Edmond Arizaj: Nuk kemi kë të denigrojmë më

Në fillim denigruam ushtarakët. Ata burra e gra, të mësuar me rregullin, me seriozitetin, me urdhëra, me komandë. I përqeshëm. I pushuam. I keqtrajtuam. I detyruam të punojnë roje, të shesin gazeta, të bëhen hidraulikë e elektricistë. Ua hoqëm atë hijen e rëndë që përmbledh brenda shtet-rregull-ligj. I hodhëm ushtarakët tanë tutje, si plaçka të pavlera, megjithëse na e përplasën turinjve në 1997-n gabimin tonë, e megjithëse i vetmi President me topa nga këta të demokracisë erdhi nga pensioni ushtarak. Pastaj denigruam arsimin. Mësuesit, dinjitarët e vërtetë të një vendi, i trajtuam si plaçkë. Hoqëm plaçkat e komunizmit, e vumë plaçkat e demokracisë (a nuk vepruan po kështu komunistët në kohën e tyre?!). Pastaj hoqëm plaçkat e demokracisë, e vumë të socialdemokracisë. Hiq njëri plaçkën e tjetrit e bëj tjetri po të njëjtën gjë, i katandisëm mësuesit e varfër në ca figura frikacake që bëjnë “Urra” për këdo të pamend që do ta kishin ngelur dy-tre herë në vjeshtë, por që u ka në dorë vendin e punës. Mësuesit i frikësuam, i zëvendësuam, i filmuam, ua dhamë në dorë huliganëve të rinj, e ata e lanë punën e mësuesit. Thjesht marrin rrogën duke treguar libra. Pastaj denigruam shoqërinë. I shtymë tutje të shkolluarit. U qeshëm në surrat. Fshimë prapanicën me librat e tyre. Maskarai u bë shef. Injoranti servil u bë drejtor. Partiaku që mezi merrte klasën, të ndan punët. I shtymë intelektualët në buzë të tavolinës, madje në prag të derës, e aty ulëm, vrasësin, kontrabandistin, mashtruesin, lakeun, bythëlëpirësin, të fortin, gangsterin, kodoshin. I përzumë të shkolluarit. I degdisëm jashtë kufijve. Dhe rritëm të rinjtë me shembujt e injorantit që është i pasur, të trimit që të merr gjak në vetull, të mashkullit që gratë e vajzat i ka si çorapet. Pastaj denigruam familjen. Gjithë marazin, mllefin, frustrimin, pamundësitë, mundësitë e pista, ofertat e turpshme i shfrymë mbi fëmijët, mbi gratë. I rrahëm, dhunuam e përdhunuam. Brenda përbrenda mureve, duhet të ketë shumë dhimbje, lot e krime të përditshme, sepse për të dalë jashtë, pritet me vite. E sikur të mos mjaftonte kjo, familjen nisën ta shqepin edhe si themel; burrë-grua-fëmijë. Nuk ka gjë, thonë, të jetë edhe burrë-burrë-fëmijë, apo grua-grua-fëmijë. Në fund s’kishte mbetur më gjë për të denigruar përveç mjekut. Kështjella e fundit e intelektualizmit. Mbrojtësi i jetës. Luftëtari i vdekjes. E bëmë grabitës. E bëmë manjak. E bëmë të pashpirt. E bëmë vrasës. E bëmë të padinjitet. E bëmë të pa din. E bëmë të pa iman. E qëlluam. E plagosëm. E shamë. E pështymë mjekun. Ia grisëm rrobën e bardhë e ia lyem me të zezë. E detyruam të fshihet, të mblidhet, të friket, të turpërohet, të ikë. E nuk do të jetë e largët dita kur të kemi xherahë në vend të mjekëve.E tani?! Tani shohim njëri-tjetrin në tv. Nuk kemi më kë të denigrojmë. Ata që mbajmë mbi kurriz na tallin, por ne u puthim këmbët.