Ëngjëll Musai: Gjeneral Lleshi, “kurban” për kokën e Xhafës

216

Presidenti Meta ka të drejtë, por edhe Rama nuk ka faj sepse gjeneral Lleshi, i duhej si “kurban” për kokën e Xhafajt

Dorëheqja e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe propozimi nga kryeministri për emërimin në vend të tij të Gjeneralit Sandër Lleshi ka krijuar një pështjellim në publikun shqiptar, qëndrime diametralisht të kundërta të analistëve dhe vetë politikanëve, heshtje të kostitucionalistëve, madje edhe një lloj ngërçi në vetë sistemin politik të vendit dhe qeverisjes së ‘Rilindjes’. Në këtë analizë unë mendova të anashkaloj debatin politik për ta lënë në ditët në vijim, madje edhe me fakte konkrete, se si Gjeneral Lleshi deri dje këshilltari i Kryeministrit dhe sot zv/ministër i Brendshëm hodhi në kohën e PD-së qindra socialistë në rrugë, me një të rënë të lapsit. Të mos harrojmë se deri tre muaj para se të krijohej qeveria e re Rama-Meta , gjeneral Lleshi ishte beniamin dhe i privilegjuari i demokratëve, por, sikurse theksova edhe pak më lart, do jenë pjesë e analizave të mëvonshme, me fakte dhe faksimile të firmosura nga vetë Gjeneral Lleshi. Po ajo që ka rëndësi sot për shqiptarët është rendi dhe qetësia e trazuar, vrasjet mafioze ditën dhe natën, makinat e djegura, droga që shëtit në çdo cep, trafiku i klandestinëve, pastrimi i parave, përdhunimet, vjedhjet grabitjet, poshtërimet e qytetarëve, ushqimet e helmuara, depot e ilaçeve në spitale me ilaçe pa efekt dhe të skaduara, papunësia, emigrimi masiv e plot e plot halle të tjera, të ulura këmbëkryq në çdo vatër dhe familje shqiptari. Përpara se të jap disa mendime modeste në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës për mosdekretimin e Sandër Lleshit më duhet të them, se vetë ministria e Brendshme ka nevojë mbi të gjitha për njerëz të ndershëm, besnikë ndaj çështjeve të rendit, mbrojtës të qytetarëve dhe taksapaguesve, specialistë, për largimin e të inkriminuarve, trafikantëve në radhët e policisë dhe të gjithë atyre personave që bashkëpunojnë me krimin dhe punojnë në bizneset e tyre kriminale.

Presidenti, Kryeministri dhe ndërhyrjet në kushtetutë

Në analizën e mëposhtme më duhet të jem i qartë se këndvështrimi për Presidentin dhe Kryeministrin, nuk duhet marrë dhe trajtuar si diskutim për Z.Meta dhe Z.Rama. Jo, ne duhet ta shikojmë në këndvështrimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve të shtetit shqiptar, pasi kryeministër dhe president vendi ka pasur, sot janë këta që kemi aktualisht, dhe do të kemi të tjerë pas tyre. Por Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë të përjetshëm edhe kur dy drejtuesit aktualë nuk do jenë në këto pozita. Kryeministri ka të drejtën e plotë të bëjë propozimet dhe nga ana tjetër Presidenti ka të drejtën e ligjshme dhe ekskluzive të emërimit të ministrit. A duhet ta ndryshojmë këtë kushtetutë dhe të gjejmë një variant tjetër? Aty janë, madje aty e kanë dhe Kushtetutën e le të ndërmarrin nisma ligjore për ta ndryshuar, nëse duan. Por sot që ne diskutojmë, arsyetojmë dhe veprojmë në bazë dhe mbështetje të këtij dokumenti themeltar të shtetit, që është Kushtetuta aktualisht në fuqi në Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2008, z.Berisha dhe z. Rama u mblodhën brenda një nate dhe ndryshuan pjesën dërrmuese të kushtetutës, ku shumica kishte të bënte me detyrat dhe kompetencat e Presidentit dhe çështjet e zgjedhjeve. Përfundimi është ky që shohim gjatë këtyre 10 viteve ku kemi: Një President të ngrirë në kompetenca dhe vendimmarrje dhe një parlament të mbushur me mediokër dhe të lidhur me krimin, për shkak të listave të mbyllura ku meritokracia dështoi, profesionistët dhe ekspertët u lanë në rrugë, shkencëtarët morën arratinë jashtë vendit dhe kriminelët, trafikantët e femrave dhe drogës u ulën në karriget e parlamentit dhe u bënë “zotërinj’. Ndaj mendoj dhe gjykoj që dy figurat e shtetit të ulen dhe me mençuri të veprojnë dhe vendosin, më të mirën e mundshme për qytetarët, në funksion të shtetit ligjor dhe fateve të atdheut. Kryeministri vendosi në krye të ministrisë së Brendshme një zv.ministër por duhet pranuar që zëvendësit kanë ato detyra dhe kompetenca që i cakton ministri. Në të kundërt ai nuk mundet të marrë kompetenca, të cilat bien në kundërshtim me ligjin, pasi zv/ministri nuk mundte të nxjerrë as urdhra, as udhëzime dhe as të miratojë Rregullore. Atëherë kush do i nxjerrë këto akte, kaq të domosdoshme për fatet e vendit, rendit dhe qetësisë publike?! Duke ecur në linjën nga e cila ka ardhur Gjeneral Lleshi (ushtria) , është njëlloj sikur të ndodhte që Komandanti i Forcave ajrore, detare dhe tokësore i përcaktuar me ligj, që duhet të jetë gjeneral, të zëvendësohet me një kapiten apo më keq akoma nga një kapter i rëndomtë. A ndodh në botë një gjë e tillë?! E bëri edhe Greqia pas dorëheqjes së ministrit të Jashtëm Kotcias, që nuk emëroi ministër zëvendësues, por Kryeministri vendosi që postin e ministrit të Jashtëm ta mbulojë vetë,Kryeministri Tcipras. Të njëjtën gjë le të bëjë edhe Kryeministri Rama deri në zgjidhjen e kësaj situate.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese i vetmi institucion që mbron qytetarin dhe shtetin nga një “grusht shteti” është institucioni i Presidentit, pavarësisht se kush është sot, kush ishte dje dhe kush do të jetë nesër në krye të shtetit. Shkatërrimi i qëllimshëm i Gjykatës Kushtetuese që filloi që në qeverisjen e mëparshme të demokratëve dhe po vazhdon tashmë me qeverinë e ‘Rilindjes’, është me pasoja të rënda për vendin, të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, largimin e bizneseve jashtë vendit, frikën e investimeve të huaja e kështu me radhë. Po të kishim Gjykatën Kushtetuese, si kolona vertebrale e një shteti, sot nuk do kishim këto probleme dhe nuk do humbnim kohe, se kush ka faj dhe kush ka të drejtë. Ndaj në këto kushte, është në të mirën e shtetit të qytetarëve, rendit kushtetues, luftën kundër krimit, sigurisë kombëtare (duke parë edhe situatën provokuese dje në ceremoninë mortore në Bularat) që Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Parlamentit të gjejnë gjuhën e përbashkët në të mirë të vendit dhe respektimit të ligjit, që vendi të ketë institucione të përgjegjshme në të mirë të kombit dhe shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre rreth e qark Shqipërisë.

Çfarë është në vetvete dekreti? Ka të drejtë Presidenti apo e ka gabim Kryeministri?

Është një analizë të cilën në të cilën duhet përcaktuar, nëse Dekreti i Presidentit është një akt individual formal apo substancial? Si e trajton Kushtetuta shqiptare, si e trajton kushtetuta greke, maqedonase, serbe malazeze, rumune, bullgare, hungareze, italiane, gjermane, spanjolle etj., për të ndarë dy elementët, nëse presidenti është thjesht një njeri, që bën një akt formal me dekretin apo dekreti është shprehje e vullnetit me fillim substancial ku Presidenti mban përgjegjësi politike dhe juridike për çdo firmë që hedh në dekret. Kjo është analiza që duhet të bëjnë ekspertët e së drejtës dhe kostitucionalistët, larg ngarkesave politike dhe preferencave individuale për Ramën apo Metën, për PS-në, PD-në, LSI-në dhe forcat e tjera politike. Sipas konsultimeve me shumë ekspertë vendas dhe të huaj gjatë këtyre ditëve, drejtues të universiteteve prestigjioze dhe kostitucionalistë euro-atlantikë, të cilët rezervojnë të shprehen publikisht për momentin, edhe pse qëndrimet e tyre i kanë dërguar në kancelaritë e vendeve të origjinës, është theksuar se Presidenti ka shumë të drejtë për Dekretin. Kjo buron nga fakti, se Presidenti ka 12 kompetenca, të cilat përshkruhen në Nenin 92 të Kushtetutës , një që përshkruhet në Nenin 93 dhe pastaj të shtrira sipas karakterit formal në Nenin 94. Këto janë, kështu e kemi ne, kështu e ka Italia, kështu e ka edhe Hungaria, vende nga të cilat janë marrë elemente të ndërtimit të Kushtetutës së Shqipërisë. Vendet e tjera pastaj e kanë ndryshe. Për marrë detyrën një ministër në Itali a në Hungari duhet të kalojë në disa etapa. Etapa e parë propozimi nga kryeministri, etapa e dytë është dekreti i presidentit, etapa e tretë është miratimi nga parlamenti, etapa e katërt është betimi para presidentit. Këto katër hapa, dy i ka presidenti, njëri është dekreti i presidentit, tjetri betimi para presidentit, një e ka kryeministri-propozimin dhe një e ka parlamenti-miratimin.

Dekreti është një akt individual me karakter substancial. Pra ku dallon substancial nga formal?

Substanciali do të thotë shprehje vullneti nëpërmjet dekretit, formali është procedurë dhe ka të bëjë me ceremoninë e betimit. Pra tek dekreti ka shprehje vullneti, tek ceremonia e betimit presidenti nuk ka shprehje vullneti, shkon ministri dhe betohet. Pra shkon ministri dhe betohet ky është formal. Presidenti e bën ceremoninë, por kjo nuk është shprehje vullneti, pasi shprehet ministri, dhe është ai që thotë “Betohem!”, pra është vetë ministri që ka shprehje vullneti për betim, ndaj dhe ky betim është me karakter formal. Dekreteti i Presidentit si për ministrin, dekreti për kreun e Akademisë së Shkencave, Rektorët, si dhe për dhënie shtetësie etj., janë dekrete. Presidenti me Dekret i jep shtetësinë një personi të caktuar. Po a ka të drejtë Presidenti t’ia refuzojë shtetësinë një individi të caktuar? Po, e refuzon, se do shprehë vullnetin, ai do bëjë arsyetimin, do japë argumentin, nëse ia jep ose nuk ia jap. Dhe është e njëjta gjë kur dokumentacionin për dhënie shtetësie e përgatit Ministria e Brendshme dhe ia dërgon Presidentit për dekret dhe pas saj bëhet regjistrimi në gjendjen civile të Shqipërisë. Dekreti për kthimin e një ligji, ka të drejtë presidenti të kthejë një ligj? Ka, pra se e kthen, ashtu si e ktheu edhe ‘Ligjin për Teatrin’. Dekretet janë një. Është Neni 93 i Kushtetutës dhe për çdo dekret akti është individual substancial në shprehje të vullnetit. Ky është dallimi, këtë Kushtetutë tani për tani e kemi. Do ta ndryshojmë, është e drejta e ligjvënësve dhe qytetarëve ta ndryshojnë. Pikërisht ky është dallimi nga vendet e tjera, të cilat në kushtetutat e tyre si; në Greqi, Maqedoni, Rumani, Bullgari, Mali i Zi etj., e kanë me tre hapa dhe jo me katër si tek ne. Ministrin e kryeministrin, e emëron parlamenti dhe betohet në presidencë. Pra në vendet e tjera, hiq Italinë dhe Hungarinë, e cila është e ngjashme me sistemin shqiptar, në shumë vende të tjera presidenti ka vetëm rol formal, sepse ka vetëm pjesën e betimit, kurse këtu ka dy; ka dekretin ka edhe betimin. Kurse Gjermania është tjetër. Gjermania ka Bundestag e ka rajonale dhe ne nuk e kemi këtë model. Ndërsa Greqia e ka me betim, por edhe atje ministrat nuk betohen para Presidentit dhe vetëm kryeministri dekretohet dhe betohet, ndërsa ministrat betimin e bëjnë në praninë e kishës.

Rrëzimi i propozimeve të Kryeministrit dhe Dekreteve të Presidentit nga Kuvendi i Shqipërisë

Rasti kur Presidenti nuk dekreton një ministër nuk është i vetëm dhe nuk përbën çudi sikurse u trajtua rasti z.Lleshi i propozuar nga Kryeministri Rama. Kemi me dhjetëra raste sikurse kanë ndodhur këto 10 vitet e fundit kur kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, të Lartë, dhe institucione të pavarura, sikurse ishte zoti Shehu i propozuar për kreun e KLSH, në 2011 nga ish-Presidenti Topi nuk u miratuan nga Kuvendi. Atëherë si duhet të arsyetojmë në këto raste kur ligji ia përcakton presidentit të caktojë emra të caktuar dhe kuvendi që thjesht duhet t’i miratojë, i rrëzon dhe nuk jep miratim?!

Mosdekretimi i qeverisë aktuale të Italisë, (e ngjashme me Shqipërinë, pasi ky është pak a shumë edhe modeli nga është marrë Kushtetuta jonë), e cila u fut në krizë, i qeverisë së Giuseppe Conte-s, sepse Presidenti i Italisë, Sergio Matarella i kërkoi të mandatuarit për kryeministër largimin e njërit prej kandidatëve për ministër financash, Paolo Savona. Dhe zgjidhja erdhi duke u ulur në bisedime dhe u vendos një figurë tjetër. Ndaj edhe ne shqiptarët, marrëveshjen dhe tolerancën e kemi të vështirë ta realizojmë dhe pasojat i hanë shqiptarët e varfër. Ndaj duhet që të gjithë së bashku të ulemi, të gjejmë gjuhën e përbashkët, të jemi të bashkuar për të mirën e vendit, qytetarëve dhe Kombit. Veç dashuria mund ta bëjë Shqipërinë nuse, ndaj ta duam të gjithë që ta kemi një zonjë të vërtetë.