Fatos Çoçoli / PRODAPS dhe ekonomia shqiptare

583
Ka mbi 25 vjet që qeveria e shtetit fqinj, Italisë, i është gjendur ekonomisë sonë, jo vetëm me ndihmat e emergjencës të viteve të para të vështira të tranzicionit, apo në vitin 1997, por edhe me projekte që realisht nxisin zhvillimin tonë ekonomik. Lista e ndërhyrjeve dhe e programeve të realizuara nga krahu zbatues i Qeverise Italiane, Bashkëpunimi Italian (Cooperazione Italiana) për të mbështetur proceset e konsolidimit institucional dhe rregullimet strukturore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare është e gjatë dhe me vlerë disa qindra milionë euro, shtrirë ndër vite. Një nga programet e sotme të suksesshme të Qeverisë Italiane dhe të Bashkëpunimit Italian, në partneritet me Qeverinë Shqiptare, është Programi Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri (me inicialet PRODAPS). SME-të kanë një rëndësi jetike për ekonominë, ngaqë përbëjnë mbi 95 për qind të numrit total të kompanive aktive tek ne. Deri tani, programi italo-shqiptar ka dhënë mbi 21 milionë euro kredi të buta për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare. Një shifër jo e vogël kjo, duke patur parasysh problemet që ka kredia jonë bankare me krizën dhe kreditë e këqija. Janë 97 sipërmarrje SME që kanë përfituar shuma nga 50 deri në 500 mijë euro nga ky program. Huatë e buta PRODAPS i jep në koherencë të plotë me interesat e ekonomisë së vendit për nxitjen e investimeve të reja dhe zgjerimin e bizneseve ekzistuese, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht në zonat rurale. Kushti kryesor për të përfituar kredinë është që kompania e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë veprimtari prodhuese ose të eksportojë. Pra programi, me ndihmën e parave të taksapaguesve italianë, mbështet nismat shqiptare në sektorët ku realisht është punësimi dhe e ardhmja jonë si ekonomi e integruar në ekonominë evropiane. Sektorët ku ndihmojnë paratë e PRODAPS janë sektori i agropërpunimit dhe ai agroushqimor, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, prodhimi natyror i energjisë dhe projekte për efiçiencën dhe ruajtjen e saj, projekte që ulin ndotjen e mjedisit; si dhe projekte që krijojnë vende të reja pune. PRODAPS ndihmon biznesin e vogël dhe të mesëm shqiptar që ka pak mundësi të ketë akses tek bankat tregtare (për shumë arësye), që të nisë një raport mirëbesimi dhe partneriteti me bankat. Këtë e realizon, duke i kanalizuar të gjitha kreditë e buta që jep, nëpërmjet nëndë bankave tregtare në Shqipëri, që vendosin për dhënien e huasë, pasi kanë marrë aplikimet dhe planet e biznesit të SME-ve shqiptare. Agro-përpunimi, një nga sektorët strategjikë për zhvillimin e vendit, është klasifikuar ndër projektet prioritare të PRODAPS. Deri tani janë 23 projekte të SME-ve shqiptare që janë financuar nga programi, me një shumë financimi prej 4.7 milionë euro në agropërpunimin shqiptar. Ai po kontribuon në rritjen ekonomike dhe sociale të vendit, nëpërmjet lehtësimit të sistemit të kreditimit të SME-ve, duke favorizuar ekonominë formale dhe rritur kontaktet e sipërmarrjeve shqiptare me bankat. Shumica e projekteve me huatë e PRODAPS kanë qenë në gjendje të krijojnë vende të reja pune, duke i dhënë një dorë jo vetëm ekonomisë, por edhe shoqërisë tone si një e tërë. Kush gjen punë, ka më pak stres dhe probleme në familje. Po ashtu, lidhjet mes sipërmarrësve shqiptarë dhe partnerëve italianë, si dhe besimi i tyre reciprok, janë forcuar. E gjithë kjo kontribuon në një cikël marrëdhëniesh intensive miqësore midis shqiptarëve dhe italianëve në përgjithësi. Komiteti Drejtues i Linjës së Kredisë se PRODAPS, miratoi kohët e fundit uljen e përqindjes së huave në lekë dhe në euro, që Programi jep për SME-të. Ky vendim është marrë në kushtet e shtrëngimit të dhënies së kredisë nga bankat tregtare në vend dhe të kërkesës së ulët për kredi nga ana e biznesit, për shkak të normave të larta të interesit. Ulja që PRODAPS i bën normave të tij të interesit, sidomos për kreditë në lekë, nga 8.8 për qind në 5 për qind, është domethënëse. Ajo e bën akoma dhe më tërheqëse ofertën e programit dhe SME-të shqiptare edhe më të interesuara. Kreditë për bizneset e vogla dhe të mesme administrohen nga bankat tregtare më të zhvilluara të vendit, me bankën Intesa Sanpaolo si bankë agjente e programit. Bankat e tjera pjesëmarrëse në program janë banka të rëndësishme dhe të konsoliduara në tregun shqiptar, si Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Raiffeisen, Tirana Bank, Banka Credins, Banka Veneto, Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB) dhe Banka Kombëtare Greke (NBG). Vendosja e bankave tregtare si zbatuese të programit për përzgjedhjen e SME-ve fituese dhe dhënien e kredive ka dobi të shumëfishta. Vetë SME-të njihen me oficerët e kredive të bankave dhe krijojnë raporte besimi me ta. Ndërsa bankat nga ana e tyre, marrin më shumë informacion për mundësitë zhvilluese të SME-ve dhe ulin ndrojtjen e tyre të natyrshme, për shkak të riskut të lartë që zakonisht ky sektor mbart. Programi ofron dhe një fond për Garantimin e Kredive, duke përmirësuar klimën e marrëdhënieve bankë-biznes i vogël dhe i mesëm dhe vendosur bazat për besim reciprok mes këtyre palëve. Ai ndihmon gjithashtu dhe vetë bankat tregtare për specializimin e tyre në operacionet e kredisë afatmesme. PRODAPS ka dhe një përbërës të asistencës teknike, me të cilin organizon takime në shumë zona industriale të vendit me biznese të SME-ve, ku trajton në detaje çështje që lidhen me mundësitë, kushtet dhe rrugën që duhet të ndjekin mikro-ndërmarrjet, për të përfituar nga kreditë e buta dhe nga Fondi i Garantimit të Kredive të Programit. Në këto takime, por dhe në nisjen dhe zhvillimin e sotëm të sukesshëm të Programit, një rol të spikatur kanë luajtur dhe luajnë ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani dhe Drejtori i Cooperazione Italiana në Shqiperi, Dr. Andrea Senatori. PRODAPS gjithashtu i ndihmon SME-të shqiptare me informacion dhe orientim, për të siguruar grante dhe forma të tjera të asistencës që ofrohen në mbështetje të tyre. Programi synon ndërveprimin në mes sipërmarrjeve shqiptare, bankave, shoqatave të biznesit dhe kompanive konsulente, për rritjen e qasjes në financa për mikrondërmarrjet. E ardhmja është e qartë. Rreth 500 milionë euro që do të aktivizohen me firmosjen e Protokollit të Ri të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë Italiane dhe asaj shqiptare, janë të destinuara kryesisht për zhvillimin e SME-ve, sidomos bizneseve agropërpunuese dhe atyre sociale.
Sigal