të shpejta në opinion. Njëherë matet potenciali i një figure apo ngjarjeje për të marrë vëmendjen, duke krijuar publicitet. Numri i “like-ve” kalkulohet në vota potenciale. Testohen palët e interesuara dhe argumentet e tyre. Pastaj, sipas nevojës aktivizohen “VIP-at”. Edhe nëse nuk e kuptoni përse këta të fundit janë VIP, s’ka gjë, mjafton që me diçka e kanë marrë vëmendjen tuaj. Sa më të çmendur, aq më VIP. Heronjtë janë ata që janë afër krimit, afër zonës gri. E keni vërejtur se si edhe në mes portaleve “kundërshtare” ka koordinim? Kush i krijon krizat në këto portale? A janë ato reale apo vetëm virtuale? A kanë pasoja tjera të rënda, përpos stresit dhe konflikteve në rrjetet sociale në mes të adhuruesve dhe kundërshtarëve të tyre? Tani po krijohen kriza në rrjetet sociale, të cilat nxisin konflikte ndaj gjithë secilit. Qytetarët merren me njëri-tjetrin, për qejfin e oligarkëve për të tërhequr vëmendjen nga problemet serioze. Në fakt, nga trekëndëshi shoqëror politikë – biznes – qytetar, të gjithë janë në një luftë të përhershme për të kontrolluar shtetin. Sidomos tani kur (pu)shteti përdor mediat për të kundërvënë grupe të ndryshme kundër njëra-tjetrës. Nuk janë vetë rrjetet sociale, instrument i politikës. Janë edhe VIP-at që duan të diktojnë për interesat e tyre të ngushta për të kapur sa më shumë tenderë dhe koncesione. Ne po përshtatemi. me këtë trend kur shohim në Parlament politikanë dhe VIP-at e çmendur. Parlamenti tek ne është kthyer vend argëtimi. Humori i Portokallisë ka mbetur deficitar në humor para kësaj gallate që ndodh në parlament. Parlamenti nuk e përfaqëson më vullnetin e popullit, interesat e tij, por ‘qytetarin’ tonë tifoz, që luan në rrjetet sociale dhe bën gallatë me këtë çorbë që gatuajnë të nderuarit tanë deputetë. 
Sigal